Artikull i përditësuar (09:43) – Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani nuk e kanë pranuar fajësinë për kanosje ndaj kryeministrit Kurti.
“Për postimin tim, konsideroj që nuk ka vepër penale. Prandaj nuk e pranoj”, ka thënë Klinaku. Njëjtë ka deklaruar edhe Selmani.
Pas këtyre deklaratave është mbyllur seanca fillestare.

Artikull i përditësuar (09:24) - Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në seancën fillestare ndaj Faton Klinakut, që akuzohet për kanosje ndaj Kurtit, ka thënë se në këtë rast si palë e dëmtuar e përfaqëson veten dhe se nuk do të bëjë kërkesë pasurore-juridike.
Kurti i pranishëm në gjykatë, Klinaku akuzohet për kanosje
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është i pranishëm në seancën gjyqësore që ka nisur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ndaj Faton Klinakut, i akuzuar për kanosje të Kurtit.
Klinaku, së bashku me Nuredin Selmani, akuzohen nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për kanosje ndaj Kurtit përmes rrjeteve sociale më 30 gusht të vitit 2023.
Klinaku kishte deklaruar në fillim të gushtit se as ai dhe as avokati i tij nuk ishin njoftuar për ngritjen e aktakuzës ndaj tij, por kishte shtuar se “mezi pret” të ballafaqohet me Kurtin në gjykatë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dorëzuar aktakuzën ndaj dy personave të cilët dyshohen se kanë kanosur kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.
Sipas aktakuzës, më 30 gusht 2023, Klinaku akuzohet se ka ripostuar një mesazh me përmbajtje kërcënuese ndaj Kurtit, ku thuhej: “… Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova”.
“E mbështes Faton Klinakun, veç një telefon ma bon Faton. Mezi po pres me ia nisë”, pati shkruar Selmani.