Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mbështetur operacionin e SHBA-së në Venezuelë të shtunën. Ajo ka thënë se Kosova qëndron fuqishëm me SHBA-në dhe presidentin Donald Trump në mbështetje të veprimeve kundër regjimit narko-terrorist të Venezuelës.
Ajo ka shtuar se Kosova e kupton ndikimin e vendosmërisë amerikane e se çlirimi i Kosovës është dëshmi e saj.
“Kosova e kupton ndikimin e vendosmërisë amerikane - çlirimi ynë është një dëshmi e kësaj. Në një moment kur SHBA-të po përballen me tiraninë në Venezuelë, të gjithë duhet ta përforcojmë këtë qëndrim, sepse komuniteti transatlantik është më i fortë kur bashkohet pas lidershipit amerikan dhe vlerave të përbashkëta. Kur Amerika udhëheq, ne qëndrojmë me krenari së bashku - sepse liria jonë kolektive varet prej saj”, ka shkruar ajo.
Kurti: Kosova mbështet operacionin anti-narkotik të SHBA-së në Venezuelë
Kosova e mbështet operacionin e SHBA-së në Venezuelë, ka thënë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Kurti ka theksuar se mbajtja përgjegjës e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin në luftën kundër kësaj dukurie.
“Kosova, si aleate strategjike e ShBA-së dhe NATO-s, ofron mbështetje të plotë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe kundër cenimit të vlerave demokratike perëndimore nga aktorë përfaqësues (proxy) të kundërshtarëve të këtyre vlerave, si në rajonin tonë ashtu edhe më gjerë”, ka shkruar në Facebook.
Ndërkohë, ka shtuar se është e nevojshme të rritet vëmendja ndaj aktorëve të caktuar rajonalë, “të cilët në vazhdimësi synojnë provokimin e situatës së sigurisë përmes veprimeve hibride, kriminale, terroriste dhe ushtarake”.
Shtetet e Bashkuara të shtunën kanë kryer sulme ajrore në Venezuelë, duke rezultuar më pas në arrestimin e presidentit të saj, Nicolas Maduro.