Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në të cilën e ka lutur për koalicion qeverisës. 

“Si kryetar i LVV-së dhe kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike me LDK-në”, thuhet në letrën e Kurtit. 

“Në sigurisht që kemi dallime në bindje politike e në politikat qeverisëse, por koalicionet bëhen pikërisht ndërmjet atyre që kanë dallime, duke vendosur të drejtat dhe nevojat e shtetit dhe të qytetarëve si prioritet”, thuhet tutje në letër. 

Në letër Kurti ka thënë se LDK-ja njihet si parti që nuk ka hezituar për koalicione qeverisëse

“Mospajtimet e diferencat që mund të ketë LDK me LVV sot nuk janë më të mëdha sesa që LDK i kishte para koalicioneve të mëhershme kur i bëri ato. Plus në vitin 2020 ne bashkë kemi qenë kolegë në Kurti 1, kur unë nuk kam pasur probleme me juve, por me disa te tjerë që nuk kanë më pozita të larta e as ndikim të madh në LDK si asokohe”, ka shkruar Kurti.

Kurti tutje ka shkruar që është i bindur se edhe votuesit e të dyja partive preferojnë një koalicion të tillë. 
“Jam i bindur që edhe votuesit e LDK-së e sot preferojnë më së shumti koalicionin me LVV-në. Edhe votuesit e LVV-së e preferojnë po ashtu me së shumti koalicionin me LDK-në, pse të mos e bëjmë?”, ka pyetur Kurti. 
Ai ka thënë se LVV-ja nuk është e interesuar për koalicion me PDK-në. 

“Ne edhe mund të shkojmë në zgjedhje të reja ku pak çka mund të ndryshojë për LDK-në dhe mandej sërish do të na duhet të ulemi bashkë për koalicionin LVV-LDK! Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash? Pse edhe një palë zgjedhje për koalicionin e njëjtë?”, ka shkruar Kurti. 

“Natyrisht që më së miri do të ishte të takohemi e t’i flasim dhe diskutojmë këto si politikan të pjekur që e kanë ardhmërinë e shtetit e përparimin shoqëror prioritet mbi çdo gjë”, përfundon letra e Kurti.  

Letra e Kurtit për Abdixhikun

Abdixhiku për letrën e Kurtit: I lus njerëzit tanë që ta trajtojnë pa arrogancë

1 o. më parë / 5 maj 2025 12:47
Abdixhiku flet ftesën Kurtit për koalicion

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se do të ketë përgjigje zyrtare nga partia, për letrën e dërguar nga kryeministri, Albin Kurti.

"Më lejoni të shkojë në zyrë të shoh letrën dhe do të kthejë përgjigje me kohë. I lus edhe njerëzit tanë që gjendjen e tanishme ta trajtojnë pa arrogancë. Do të kemi përgjigje zyrtare siç i takon një partie", është shprehur Abdixhiku.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar të hënën një letër, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në të cilën e ka lutur për koalicion qeverisës.

LDK-ja thërret mbledhje pas letrës së Kurtit

1 o. më parë / 5 maj 2025 12:18
Arben Gashi

Dimal Basha i Vetëvendosjes dhe Arben Gashi i LDK-së sot në Kuvend

Photo: Driton Paçarada

LDK-ja ka thirrur mbledhje të Grupit Parlamentar pas letrës që kryetari i LVV-së, Albin Kurti, i ka dërguar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e ftuar për koalicion. 

Këtë e ka konfirmuar deputeti Arben Gashi. 

Ai ka thënë se shefja e grupit, Hykmete Bajrami, i ka ftuar në një takim. “Paska shkruar Hykmejta, ‘nëse jeni afër hajdeni në grup’, tani po shkoj”, ka thënë Gashi në një deklarim për gazetarë. 

Gashi ka thënë se personalisht mendon që partitë politike duhet të bisedojnë dhe se “edhe refuzimin duhet ta bëjnë në tavolinë”.
“Gabimet politike që i ka bërë Albin Kurti janë në vazhdimësi, janë të përsëritura, por në fund të fundit ne duhet të ulemi dhe të diskutojmë, qoftë edhe për të shkuar në zgjedhje ... qoftë edhe për t’i thënë Kurtit ti i ke 48 deputetë, vazhdo ose tërhiqu nga mundësia e formimit të Qeverisë”, ka thënë Gashi, duke shtuar se ulja në tavolinë nuk do të thotë as koalicion e as refuzim, por diskutim.

“Diskutimi duhet të bëhet dhe të gjitha partitë politike duhet të jenë pjesë e diskutimit”, ka deklaruar Gashi.

Mustafa për letrën e Kurtit: Përgjigjja do të jepet me kohë nga Abdixhiku

2 o. më parë / 5 maj 2025 12:02
Besian Mustafa

Mustafa për letrën e Kurtit: Përgjigjja do të jepet me kohë nga Abdixhiku

Pas situatës së krijuar me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i është drejtuar me një letër publike kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

Në këtë letër, Kurti ka ftuar LDK-në në një marrëveshje politike për bashkëqeverisje, me qëllim të tejkalimit të ngërçit institucional.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka konfirmuar pranimin e kësaj ftese, duke theksuar se do të japë një përgjigje zyrtare në kohën e duhur. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i LDK-së dhe njëherësh deputet i saj, Besian Mustafa, në një deklaratë për Ekonomia Online.

“Kryetari Abdixhiku do të kthejë përgjigje me kohë,” ka deklaruar Mustafa, pa dhënë më shumë detaje rreth përmbajtjes së mundshme të përgjigjes.

Murati për letrën e Kurtit drejtuar Abdixhikut: Jemi të interesuar për marrëveshje politike që zhbllokon situatën

2 o. më parë / 5 maj 2025 11:17
Hekuran Murati

Hekuran Murati

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, derisa është deklaruar rreth letrës që kryetari i kësaj partie, Albin Kurti, ia ka dërguar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në të cilën e ka lutur për koalicion qeverisës, ka thënë se deri te kjo ftesë është ardhur pasi që shihet qartë se është e pamundur të arrihet ndryshe te zhbllokimi i kësaj situate të krijuar.

Murati ka thënë se LVV-ja është e hapur për bashkëpunim dhe pasi që, sipas tij, ky subjekt politik ka kërkuar marrëveshje politike, është ftuar për diskutim nga ana e Kurtit. 

“Çështja e ftesës për bashkëpunim ekziston në vazhdimësi. Jemi të hapur për bashkëpunim. Për faktin që ka pasur deputetë nga LDK-ja që janë deklaruar se për të pasur bashkëpunim të tillë nuk mjafton vetëm konstituimi i Kuvendit por duhet të ketë një dakordim politik, ka rrjedhur edhe ftesa e kryeministrit Kurti drejtuar Lumir Abdixhikut që në këtë rast fton për të diskutuar për bashkëpunim politik në mënyrën siç ata pretendojnë, ne jemi të gatshëm si fitues të zgjedhjeve që të gjejmë mënyra. Shpresojmë të ketë gatishmëri edhe nga subjektet tjera për ta konstituar Kuvendin dhe për t’i formuar institucionet e vendit. Ftesa është mbi bazën e asaj se çka kanë deklaruar vetë përfaqësuesit e LDK-së, që kërkojnë marrëveshje politike, për këtë ka ftuar edhe kryeministri Kurti që të ketë marrëveshje politike”, ka thënë ai.

Murati ka shtuar se nuk beson që një letër të tillë do të ketë edhe për kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi.  

“Nuk besoj se do të ketë një letër të tillë (për Memli Krasniqin), po presim njëherë se çka do të jetë përgjigja e pastaj do të diskutojmë në kuadër të organeve të subjektit që e kemi. Besoj se mund të shihni qartë se për çka është ftesa, deri te kjo ftesë kemi ardhur pasi kemi parë që në pamundësi që të arrihet deri te një dakordim, fillimisht për konstituim të Kuvendit, nuk jemi të interesuar që të vazhdojmë me këtë situatë dhe jemi të interesuar për zhbllokim”, ka thënë ai.

Haradinaj për letrën e Kurtit dërguar LDK-së: Është dashur të bëhej menjëherë pas zgjedhjeve

3 o. më parë / 5 maj 2025 11:10
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar letrën që kryeministri Albin Kurti, ia ka dërguar Lidhjes Demokratike të Kosovës, e në të cilën e lut për koalicion qeverisës.

Duke folur pas dështimit të 11-të të konstitutimit të Kuvendit, Haradinaj ka thënë se kjo është dashur të ndodhte menjëherë pas zgjedhjeve, dhe jo të priten 90 ditë.

“Është dashur menjëherë pas zgjedhjeve, jo të priten 90 ditë. Është situatë e rëndë në Kosovë, po i harrojmë temat e tjera, rritja e çmimit të energjisë është bërë e rëndë për prodhuesit dhe ne jemi vend që importojmë shumë. Kanë me pas zor me i mbajt punëtorët, jemi duke humbur kohë, duhet të kujdeset dikush për ta”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo krizë, është një kandidat unifikues.

“Si fillim Kurti do ta jepte një shenjë të mirë që e ka ndërmend që të ecë përpara, duke gjetur një kandidat që LDK-ja mund ta votojë, PDK-ja ose ne”, është shprehur Haradinaj.