Kryetari i Zveçanit dhe ai i Zubin-Potokut, që vijnë nga radhët e PDK-së, janë shprehur të gatshëm të japin dorëheqje nga pozitat e tyre po qe se u ofrohet një marrëveshje politike nga ana e Qeverisë. Edhe pse ekzekutivi është pajtuar me organizimin e zgjedhjeve të reja, ata thonë se askush nuk i ka kontaktuar për t’i dhënë zgjidhje situatës. E drejtuesit e PDK-së në qendër nuk janë deklaruar ende nëse mbështesin opsionin e dorëheqjeve
Dy kryetarët e komunave veriore nga radhët e PDK-së po kërkojnë nga kryeministri Albin Kurti që t’u ofrojë marrëveshje politike për dorëheqje, e cila do ta përshpejtonte procesin e organizimit të zgjedhjeve të reja në veri.
Ndonëse partia së cilës i takon nuk ka marrë ende vendim se si duhet të veprohet, kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, thotë se zgjidhja më e mirë është dorëheqja.
“Nuk kemi ndonjë vendim të prerë të themi ashtu. Mirëpo, unë jam deklaruar edhe më parë, më mirë kishte me qenë marrëveshje politike dhe dorëheqje vullnetare e kryetarëve sesa shkarkimet për mendimin tim”, ka thënë për Kohën, Zeqiri.
Mendim të njëjtë ndan edhe kryetari i Zveçanit, Ilir Peci. Por ai thotë se nuk do të marrë vendim për dorëheqje pa ofertë politike nga Qeveria e pa dakordim me PDK-në.
“Do të ishte më e favorshme që të kemi takim me kryeministrin e Republikës së Kosovës dhe përfundimisht të marrim një vendim aty për aty. Jam i gatshëm që të ulem me këdoqoftë të bisedoj për arritjen e një mirëkuptimi për dorëheqje. Mirëpo, për momentin është ende herët për të marrë një vendim të tillë kur nuk të ofrohet asnjë marrëveshje”, ka thënë Peci.
KOHA ka provuar të kontaktojë me Kryesinë e Partisë Demokratike për t’i pyetur nëse janë në linjë me vullnetin e dy kryetarëve të tyre, por nuk kanë marrë përgjigje.
E kryeministri Albin Kurti po insiston në largimin e kryetarëve nëpërmjet peticionit.
Sipas dakordimit me BE-në, shtensionimi i plotë i situatës në veri do të bëhej me shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Për gatishmërinë e përshpejtimit të këtij procesi me dorëheqje të kryetarëve, KOHA ka dërguar pyetje në Lëvizjen Vetëvendosje dhe ka kontaktuar dy kryetarët e komunave nga kjo parti, por ata kanë qenë të paqasshëm.
Për analistët politikë, dorëheqjet e kryetarëve do të çonin më shpejt në zgjedhje të reja e në zgjidhje të situatës në veri.
Njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku, thotë se Qeveria nuk e ka marrë seriozisht përmbushjen e plotë të kërkesave të BE-së.
“Qeveria e Kosovës ka gjetur një rrugë tjetër, e cila është më tepër rrugë që vazhdon status quon dhe blen kohë dhe gjuan fajin më tepër te serbët e veriut. Natyrisht që heq përgjegjësin nga vetja dhe pamundëson që të kemi shumë shpejt zgjedhje... I ka tërhequr dy herë kah 25 për qind të Policisë së Kosovës, por nuk i ka kryer ato detyrat kryesore, siç është shkuarja e shpejtë në zgjedhje dhe jo përmes një udhëzimi administrativ, pasi që dihet se ligji për vetëqeverisje lokale është shumë i qartë në këtë drejtim”, ka thënë Sadiku.
Për shtensionimin e situatës në veri, mbajtja e zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok është një nga zotimet që Kosova ka bërë në kuadër të dakordimit të arritur në Bratislavë.