Kryeministri Albin Kurti ka thënë se dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e përfaqësojnë grupin e fundit të madh të të rënëve për liri, duke theksuar se ata janë të vetmit “që e kanë vulosur angazhimin e tyre për vendin”.
Duke kujtuar 5 majin si ditën e dëshmorëve të kombit shqiptar, kryeministri Kurti shkroi në Facebook se liria e fituar nga dëshmorët është mundësi për vetëvendosje dhe përparim.
“5 maji është dita e dëshmorëve të kombit shqiptar, të rënë kudo dhe kurdo gjatë historisë. Andaj sot i kujtojmë të gjithë dëshmorët e rënë në të gjitha etapat e së kaluarës sonë. Trofeu i synuar dhe trofeu i fituar nga dëshmorët, është liria jonë, si mundësi për vetëvendosje dhe përparim. Dëshmorët janë dëshmi e orëve të historisë, dëshmitarë të historisë së kombit. Jeta, vepra dhe rënia e tyre përcillen si mësime dhe frymëzime ndër breza. Çmimi i lirisë është paguar me gjakun e dëshmorëve, andaj jeta e tyre është e paçmueshme në të gjitha kohët”, ka deklaruar ai.
Kurti shtoi se detyrë e të gjallëve dhe e brezave të ardhshëm është angazhimi dhe përpjekja për atdheun e lirinë.
“Sivjet po bëhen 25 vite nga çlirimi i Kosovës në qershor të vitit 1999. Dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përfaqësojnë grupin e fundit të madh të të rënëve për lirinë e vendit tonë. Ata janë dëshmorët më të freskët në kujtesën tonë kolektive për rrugën që kemi ndjekur deri te liria, andaj edhe përkujtimet e nderimet tona për dëshmorët, nisin prej tyre dhe mbarojnë me ta. Lavdi përherë dëshmorëve të kombit të rënë për liri, sot dhe për jetë e mot”, ka shtuar ai.