Arbëri

Kryesuesi i KGJK-së fton Prokurorinë të hetojë gjendjen me temperatura në Pallatin e Drejtësisë

gjykata

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj në takimin e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, të hënën, kërkoi nga Prokuroria që të fillojë hetimet lidhur me gjendjen me temperatura në Pallatin e Drejtësisë, duke paralajmëruar njëkohësisht ndërprerje të punës.

“Në këtë rast, kisha dashtë me bë një thirrje publike për auditorin e jashtëm të vendit, që të ketë në fokus përgjegjësinë që ka Ministria dhe fondet që duhet të ndahen dhe si janë menaxhuar ato për mirëmbajtje të Pallatit të Drejtësisë. Por, të ftohet edhe Prokuroria që të hetojë sepse ka elemente të veprës penale kur qëllimshëm pengohen, ka elemente të keqpërdorimit të detyrës në raport me përgjegjësinë që kanë zyrtarët pa përjashtuar nivelet deri te ato më të larta”, tha Zogaj.

Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Gjykata Supreme, kanë vendosur të reduktojnë punën për shkak të temperaturave të larta, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Kryesuesi Zogaj nuk e përjashtoi mundësinë e ndalimit të punës edhe për raste emergjente.

“Po paralajmëroj në mënyrë publike që situatës t’i përgjigjemi me veprime krejtësisht adekuate sipas situatës dhe nuk e përjashtoj që të ndalohet puna edhe për situata emergjente”, tha Zogaj.

Paraprakisht, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, tha se tashmë ka marrë vendim që pas orës 12:00 punëtorët që kanë probleme shëndetësore të shkojnë në shtëpi për shkak të temperaturave të larta nëpër zyra.

Në anën tjetër, drejtori i Sekretariatit të KGJK-së, Shkelzen Maliqi, tha se gjendja është e njëjtë tash e një kohë të gjatë dhe se edhe përkundër shkresave që ka dërguar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, nuk ka përmirësim të gjendjes.

Në anën tjetër, kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Albina Shabani-Rama, tha se e ka të pamundur që të vendosë për mbyllje të Gjykatës, pasi që ka raste emergjente. Kërkoi në të njëjtën kohë që të shihet mundësia e vendosjes së klimave nga vetë Këshilli në salla dhe pastaj zyra të gjyqtarëve.

Mirëpo, Maliqi tha se për shkak të strukturës së ndërtimit që ka Pallati i Drejtësisë, është e pamundur vendosja e klimatizimit nëpër zyrat e gjyqtarëve.

Problematikë tjetër, përveç temperaturave, kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, tha se është edhe mungesa e ujit në këtë gjykatë, ku janë të vendosur në katin e katërt.

Gjendje e njëjtë lidhur me temperaturat e larta, nënkryetarja e Gjykatës së Apelit, Kadrije Gogaj-Lubishtani tha se mbizotëron edhe në pjesën ku është e vendosur kjo Gjykatë. /BetimipërDrejtësi