Arbëri

Kurti paralajmëron konsultime për presidentin

Albin Kurti - 12 shkurt

Foto: Driton Paçarada

Nga e premtja mund të nisin konsultimet për zgjedhjen e presidentit, ka paralajmëruar kryeministri Albin Kurti. E, presidentja aktuale, Vjosa Osmani, e ka anuluar pjesëmarrjen në Konferencën e Sigurisë në Munih të Gjermanisë dhe si arsye për këtë janë përmendur zhvillimet politike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka shprehur gatishmëri për t’i nisur diskutimet me partitë politike rreth zgjedhjes së presidentit, menjëherë pasi që të miratohet buxheti për vitin 2026 dhe marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat të enjten i janë përcjellë Kuvendit për votim.

Këtë Kurti e ka theksuar në mbledhjen e parë të Qeverisë, e cila është mbajtur vetëm një ditë pasi Kurti e siguroi mandatin e tretë si kryeministër.

“Tash jemi në hapin e tretë – votimin e buxhetit për vitin 2026 dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare. Por, sapo të përfundojnë këto, jam i gatshëm që nga nesër të filloj kontaktet dhe diskutimet me subjektet e tjera politike për çështjen e presidentit”, ka theksuar Kurti.

E presidentja Vjosa Osmani, e cila është shprehur hapur se synon edhe një mandat në krye të shtetit, ka anuluar pjesëmarrjen e saj në Konferencën e Sigurisë në Munih të Gjermanisë, e cila do të zhvillohet nga 13 deri më 15 shkurt.

Këshilltari i saj për media, Bekim Kupina, nuk ka thënë nëse veprimi ndërlidhet me konsultimet për zgjedhjen e presidentit.

“Për arsye të angazhimeve institucionale dhe prioriteteve që lidhen me zhvillime brenda vendit, e ka anuluar pjesëmarrjen”, ka theksuar ai.

Kryeministri Kurti ka thënë gjatë këtij muaji se është i gatshëm të diskutojë me përfaqësues të partive opozitare, qoftë për rizgjedhjen e Osmanit, qoftë për një kandidat konsensual për president.

Partia që ai e drejton – Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – ka 57 deputetë në Kuvend, ndërsa kuorumi për nisjen e procesit të zgjedhjes së presidentit kërkon pjesëmarrjen në votim të së paku 80 ligjvënësve.