Mbajtja në fuqi e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, pas veprimeve të ndërmarra në funksion të shtensionimit të situatës në veri, është kritikuar nga presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti. Në Presidencë thanë se vazhdimi i masave përbën shpërfaqje të qasjes së pabalancuar që mund ta deformojë dialogun. E kryeministri i kërkoi BE-së gjykim më të drejtë në raport me Kosovën dhe qasje më të ashpër ndaj Serbisë
Irracionale dhe e pabalancuar është vlerësuar qasja e Bashkimit Evropian në raport me masat ndëshkuese ndaj Kosovës nga presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti.
Vazhdimin e mbajtjes në fuqi të këtyre masave, nga Zyra e Presidentes e kanë kualifikuar si të padrejtë dhe si shpërfaqje të qasjes së pabalancuar që mund ta deformojë dialogun.
Duke iu përgjigjur deklaratës së zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, që ditë më parë tha se vendosja e masave u bë si pasojë e paaftësisë së autoriteteve për t’u sjellë në mënyrë evropiane, në Presidencë thanë se Kosova, në raport me Serbinë, është shumë më e interesuar për t’i përqafuar vlerat evropiane.
“Përpjekja për vendosjen e rendit dhe të ligjit në një pjesë të territorit të vendit nuk mund të konsiderohet sjellje antievropiane. Përkundrazi, veprimet e bandave dhe grupeve kriminale serbe të udhëhequra nga Beogradi, të cilët sulmuan dhe plagosën paqeruajtësit e KFOR-it, janë antievropiane”, ka thënë Zyra e Presidentes.
E kryeministri Kurti, në një intervistë për TV KOHA të Maqedonisë së Veriut, i kërkoi BE-së gjykim më të drejtë në raport me Kosovën dhe ashpërsim të qasjes ndaj Serbisë, duke iu referuar letrës së ligjvënësve evropianë adresuar SHBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar.
“Kjo letra e mbi 50 parlamentarëve të perëndimit demokratik, SHBA, Bashkim Evropian, Mbretëri e Bashkuar, unë besoj që është hapi i duhur në drejtimin e duhur që të përmirësohet qasja ndaj Kosovës e të ashpërsohet ndaj Serbisë agresore, e cila nuk distancohet as nga Millosheviqi, as nga Putini”, ka thënë Kurti.
Në këtë rrafsh, nga Presidenca thanë se presin që hapat e ndërmarrë nga Kosova drejt shtensionimit të situatës në veri të reflektohen në qëndrimin e BE-së, në raport me masat.
“Institucionet e Kosovës tashmë kanë ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e situatës... Mbajtja e zgjedhjeve të reja do të krijojë një realitet të ri në atë pjesë të vendit, nëse do të kemi pjesëmarrje të qytetarëve në votime pa presion nga Beogradi. Prandaj, presim që kjo të reflektohet edhe në qëndrimin e BE-së ndaj Kosovës, veçanërisht në lidhje me masat e marra”, thuhet tutje në përgjigjen e Zyrës së Presidentes.
E kryeministri e quajti të palogjikshëm mbajtjen në fuqi të masave, pas veprimeve të ndërmarra së fundi.
“Ne dy herë nga 25 për qind e kemi zvogëluar praninë e Policisë sonë në ndërtesat në tri komunat në veri dhe kemi shprehur gatishmërinë që të mbahen zgjedhjet e parakohshme. Prandaj unë besoj që nuk është e logjikshme, as racionale të insistohet kundër Kosovës me masa nga më të ndryshmet prej atyre financiare deri te vizitat e nivelit të lartë. Ato do të duhej të tejkaloheshin, do të duhej të hiqeshin”, ka shkruar Kurti.
Me dhjetëra ligjvënës perëndimorë u dërguan në fillim të javës një letër shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borell, sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, dhe sekretarit të Jashtëm britanik, James Cleverly, me kërkesën për ndryshimin e qasjes karshi Kosovës e ashpërsimit të asaj ndaj Serbisë.