Dy vendime të Ministrisë së Punëve të Jashtme - njëri i nënshkruar nga ministrja Meliza Haradinaj, kurse tjetri nga sekretari Lulzim Morina janë shpallur të pavlefshme nga Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, e të cilat kanë të bëjnë me pezullimin e drejtorit të përgjithshëm, Albert Prenkaj. Kësisoj, Këshilli e ka detyruar Ministrinë që ta bëjë shqyrtimin e ankesës së Prenkajt dhe të gjitha pretendimet e mëvonshme që ndërlidhen me pezullimin e tij nga puna.
Ministrja Haradinaj kishte pezulluar nga detyra Prenkajn duke ia ndaluar edhe qasjen në objektin e Ministrisë, shkaku i pretendimeve për tri shkelje të rënda - refuzimi ndaj kërkesës së ministres për të marrë pjesë në një video-konferencë me shefa të misioneve të diplomatike; ushtrim presioni dhe dhunë fizike ndaj asistentes së ministres; dhe një status i Prenkajt në Facebook ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, që ndërlidhej me rrëzimin e teatrit në Tiranë.
Komisioni për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave në MPJD kishte refuzuar ta shqyrtonte lëndën e Prenkajt me arsyen se procedura është në mandatin e Qeverisë së Kosovës dhe se kjo çështje duhet të vendoset nga Këshilli për pozita të nivelit të lartë drejtues. Pas këtij refuzimi Prenkaj i është drejtuar me ankesë Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, i cili ka konstatuar se pozita e drejtorit të përgjithshëm nuk hyn në listën e pozitave të kategorisë së lartë drejtuese, “sepse kjo pozitë nuk është përgjegjëse për menaxhimin e përgjithshëm administrativ të institucioneve të administratës publike në shërbimin civil...”.
“Andaj kolegji vlerëson se Komisioni për Zgjedhjen e Kontesteve dhe Ankesave ka mandat për trajtimin e kësaj lënde, konform Rregullores nr. 05/2011 për Zgjedhjen e Kontesteve dhe Ankesave në Shërbimin Civil”, thuhet në vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.
Gazeta ka pyetur në MPJD për veprimet që do t’i ndërmarrin në lidhje me këtë rast, por ka munguar përgjigjja. Ndërkaq Prenkaj thotë ta ketë pranuar vendimin e Këshillit më 28 tetor dhe sipas ligjit MPJD-ja ka afat ta rishqyrtojë lëndën brenda 15 ditëve.
“Me shpalljen nul juridik të dy vendimeve, me automatizëm duhet të kthehem në pozitën e drejtorit të përgjithshëm deri në një vendim tjetër”, ka thënë Prenkaj. “Ajo që konsiderohet lëshim juridik nga KPMK është se pas shpalljes nul juridik të dy vendimeve të lartpërmendura tashmë nuk ekziston asnjë bazë iniciale juridike që lënda të ritrajtohet përsëri në Komisionin për Zgjidhjen e Kontesteve”.
Kundër vendimit të Këshillit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës mund të iniciojë konflikt administrativ në Gjykatën Themelore në Prishtinë - Departamenti për Çështje Administrative, brenda afatit 30 ditësh. Inicimi i konfliktit administrativ nuk e ndal ekzekutimin e këtij vendimi.
Shkeljet e pretenduara
Përplasjes së Haradinajt me drejtorin e përgjithshëm i kanë paraprirë disa zhvillime brenda këtij dikasteri.
Në vendimin e ministres Haradinaj, i nxjerrë në korrik të këtij viti, jepen arsyet që çuan në pezullimin e drejtorit të përgjithshëm. Dyshimet janë për shkelje të rënda dhe shkelje të detyrave të punës.
“Shkelja e detyrave të punës që kanë pasoja për organin shtetëror, sipas nenit 6 (1.10) të Rregullores nr. 04/2011 për procedurat disiplinore në shërbimin civil. Ushtrimi i presionit psikik te personat e tjerë brenda institucionit, sipas nenit 6 (1.5) të Rregullores nr. 04/2011 për procedurat disiplinore në shërbimin civil. Shkelja e detyrave të punës që kanë pasoja për organin shtetëror, sipas nenit 6 (1.10) të Rregullores nr. 04/2011 për procedurat disiplinore në shërbimin civil”, janë tri shkeljet që i përshkruhen Prenkajt.
Shtjellim iu bëhet dy shkeljeve të para të pretenduara.
“Shkelja e rëndë e z. Prenkaj konsiston tek mosbindja (refuzimi i heshtur) i tij ndaj kërkesës së ministres së MPJ-së që ashtu siç është paraparë, të merrte pjesë në video-konferencën me shefa të misioneve diplomatike të zhvilluar më datë 10.6.2020, të cilën edhe ishte planifikuar që ta udhëhiqte në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm, duke pasur parasysh edhe faktin se koordinimi i misioneve diplomatike me MPJD-në është detyrë themelore e tij”, thuhet në vendim.
Përveç shkresave zyrtare, ministrja ka thënë ta ketë kontaktuar Prenkajn edhe personalisht për pjesëmarrje në konferencë.
“Me gjithë thirrjet e vazhdueshme telefonike (3 herë) nga ana e ministres, ai nuk është përgjigjur për ta udhëhequr video-konferencën të cilën pra ishte planifikuar ta drejtonte, ashtu siç ishte njoftuar në e-mailat paraprakë. Madje për këtë veprim ai nuk e kishte lajmëruar paraprakisht ministren e MPJD-së, si mbikëqyrëse të drejtpërdrejtë të tij, por këtë njoftim e kishte bërë përmes asistentes së tij, mënyrë kjo e papranueshme e komunikimit me eprorin e drejtpërdrejtë”, shkruan në vendim.
Versioni i Prenkajt
Por pretendimet e ministres në lidhje me këtë pikë Prenkaj i quan të pabaza. Neni i ligjit që flet për pezullimin e nëpunësit civil tregon rrethanat në të cilat ai mbahet në arrest në pritje të gjykimit, kur prania e nëpunësit civil në zyrë mund të pengojë hetimet. Në rast të pezullimit parandalues, nëpunësi civil do të marrë 50% të rrogës gjatë tërë kohëzgjatjes së pezullimit, deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata. “Pra shkeljet ligjore në këtë vendim janë enorme, të natyrës ligjore, që kërkojnë zhdëmtim për shpifje e fyerje, meqenëse nuk kam qenë subjekt i trajtimeve ligjore nga neni 69 i këtij ligji. Pra, nuk ka pasur dhe nuk ka të iniciuar procedurë penale, nuk kam qenë në arrest në pritje të procedurës së gjykimit, dhe prania ime nuk do të pengonte procedurën e gjykimit, pasi që nuk ka pasur një të tillë. Prandaj pezullimi parandalues, i cili gjatë kohëzgjatjes së pezullimit, i cili mundëson marrjen e rrogës 50%, është shkelje e radhës ligjore dhe pretendim tendencioz”, ka theksuar Prenkaj.
Sa i përket video-konferencës, ai ka shtuar se nuk ka mundur ta udhëhiqte për shkak të problemeve shëndetësore.
“Më 10 qershor 2020 kam arritur në MPJD nga Peja (prej nga udhëtoj çdo ditë) me kokëdhembje/migrenë, me ç‘rast e kam lajmëruar zëvendësdrejtorin e përgjithshëm, z. Astrit Zemaj, se nuk do të jem në gjendje të marr pjesë në video-konferencën e caktuar nga ministrja Haradinaj-Stublla, me ambasadorët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Prenkaj. “Në gjendjen shëndetësore, të cilën e shkakton sulmi migrenoz, është e pamundur që të ketë ndonjë komunikim çfarëdo qoftë ai, telefonik apo ndonjë tjetër. Në aparatin telefonik nuk është shënuar ndonjë thirrje e humbur, për të cilën pretendohet në argumentimet e vendimit në fjalë”.
Për të gjitha këto Prenkaj ka thënë se posedon raportin mjekësor dhe ato i ka deponuar edhe në ankesën e tij drejtuar Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit Civilë.
Prenkaj e ka sqaruar edhe situatën, për të cilën ministrja Haradinaj pretendon se ka pasur presion dhe dhunë ndaj asistentes së saj.
Ai ka thënë se ishte ftuar nga ushtruesi i detyrës së sekretarit të përgjithshëm, Skënder Durmishi, për konsultime në lidhje me riakomodimin e ambasadorit Sabri Kiçmari në Ministri, pasi që kërkesa e tij për kthim në MPJD, meqë e kishte ngrirë pozitën e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm për të kandiduar për zgjedhjet e përgjithshme, tashmë ishte dërguar me shkrim nga ana e Kiçmarit. Për të marrë qartësi për veprim, ambasadori Prenkaj ka shkuar në kabinet për ta takuar ministren Haradinaj-Stublla. Ai thotë të ketë kërkuar nga asistentja e ministres, Aldisa Morina, që ta takojë Haradinajn vetëm për dy minuta.
“Qëllimi ishte për të marrë udhëzim për veprim për Kiçmarin, si dhe për ta informuar ministren se nuk ndihej mirë me shëndet dhe të largohem për të marrë intervenimin mjekësor të nevojshëm”, ka thënë Prenkaj. Meqë asistentja ka refuzuar ta lejojë takimin, Prenkaj ka thënë se drejtorit të përgjithshëm dhe ambasadorit të shtetit duhet lejuar që të ketë qasje tek ministrja.
“Pretendimet se është ushtruar dhunë fizike apo presion psikik ndaj pjesëtares së stafit administrativ të ministres janë: insinuata, shpifje pa precedent dhe gënjeshtër tipike. Në kodin tim etik, moral, profesional nuk ka vend, për asnjë nga pretendimet e shtruara në vendim. Pra, nuk ekziston assesi një situatë e tillë që është tentuar të përshkruhet në kuazi-vendimin e Ministrisë. Për më tepër, në ditën e komunikimit për të cilin shpifet, znj. Morina, asistente e ministres Haradinaj-Stublla, nuk ka qenë në marrëdhënie pune - pra ka qenë pa kontratë”, ka theksuar Prenkaj.
Gazeta ka provuar të marrë një qëndrim nga asistentja Aldisa Morina, por nuk është përgjigjur.
Statusi kundër Ramës, “lexim intelektual”
Sa i përket pretendimit për shkeljen që i referohet deklaratës ndaj kryeministrit të Shqipërisë, Rama, ku “thuhet se ka dëmtuar imazhin e Republikës së Kosovës në raport me shtetin shqiptar”, sipas Prenkajt, është e paqëndrueshme.
“Postimi në Facebook i bërë në korrik ka të bëjë me shembjen e Teatrit në Tiranë.
“Mendësia e shlyerjes së një periudhe historike me prirje ideologjike apo të interesit material tejkalohet duke imponuar egon politike. Tipa të tillë autokratë ka njohur historia”, kishte shkruar mes tjerash Prenkaj.
Ai thotë se për këtë i ka ofruar shpjegim kabinetit të kaluar Konjufca, nga i cili është kërkuar të reagohet, meqë postimi në Facebook nuk ka të bëjë me detyrën e drejtorit të përgjithshëm.
intelektual i ambasadorit Prenkaj për rastin e Teatrit në Tiranë nuk ka të bëjë me politikën ditore në Tiranë, ndonjë aktor politik apo me ide të nxjerra nga nivelet më të larta qeverisëse në këtë temë, por është përpjekje për të dhënë shembuj historikë krahasimorë, siç është rasti me Romën e kohës së perandorit Neron (vitet 54-68 të erës sonë), rasti i shkatërrimit të Bibliotekës së Aleksandrisë (vitet 48, 391 dhe 415 të erës sonë), apo rasti i Bibliotekës (rreth vitit 1037) në Isfahan të Persisë, të dijetarit Ib Sina (apo Avicena, siç njihet në boten perëndimore)”, thuhet në arsyetimin e Prenkajt. “Në postim nuk përmenden emra të përveçëm të politikës zyrtare të Tiranës apo ndonjë vendi tjetër”.
Sipas Prenkajt, deri më sot nuk ka pasur reagime zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë drejtuar MPJD-së në Kosovë.
{gallery}