Arbëri

Kryhen testime tek Ura e Ibrit, shteti nuk e di se nga kush

Ura e Ibrit

Kamionë e mjete të ndryshme dhe instrumente për matje gjeodezike janë parë mbi Urën e Ibrit në Mitrovicë të martën. E përderisa po kryhen këto testime, Qeveria në detyrë ka thënë se nuk është e informuar se kush po i kryen ato.

Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka thënë se Ministria i ka kryer testimet vitin e kaluar e se për testimet e sotme nuk janë të informuar se nga kush po kryhen.

“Ne si ministri i kemi përfunduar testimet vitin e kaluar dhe e kemi pranuar raportin përfundimtar që ura është stabile për kalimin e të gjitha ngarkesave mbi urë. Ne nuk jemi duke bërë kurrfarë testime dhe nuk jemi të informuar kush po bën testime në urë”, ka thënë për KOHËN në mëngjesin e së martës Durmishi.

Ura e Ibrit

KOHA ka dërguar pyetje në adresë edhe të Bashkimit Evropian, por deri tash nuk ka marrë përgjigje.

Ura mbi Ibër është e hapur vetëm për këmbësorë. Mbi këtë urë qëndrojnë forcat italiane të KFOR-it. Vitin e kaluar, Qeveria njoftoi se planifikon ta hapë dhe menjëherë pati reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

BE-ja pati thënë se çështja e hapjes së kësaj ure duhet të jetë temë e dialogut Kosovë-Serbi.

E ditë më parë, Lëvizja Vetëvendosje publikoi fotografi se si do të dukeshin këto dy ura. Ato dukeshin në të dy anët e urës kryesore. Fotografia ishte publikuar pasi ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, njoftoi se bashkë me komunat e Mitrovicës në jug dhe në veri, Ministria ka arritur memorandum bashkëpunimi për mbështetje të projekteve infrastrukturore – e si projekt i përbashkët përmendi ndërtimin e dy urave.