Arbëri

Kundër regjistrimit të mediave online e për transparencë në pronësi e financa

Vërejtje të shumta ndaj Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave janë dhënë në dëgjimin publik të mbajtur të hënën. Me këtë projektligj, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, rrezikohet mbyllja e mediave të vogla online, por edhe hapet dera për themelim të televizioneve nga partitë dhe bashkësitë fetare. E për përfaqësuesit e BE-së të rëndësishme janë respektimi i pavarësisë së KPM-së, procedura e shkarkimit të anëtarëve të saj dhe shkalla e dytë për ankesa

Shumë vërejtje për Projektligjin e Komisionit të Pavarur të Mediave janë dhënë nga organizata të ndryshme të shoqërisë civile, të hënën, në dëgjimin publik të thirrur nga Komisioni Parlamentar për Media. Një prej shqetësimeve të shprehura është detyrimi për regjistrimin e mediave online në KPM, e që sipas pjesëmarrësve mund të ndikojë në mbylljen e shumë portale.

Xhemajl Rexha, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, ka thënë se më të prekurat do të jenë portalet në gjuhët e komuniteteve joshumicë.

“Kjo do të çonte në shuarjen e shumë mediave të komuniteteve, jo vetëm në gjuhën serbe, por edhe në gjuhën rome”, ka theksuar Rexha.
Në takim u kërkua që ligji të rregullojë çështjen e pronësisë së mediave dhe transparencën e financimit të tyre. Ardita Zejnullahu, drejtoreshë ekzekutive në Asociacionin e Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës, ka kërkuar përfshirjen në detaje të çështjes së “koncentrimit” në këtë projektligj.
“E kam dëgjuar edhe zëvendëskryeministrin kur e ka prezantuar ligjin te komisioni juaj. Ai ka thënë që ky ligj rregullon pronësinë dhe koncentrimin e mediave. Nuk e rregullon faktikisht, sepse ju vetëm e keni lënë një nen aty, i cili vetëm ia lejon kompetencën KPM-së që me akt nënligjor ta rregullojë çështjen e pronësisë dhe koncentrimit”, tha Zejnullahu.
Ndërsa Kreshnik Gashi, redaktor dhe producent në BIRN, ka kërkuar nga Ministria e Financave të publikojë të hyrat e mediave.
“Duke u thirrur në faktin që mediat përfitojnë prej lirimit nga TVSH-ja (Tatimit mbi Vlerën e Shtuar) ne kemi ardhur me propozimin që mediat duhet t’i kenë transparente financat. Pra, ne duhet ta dimë si qytetarë të Republikës së Kosovës se kush po i paguan lajmet të cilat jemi duke i ndjekur, kush janë burimet e financimit. Për këtë arsye kemi ardhur me propozimin që ky ligj ta ndryshojë bazën e ligjit të financave dhe ta obligojë ministrinë e Financave që t’i bëjë transparente financat e tyre”, është shprehur Gashi.
Në diskutim është ngritur shqetësimi se Projektligji mund t’i hapë rrugë hapjes së mediumeve nga bashkësitë fetare dhe partitë.

Flutura Kusari, këshilltare në Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Mediave dhe pjesëtare e Forumit për Integritetin e Informacionit, tha se me projektligjin e ri hiqet neni që e kishte ligji paraprak ku ndalohet hapja e televizioneve dhe radiove të tilla në Kosovë.

“Një prej shqetësimeve kryesore tona është që nëse projektligji nuk ndryshon, atëherë partitë apo bashkësitë fetare të hapin televizione apo radio... Një gjë e tillë nënkupton se për një kohë të shkurtër do të kemi skenë mediale të mbushur me TVVV, TVPDK, TVLDK e TVAAK”, ka deklaruar Kusari.
Projektligji parasheh edhe shuarjen e Bordit të Ankesave të KPM-së që zgjidhet nga Kuvendi, duke e bërë emërimin e tij kompetencë të KPM-së. Kjo sipas deputetit nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, është në kundërshtim me parimin e dyshkallshmërisë.
“Nuk duhet të largohet dyshkallshmëria. Trajtimi i rasteve në KPM, në nivelin e shkallës së dytë, është jetik për funksionimin e këtij institucioni”, ka arsyetuar Tahiri.
Ndaj qëndrimit të Tahirit ka pasur reagim nga deputetët e partisë në pushtet - Vetëvendosje.

“Në ligjin e ri shumë mirë është menduar që edhe të sigurohet dyshkallshmëria... por jo të ketë një bord ose një komision që trajton vendimet e një organi kushtetutës siç është Komisioni i Mediave”, tha deputeti Besim Muzaqi.
E çështje të cilat duhet të sqarohen sipas përfaqësuesve të BE-së, janë shkarkimi i anëtarëve të KPM-së dhe shkalla e dytë për ankesa. Jarmo Feliks Helppikangas, shef i Seksionit Ligjor në Zyrën e BE-së në Kosovë, kërkoi që mbi të gjitha të respektohet pavarësia e KPM-së.
“Pavarësia e cila u përmend tashmë është me rëndësi për arsye të shumta dhe e gjithë ideja e kësaj direktive me të cilin ligji duhet të përshtatet është që të jetë e definuar se ai që është përgjegjës për rregullimin e kësaj fushe duhet të jetë me të vërtetë i tillë e jo vetëm i pavarur nominalisht. Për këtë arsye është me rëndësi që të vendosen në vend të tyre ato që: përfshijnë procedurën e përzgjedhjes, kualifikimet e kërkuara e edhe për shkarkimin - cilat janë arsyet dhe si dëshmohet kjo...”, tha ai.
Lidhur me projektligjin ka dalë me reagim të hënën edhe nga Forumi për Integritetin e Informacionit, mekanizëm joformal që ka për synim dialogun dhe reagimin lidhur me zhvillimet që ndërlidhen me integritetin e informacionit në Kosovë.
“Fillimisht ne jemi të shqetësuar që neni i cili ka garantuar përzgjedhjen e grave në përbërje të Komisionit është larguar në tërësi. Për pasojë ekziston rreziku që KPM të ketë në përbërje vetëm burra. Ne rekomandojmë që përbërja, mandatet, përzgjedhja e kryetarit dhe arsyet e shkarkimit të Komisionit të mbesin të njëjta siç janë të parapara me ligjin aktual. Po ashtu, projektligji parasheh që Bordi i Ankesave që aktualisht është trup i veçantë që zgjidhet nga Kuvendi, të shndërrohet në një këshill të ankesave përbërja e të cilit caktohet nga Komisioni. Një gjë e tillë është problematike pasi që ky këshill do të trajtojë ankesat e vetë anëtarëve të Komisionit që do t’i përzgjedhin”.

Përfaqësuesit e KPM-së kanë përkrahur idenë që portalet të regjistrohen si biznese me arsyetimin se ato u konkurrojnë televizioneve me videomateriale.

Më 1 shtator Këshilli i Mediave të Shkruara (KMSHK), Asociacioni i Gazetarëve (AGK) dhe organizatat evropiane të specializuara në fushën e mediave kanë kërkuar që Qeveria të tërhiqet nga Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave, në të cilin parashihet që mediat online të futen nën mbikëqyrjen e tij.