Arbëri

Kthehen reduktimet, KEDS-i thotë se ka mbingarkesë në sistem

KEDS-i ka bërë të ditur se në 24 orët e ardhshme do të ketë reduktime të energjisë elektrike nga dy orë për të gjithë konsumatorët. Sipas një njoftimi, shkak janë ngarkesat në sistemin energjetik. Ndërkohë, Partia Socialdemokrate ka mbajtur një aksion simbolik para kësaj ndërmarrjeje, duke kundërshtuar ndarjen e 20 milionëve nga Qeveria për KEK-un për blerjen e energjisë

Ndarja e 20 milionë eurove nga Qeveria nuk ka shmangur reduktimet e energjisë elektrike. Të enjten KEDS-i ka paralajmëruar se do të ketë ndërprerje për rreth dy orë, që do të prekin të gjithë konsumatorët.

Reduktimet do të bëhen në kohë të ndryshme, me përjashtim të atyre emergjente.

Këto reduktime, sipas KEDS-it, do të jenë për shkak të mbingarkesës së sistemit elektroenergjetik në vend ditëve të fundit.

“Gjatë ditëve të fundit sistemi elektroenergjetik i vendit është mbingarkuar tej mase. Të njëjtën kohë, duke u ballafaquar me krizën më të rëndë elektroenergjetike botërore, operatori i tregut- KOSTT, duke u bazuar në ligjet në fuqi, ka udhëzuar që të fillohet me kufizime të energjisë elektrike”, thuhet në një përgjigje të KEDS-it.

Për ditët në vazhdim kanë thënë se presin udhëzime nga KOSTT-i.

Qytetarët ankohen që reduktimet do t’ua rëndojnë edhe më shumë jetën e tyre.

“Këto janë të vështira, pas 20 vjet nga çlirimi. Por këtu është planifikimi, nuk është bërë me kohë. Se që 20 vjet ne flemë mbi qymyr, kemi mundur të kemi rrymë edhe për të tjerët, por planifikimi është bërë pa vend, padijshëm dhe kështu duhet të durojmë edhe ne”, ka thënë Zymer Maxharri.

“Jetën e vështirësojnë për të gjithë qytetarët, pasi tash kohë dimri, dikush ngrohet me rrymë, në tona mënyrat e vështirësojnë”, ka thënë Fatmir Sopi.

“Qeverisë nuk mundemi me iu përzi, por duhet me gjet ndonjë rrugëdalje për me e rregullua”, është shprehur Xhemajl Bajrami.

Ndërkohë, nëpërmjet një aksioni simbolik, Partia Socialdemokrate ka kundërshtuar ndarjen e 20 milionë eurove për KEK-un për blerje të energjisë.

“Kjo(qeveri) sot ka bërë një krim të radhës shumë të fuqishëm, madje nga përmasat ndoshta edhe më të mëdha se ai i mëparshmi, për shkak se ka bërë dy veprime, së pari e ka legjitimuar krimin e parë duke e financiar atë dhe së dyti duke i detyruar qytetarët e Republikës së Kosovës të paguajnë dy herë për energjinë e njëjtë. Pra, siç e dini, Qeveria e Kosovës ka nxjerrë një vendim, që do të ndajë 20 milionë euro për KEK-un, i cili do të blejë rrymë, do t’ia shesë KESCO-s, e KESCO do t’ia shesë KEDS-it, dhe siç e dini çmimi që blihet nga KESCO në KEK është rreth 30 euro për megavat dhe e shesin diku rreth 80”, ka deklaruar Dardan Molliqaj, kryetar i PSD-së.

Sipas tij, qytetarët do ta paguajnë dy herë këtë energji, një herë përmes taksave e tjetrën përmes faturave.

Ekzekutivi të premten ka ndarë 20 milionë euro për KEK-un për import të energjisë, pas rritjes së çmimit në bursa shkaku i krizës energjetike.

Kjo mund të ndikojë që të mos ketë rritje të papërballueshme të çmimit të energjisë elektrike. Por që nuk garanton mosrritjen e çmimit.