Lokacioni për ndërtimin e objektit të ri për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare po kundërshtohet, pasi parashihet rrënimi i disa shtëpive të banimit të disa mjekëve, të cilët në vitet ‘80 i kishin përfituar ato. Një prej tyre, Rifat Bajrami thotë se nuk ka nevojë për objekt të ri, pasi ai aktual ka hapësirë të mjaftueshme
Familja e Rifat Bajramit nga Shtimja për 42 vjet ka jetuar në një shtëpi mbrapa objektit të QKMF-së në Shtime, të cilën në vitet ‘80 e kishte përfituar si mjek në bazë të ligjeve të asaj kohe.
Përfitues ishin edhe dy familje të tjera të doktorëve e në mesin e tyre edhe drejtori aktual i Shëndetësisë në Komunën e Shtimes, Isa Haxhiu.
Por, Komuna gjatë këtij viti po planifikon t’i rrënojë ato me qëllim të ndërtimit të një objekti të ri të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Projekti po kundërshtohet nga mjeku Bajrami me arsyetimin se para luftës shtëpinë e ka blerë sipas procedurave të ish-pushtetit.
Thotë se tash në mënyrë të kundërligjshme Komuna po synon t’ia rrënojë shtëpinë.
“Unë për vete e disponoj dokumentacionin në rregull, por edhe kolegët e tjerë mendoj se e kanë në rregull. Por ato gjëra i dinë më mirë ata. Mendoj se kanë hapësirë të mjaftueshme, por duan të bëjnë shpenzime, është objekti që e ka ndërtuar regjimi serb, ka hapësirë sa të duash”, tha Bajrami.
Ai ka thënë se edhe në debatin publik rreth kësaj çështjeje ka kërkuar nga Komuna që të mos iniciojnë procedura për ndërtimin e QKMF-së në këtë lokacion.
“Nuk është problemi për shpronësim, sepse unë nuk e kam qëllimin e shpronësimit apo te paratë. Sikur të ishte qëllimi te paratë kisha kërkuar një shifër, por qëllimi është tek e kaluara, tek emocionet, te kujtimet e ndryshme”, ka thënë ai.
Rreth kësaj çështjeje ka reaguar edhe opozita, duke akuzuar drejtorin e Shëndetësisë në Komunën e Shtimes, Isa Haxhiu, se ka interesa personale për të përfituar nga shpronësimi.
“Ndërtimi i objektit të ri të QKMF-së ka qenë projekt i iniciuar nga PDK-ja vitin e kaluar, mirëpo nuk është specifikuar lokacioni për shkak që të bëhet zgjidhje gjatë këtij viti. Tani kemi një qeverisje të re komunale dhe ajo duhet të ofrojë zgjidhje apo lokacionin për ndërtimin e këtij objekti. Ankesat e qytetarëve rreth këtij objekti ne do t’i përkrahim”, ka deklaruar Rrahman Jakupi, kryetar i PDK-së në Shtime.
Drejtori Haxhiu nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim ka thënë se edhe ish- qeverisja e PDK-së kishte planifikuar që objekti i ri i QKMF-së të ndërtohet në këtë lokacion, duke i rrënuar tri shtëpi të mjekëve.
“Problemi i lokacionit nuk është çështje që e kam ngritur unë, por është problem i ‘ideimit’ të qeverisjes së kaluar dhe që po del mjaft sfidues. Ka mbetur të diskutohet me Zyrën Ligjore dhe të shihet se çfarë mund të na sugjerojë ajo për këtë, në mënyrë që kjo të nxirret në Kuvend për miratim. Ashtu siç do të na sugjerojë Zyra Ligjore dhe si do të vendosë Kuvendi, ashtu edhe do të veproj unë si qytetar dhe jo si drejtor i DSHMS-së në Shtime. Unë jam për përfillje të interesit qytetar dhe jo të atij personal”, u shpreh Haxhiu.
Për ndërtimin e QKMF-së në Shtime, Komuna ka planifikuar të investojë rreth 300 mijë euro.