Arbëri

Kurti lavdërohet për mbështetjen për komunitetet, Berisha gjen mangësi në organizimin shtetëror

Albin Kurti - Dita memoriale e egjiptianeve

Përderisa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është lavdëruar për mbështetjen e Qeverisë së tij për komunitetet joshumicë, në konferencën shtetërore në shënim të Ditës Memoriale të Komunitetit Egjiptian, deputeti Veton Berisha ka numëruar mangësitë në këtë organizim.

Teksa ka lavdëruar ndryshimet, Berisha ka thënë se kjo ditë shënohet më 24 qershor, ndërsa ka shtuar se mungon edhe emblema e egjiptianëve të Ballkanit. Këtë madje ia dhuroi kryeministrit në detyrë.

“Dua t’ju falënderoj për ndryshimin e bërë në këto katër vjet, ku kësaj radhe Partia Liberale ka marrë ftesë për të qenë pjesë e një tryeze ku manifestohet Dita e Komunitetit Egjiptian. Vërej një ndryshim pozitiv dhe jemi mirënjohës për këtë ftesë. Pa dashur të kontestoj gjithçka që u tha këtu, dhe duke u pajtuar me një pjesë e jo me pjesën tjetër, si liberal besoj se do ta pranoni edhe anën tjetër që ekziston brenda komunitetit egjiptian. Nga ky takim vlerësoj se ka munguar një kujdes institucional për këtë ditë. Egjiptianët janë lojalë ndaj Kosovës, kategori kushtetuese dhe shtetndërtues. Përveç ftesës për të qenë pjesë e këtij takimi, nuk kemi pasur një koordinim paraprak që manifestimi të ishte më dinjitoz. Ky manifestim ka disa mangësi të rëndësishme. Organizimi shtetëror mban tryezë më 20 qershor, ndërsa Dita e Komunitetit Egjiptian është më 24 qershor. Për ne kjo është ngjashëm sikur të shënohet 28 Nëntori më 24 nëntor. Në këtë manifestim shtetëror nuk është emblema e egjiptianëve të Ballkanit, e cila është në përdorim që nga viti 2015, autorin e së cilës e kemi në tryezë. Në një ditë të egjiptianëve, ia vlen të jetë prezentë. Është mangësi dhe autorin e kemi këtu...”, ka thënë ai, raporton KosovaPress.

Në këtë tryezë, kryeministri Kurti, sipas një komunikate nga Zyra për komunikim publik e kryeministrisë, ka thënë se komuniteti egjiptian është tregues i integrimit në shoqëri dhe shembull i kontributit të vazhdueshëm. Ai ka përmendur mbështetjen ndaj komuniteteve.

“Gjatë mandatit tonë ne kemi ndarë fonde për investime kapitale për projekte të cilat përmirësojnë infrastrukturën në lagje e fshatra, kemi financuar ndërtimin e shtëpive e kemi mbështetur kuzhina popullore. Kemi ndarë bursa për të rinjtë dhe kemi asistuar në punësimin e tyre duke tentuar që të kemi shpërndarje të barabartë dhe të japim mundësi të njëjta për komunitetet joshumicë. Pra, nuk kemi lënë asnjë sektorë pa prekur dhe asnjë familje nga komuniteti pa mbështetur, ky ka qenë parimi ynë bazë qeverisës. Andaj, për t’i dhënë kuptimin e duhur ditës së komunitetit egjiptian ne duhet të bashkëjetojmë, e të bashkëpunojmë, e të bashkëqeverisim, e të bashkëveprojmë në secilën ditë të çdo muaji për shumë e shumë vite në vijim, duke dëshmuar se Kosova është shtet me përbërje multikulturore dhe multietnike e se shoqëria jonë i përket të gjithëve, pra secilit njësoj”, ka thënë ai.

E ministri në detyrë i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, që vjen nga komuniteti egjiptian, ka thënë se ka shumë të rinj dhe gra nga ky komunitet që avokojnë për pozita të barabarta në shtet dhe për trajtim dinjitoz në shoqëri.

“Ka më shumë të rinj dhe gra që avokojnë për pozita të barabarta në shtet dhe për një trajtim dinjitoz në shoqëri. Janë disa gjenerata që na bëjnë të kuptojmë se komuniteti ynë është pjesë e rëndësishme në secilën etapë dhe do të jetë pjesë përbërëse edhe në të ardhmen. Në administratën shtetërore, në vitin 2022 ka figuruar vetëm një zyrtar nga komuniteti egjiptian, ndërsa sot janë 15 pjesëtarë nga ky komunitet – një rritje e dukshme edhe në sektorë të tjerë të shtetit. Në vitin 2021 ishin vetëm shtatë pjesëtarë të Policisë nga komuniteti egjiptian, ndërsa sot janë 22 pjesëtarë”, ka thënë ai.