Arbëri

Kurti: Protesta e 1 Tetorit theu mitin e "policit serb" dhe i parapriu luftës çlirimtare

Protesta e 1 Tetorit 1997

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përkujtuar protestën studentore të 1 tetorit 1997, duke thënë se kjo ngjarje e ka thyer dhe shembur figurën e mitizuar të “policit serb” të sfidueshëm.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se protesta e kthyer në demonstratë popullore i paraprin luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Protesta e 1 tetorit 1997, e theu dhe shembi figurën e mitizuar të ‘policit serb’ të sfidueshëm siç e prishi edhe pasivitetin e tejzgjatur të rezistencës së viteve të fundit. Protestat studentore të kthyera në demostrata popullore, i paraprinë dhe iu bashkëngjitën luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që pasoi nga fundi i vitit 1997 deri në çlirimin e Kosovës në qershor të vitit 1999. Duke i kujtuar shokët dhe shoqet studentë, profesorët e nderuar të Universitetit të Prishtinës dhe mijëra e mijëra qytetarë që patën vetëdijen dhe guximin për t’iu bashkuar lëvizjes studentore të UP-së në atë etapë aq të rëndësishme të rrugës së popullit të Kosovës drejt çlirimit të saj”, ka shkruar ai. 

Ai ka shtuar se kjo rezistencë paqësore e popullit të Kosovës i ka treguar regjimit kriminal të Serbisë në Jugosllavi dhe botës demokratike në Perëndim, që shqiptarët e Kosovës ishin të vendosur në rezistencën e tyre për jetësimin e vullnetit të tyre politik: për liri dhe për shtetndërtim. 

“Që nga viti 1991, regjimi i apartheidit i Serbisë që ishte instaluar në Kosovë mes viteve 1989 - 1991, i kishte përjashtuar studentët dhe profesorët nga kampusi i Universitetit të Prishtinës, siç kishte bërë edhe me nxënësit e mësimdhënësit e shkollave të mesme. Deri në shpërthimin e luftës në Kosovë, rreth 3000 shtëpi dhe lokale private u adaptuan në ambiente të improvizuara për zhvillimin e sistemit arsimor, në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme”, ka thënë ai.

Këtë ngjarje e ka kujtuar edhe Driton Lajçi, një tjetër ish-organizator i asaj proteste. 

Ai ka thënë se lëvizja studentore (1997–1999) nisi me kërkesën për lirimin e objekteve universitare dhe u shndërrua në një lëvizje të fuqishme popullore kundër okupimit serb, duke sensibilizuar opinionin ndërkombëtar, mbështetur UÇK-në dhe ndikuar në procesin e statusit politik të Kosovës. 

“Jam krenar që i përkas brezit që me guxim kontribuoj për liri. Urime 1 Tetori 1997 dhe nderim brezit të studentëve të lirisë”, ka shkruar ai në Facebook.