(E përditësuar 18:45) - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sërish nuk e ka ceritifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
Me dy vota për, dy kundër dhe shtatë absentime, KQZ-ja nuk e certifikoi Listën Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi dhe anëtarja serbe votuan për, ndërsa dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër.
Anëtarët nga partitë e tjera abstenuan.
KQZ-ja edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit nuk e kishte ceritifikuar Listën Serbe. Por Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e kishte urdhëruar KQZ-në ta certifikonte partinë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Pavarësisht ankesës së LVV-së në Gjykatën Supreme, Lista Serbe kishte marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Certifikohen 22 subjekte politike, Nismës i jepet afat shtesë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 22 subjekte politike. E, Nismës i është dhënë edhe një ditë kohë për plotësim të listës së nënshkrimeve në mënyrë që të ketë mundësi më pas të certifikohet.
“Sipas njoftimit nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, ky subjekt politik i ka përmbushur të gjitha kriteret tjera, përveç listës së nënshkrimeve. Pas plotësimit të listës së nënshkrimeve, subjekti politik do t’i nënshtrohet certifikimit nga KQZ. Subjektit politik, i është dhënë afat për plotësim të listës së nënshkrimeve deri 3 dhjetor 2025, në orën 12:00”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Sipas vendimit të KQZ-së, këto janë subjektet politike të certifikuara:
Partitë politike: 1. LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – LDK; 2. PARTIA DEMOKRATIKE E KOSOVËS – PDK: 3. KOSOVA DEMOKRATIK TÜRK PARTISI; 4. INICIATIVA E RE DEMOKRATIKE E KOSOVËS; 5. NOVA DEMOKRATSKA STRANKA – NDS; 6. Za Slobodu Pravdu i Opstanak; 7. PARTIA LIBERALE EGJIPTIANE; 8. SOCIALDEMOKRATSKA UNIJA – SDU; 9. JEDINSTVENA GORANSKA PARTIJA; 10. PARTIA ROME E BASHKUAR E KOSOVËS; 11. AAK – ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS; 12. Kosovaki Nevi Romani Partia; 13. FJALA; 14. LËVIZJA PËRPARIMTARE E ROMËVE TË KOSOVËS (LPRK); 15. KOSOVSKI SAVEZ; 16. PARTIA BALLI KOMBËTAR DEMOKRAT SHQIPTAR (PBKDSH).
Koalicionet: 17. Koalicioni “Lëvizja VETËVENDOSJE!”, i përbërë nga 4 partitë politike: Lëvizja VETËVENDOSJE!, GUXO, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK). 18. Koalicioni “Koalicija VAKAT”, i përbërë nga 3 parti politike: Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB), Bošnjačka Stranka Kosova (BSK) dhe Demokratska Stranka Vatan (DSV); dhe 19. Koalicioni “PAI – PDAK – LPB”, i përbërë nga 3 parti politike: Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB)”; Iniciativat qytetare: 20. PSA; dhe 21. Iniciativa Qytetare për Kosovë.
Kandidat i pavarur: 22. NEDŹMIDIN SEJDILAR.
Kurteshi i VV-së kundër certifikimit të Listës Serbe
Në mbledhjen që është duke u mbajtur në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, është deklaruar kundër certifikimit të Listës Serbe.
“Jam kundër rekomandimit për certifikimin e Listës Srpska”, tha Kurteshi.
Nga ana tjetër, anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani, u shpreh se subjektet politike të regjistruara nuk kanë nevojë për vendim shtesë për t’u certifikuar.
“Unë konsideroj se, në bazë të ligjit dhe rregullores për certifikimin e subjekteve politike, ato që janë të regjistruara pranohen automatikisht dhe nuk ka nevojë për vendim të KQZ-së. Po ashtu kam një çështje tjetër që lidhet me subjektet politike që kanë qenë në koalicione; ato është dashur t’i kryejnë të gjitha obligimet dhe të drejtat që iu takojnë. Po flas për Nismën dhe AAK-në që kanë qenë parti të regjistruara”, tha Elshani.
Edhe anëtari tjetër i PDK-së, Ilir Gashi, theksoi se ligji e trajton qartë çështjen e certifikimit.
“Dua t’i parafrazoj kolegët, por po sfidohen rekomandimet e zyrës dhe kjo është në kundërshtim me dispozitat ligjore. Siç e thotë neni 16, pika 3, partitë e regjistruara janë automatikisht të certifikuara. Rrjedhimisht, për mua të gjitha subjektet politike janë të certifikuara. Do të doja ta përfillnit këtë ligj, ose të trajtohen subjektet një nga një”, u shpreh Gashi.
Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, sqaroi çështjen e partive që kanë qenë pjesë e koalicioneve.
“Lidhur me koalicionet, e kemi trajtuar qartë. Neni 19 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, paragrafi 5, thotë se subjekti politik që është anëtar i koalicionit pas përfundimit të mandatit e gëzon të drejtën e fituar para themelimit të koalicionit. E drejta e AAK-së para themelimit të koalicionit ka qenë se ka qenë subjekt parlamentar dhe, si e tillë, AAK përjashtohet nga pagesa e certifikimit dhe mbledhja e nënshkrimeve”, tha Buzhala./ EkonomiaOnline