Arbëri

Kurti përmend reciprocitetin, nuk merret me dialogun

Në adresimin e tij para anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, kryeministri Kurti nuk është marrë me dialogun Kosovë-Serbi dhe me kërkesat në rritje për zbatimin e obligimeve që kanë marrë përsipër qeveritë e kaluara. Atë e ka përmendur vetëm në kontekst të reciprocitetit në targa, teksa ka paralajmëruar identifikim të fushave të tjera ku mund të vendoset kjo masë

Prishtinë, 26 dhjetor - Tema që dominoi politikën e jashtme ka munguar në adresimin e fundit për këtë vit të kryeministrit Kurti në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Megjithatë, në fjalimin e tij të gjatë, të dielën, kryeministri ka paralajmëruar reciprocitet ndaj Serbisë në fushat e tjera.

“Ka filluar aplikimi i reciprocitetit në targa me Serbinë dhe në vazhdimësi do të identifikohen fushat e tjera të reciprocitetit në përputhje me përgatitjet e brendshme për ta zbatuar atë me sukses”, ka thënë Kurti në fjalimin e tij.

Dokumenti i vetëm që u nënshkrua në Bruksel në nëntë muaj të qeverisjes Kurti ishte ai për targat, përmes të cilit iu dha fund bllokadës në Jarinje e Bërnjak.

Por, sipas analistëve, duhet përmbushur disa parakushte para vendosjes së këtyre masave.

i përket reciprocitet Qeveria nuk duhet të ngutet, por duhet ta fuqizojë aktivitetin e saj diplomatik në të gjitha sferat që duhet ta argumentojë pse është i nevojshëm reciprociteti ndaj Republikës së Serbisë. Sepse edhe së fundi Republika e Serbisë ka ndërmarrë aksion, ku po i bllokon mallrat transite të Kosovës”, ka thënë analisti Dritëro Arifi.

Ndonëse këtë vit pati një rritje të eksporteve, prodhuesit kosovarë nuk po arrijnë të realizojnë porositë në shtetet evropiane, sidomos në Gjermani dhe Zvicër.

Kjo, për shkak që Serbia ka vendosur barriera ndaj prodhuesve kosovarë për kalimin transit të mallrave në këto vende evropiane.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka paralajmëruar adresimin e këtyre barrierave te partnerët në Bruksel.

Me gjithë optimizmin e emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, palët janë ende larg marrëveshjes finale. Dialogu u eklipsua nga tensionet e kohëpaskohshme në terren.

Deri më tani Kurti është takuar dy herë me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, derisa takime janë zhvilluar edhe në nivel të grupeve teknike.

“Sa i përket shmangies së dialogut nga Qeveria aktuale, besoj se do të jetë e pamundur. Pra, nga prioriteti i shtatë siç është potencuar besoj se do të jetë top prioritet. Normalisht jo për shkak se kjo varet nga Qeveria e Kosovës, por është një agjendë ndërkombëtare, ku Bashkimi Evropian, SHBA-ja dhe së fundi edhe Britania e Madhe janë të interesuara që ta zgjidhin këtë çështje sa më shpejt”, ka thënë Arifi.

e ardhshëm do të ketë presion edhe më të madh, por me siguri se do të dakordohen vendet Perëndimore që janë të kyçura në këtë projekt edhe për një agjendë të temave, konkluzioneve, sepse është e vërtetet që për 10 vjet Bashkimi Evropian ka dështuar në këtë projekt. Negociatat nuk janë përmbyll me rezultate pozitive dhe kështu që mendoj se BE-ja do ta kërkojë ndihmën e partnerëve të vet që më në fund Ballkanin Perëndimor ta orientojë nga rruga e integrimeve euroatlantike”.

Ngërçi rreth Asociacionit për të cilin insiston Serbia dështoi disa herë takimet në Bruksel.

Kurti tha të premten se ekziston një synim i mbrapshtë që brenda Kosovës të krijohet një ngrehinë legale juridike, e cila jo vetëm që është në shërbim të Beogradit, por edhe bëhet ndërkombëtarisht me legjitimitet më të lartë sesa vetë shteti i Kosovës.

“Paramendojeni një asociacion të komunave me shumicë serbe të instaluar në Kosovë, ashtu siç e ka dashur Serbia, ai do të njihej edhe nga Kosova e Serbia, ndërkaq Republika e Kosovës do të vazhdonte të mos njihej nga Serbia, nga shtetet e tjera në BE, dhe nga dy superfuqitë që janë në Këshill të Sigurimit të OKB-së. Ka një synim të mbrapshtë që brenda Kosovës të krijohet një ngrehinë legale juridike, e cila jo vetëm që është në shërbim të Beogradit, por edhe bëhet ndërkombëtarisht me legjitimitet më të lartë sesa vetë shteti i pavarur i Kosovës”, ka thënë Kurti për “Zërin e Amerikës”.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, kryeministri Kurti ka deklaruar se ai duhet të përfundojë brenda mandatit të Qeverisë së tij.

“Unë besoj që dialogu, bisedimet dhe marrëveshja mes Kosovës e Serbisë do të duhej të përfundonte brenda mandatit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e që përputhet edhe me mandatin e presidentit amerikan Joe Biden, dhe atë të Komisionit aktual evropian të udhëhequr nga zonja Ursula von der Leyen dhe me zëvendësin e saj, përfaqësuesin e lartë për Politikë të Jashtme dhe të Siguri, Josep Borrell”, është shprehur Kurti.

Javën e kaluar janë mbushur gjashtë vjet që kur Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë Marrëveshjen e vitit 2015 për Asociacionin. Por veprimet e sugjeruara që të ndërmerren përkitazi me këtë mekanizëm nuk kanë nisur me gjithë kërkesat e vazhdueshme të Bashkimit Evropian.