Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar zëvendësndihmëssekretarin amerikane të Mbrojtjes për Politika Evropiane dhe NATO, David Baker dhe SHBA-në për mbështetjen jetike që i kanë dhënë Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës gjatë viteve.
Kurti ka shtuar se Qeveria e Kosovës është e gatshme dhe plotë vullnet për t’i fuqizuar edhe më tej raportet me SHBA-në në fushën e mbrojtjes, përfshirë industrinë e mbrojtjes.
Kurti e Baker janë takuar në një darkë pune të shtruar nga ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Bakeri ishte i shoqëruar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.
“Kryeministri Kurti e njoftoi zëvendësndihmëssekretarin Baker me zhvillimet dhe progresin në vend, investimet në mbrojtje përgjatë këtij mandati dhe nevojën e rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe shtimit të investimeve. Ai e falënderoi z. Baker dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen jetike që i kanë dhënë Republikës së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës përgjatë viteve, si dhe për rolin e saj të vazhdueshëm për sigurinë dhe paqe. Kryeministri gjithashtu shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të fuqizuar edhe më tej raportet me ShBA-të në fushën e mbrojtjes, përfshirë industrinë e mbrojtje”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
Paraprakisht Baker u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e më pas u prit nga ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Maqedonci po ashtu ka thënë se Kosova është e përkushtuar për ta avancuar mëtutje partneritetin me SHBA-në.
“Në kontekstin e dinamikave globale diskutuam mbi sfidat e sigurisë dhe paqes në rajon dhe më gjerë. Theksuam përparimin e rëndësishëm që është bërë që nga takimi ynë i fundit, sidomos në lidhje me iniciativat e bashkëprodhimit me Shtetet e Bashkuara dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në Kosovë, një sektor që njihet për potencialin e tij të konsiderueshëm për rritje. Konfirmuam partneritetin mes dy vendeve tona ndërsa theksova angazhimin tonë për ta forcuar edhe më tej këtë bashkëpunim. Me Shtetet e Bashkuara si partnerin tonë të besueshëm, Kosova gëzon një siguri të shtuar dhe luan një rol të rëndësishëm në promovimin e paqes dhe stabilitetit, si në nivelin rajonal ashtu edhe në atë global. Ne jemi të përkushtuar për të avancuar këtë partneritet në nivele edhe më të larta!” – ka shkruar Maqedonci në Facebook.