Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Prokuroria e ka mbështetjen e Qeverisë për zbardhjen e rastit të Deharit

Albin Kurti - Avni Dehari

Foto: Driton Paçarada

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Prokuroria e shtetit e ka mbështetjen e institucioneve të Kosovës për zbardhjen e rastit të vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Astrit Dehari është gjetur i vdekur tetë vjet më parë në qelinë e Burgut në Prizren, ku po mbahej i paraburgosur me dyshimin se ka kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit bashkë me disa aktivistë të tjerë të LVV-së. Teksa nga Prokuroria atëkohë patën thënë se bëhet fjalë për vetëvrasje, familja Dehari në vazhdimësi ka insistuar se ai është vrarë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kurti dhe anëtarë të tjerë të VV-së të martën bënë homazhe te varri i Deharit. 

“Sot u mbushën 8 vjet pa Astritin. Na mungon shumë. Na merr malli për ditë. Zemërimi e pikëllimi nuk na hiqet, dhe vit pas viti mungon drejtësia, mungon zbardhja e këtij rasti, i cili ishte goditje tejet e rëndë për studentët, për Lëvizjen Vetëvendosje! dhe për mbarë rininë shqiptare. E kjo goditje tejet e rëndë vazhdon edhe pas 8 vjetëve në një formë tjetër nëpërmjet drejtësisë që mungon. Në këto 8 vjet katër prokurorë e kishin rastin e mbytjes në burgun e Prizrenit të Astrit Deharit, por që të katërtit ata dolën në pension pa e kryer punën. Tash është prokurori i pestë, i cili e ka marrë rastin dhe si Lëvizje Vetëvendosje!, si qeveri e Republikës, jemi shumë të interesuar, fort të gatshëm, gjithnjë të vullnetshëm që ta ndihmojmë me krejt çfarë mundemi e dimë prokurorinë e shtetit për të sjellë drejtësi për Astrit Deharin, familjen e tij, Lëvizjen e tij, popullin e tij. Por këtë ndihmë dhe mbështetje që ne duam e duhet ta japim nuk është e tillë që mund ta zëvendësojë punën e prokurorisë andaj besojmë e shpresojmë që ky prokurori i pestë që e ka marrë rastin tani do të punojë dhe do të kontribuoj në ndriçimin e këtij rasti dhe në sjelljen e drejtësisë në kontrast me ata para tij. Ne shokët e shoqet e Astritit mbajmë në zemër Astritin, ashtu qysh ai gjithë jetën e tij e pati në zemër Republikën e Kosovës, kombin shqiptarë, dhe Lëvizjen Vetëvendosje!. Lavdi Astritit, dhe i lehtë i qoftë dheu i Kosovës”, ka thënë Kurti, sipas njoftimit nga Vetëvendosje. 

Babai i Astrit Deharit, deputeti Avni Dehari ka uruar që rasti të mos zvarritet më, tek ka akuzuar për manipulime nga gjyqësia.

“Humbja e jetës së Astritit në burgun e Prizrenit ka 8 vjet që po manipulohet e keqtrajtohet nga gjyqësia e Kosovës. 8 vjet një njeri që ka humbur jetën në një institucion të Kosovës - të mos zbardhet e vërteta për te, flet për ata që kanë bërë krimin ndaj Astritit dhe drejtësisë, flet për ata që edhe sot e kësaj dite mundohen t’i fshehin gjurmët e tyre. Urimi im do të ishte që jo të zbardhet e vërteta vetëm për Astritin, por nëse nuk zbardhet ky rast, edhe raste të tjera, flet shumë se gjyqësia e Kosovës nuk është në nivel, dhe Kosova nuk meriton të ketë një gjyqësi të tillë”, ka thënë ai.