Qeveria e shkarkoi të mërkurën kryesuesin e Bordit të “Trainkosit”, Nol Dedaj, dhe emëroi një Bord të përkohshëm. Si arsye për shkarkimin e tij, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e dha vonesën e Bordit të drejtorëve për të kërkuar përgjegjësi nga menaxhmenti rreth rënies së performancës. Por Dedaj e kualifikoi të paqëndrueshëm këtë arsyetim tek shtoi se shkarkimi i tij u bë pasi nuk e nënshkroi shkarkimin e kryeshefit të ndërmarrjes, Gelor Shala
Me justifikimin e shkeljes së detyrave dhe mospërmbushjes së përgjegjësive të parapara me kod të etikës dhe të qeverisjes së korporatave, kabineti qeveritar e shkarkoi të mërkurën kryesuesin e Bordit të “Trainkosit”, Nol Dedaj.
Tek e arsyetoi vendimin, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se Bordi i drejtorëve është vonuar në kërkimin e përgjegjësive nga menaxhmenti për rënien e performancës.
“Tre anëtarë të Bordit kanë dhënë dorëheqje, pasi kanë njoftuar aksionarin se nuk mund t’i plotësojnë detyrat, për shkak të mospajtimeve me kryesuesin për organizimin e punës dhe pamundësimin e vendimeve për ndërmarrjen. Dy anëtarë kishin dhënë dorëheqje për arsye personale dhe kryesuesi ka mbetur i vetmi anëtar i Bordit. Këto rrethana japin arsye se kryesuesi ka shkelur detyrat fudiciare dhe nuk ka përmbushur detyrat e parapara me kodin e etikës dhe qeverisjes së korporatave”, ka thënë Rizvanolli.
Por Dedaj e kualifikoi të paqëndrueshëm këtë arsyetim. Ai tha se shkarkimi i tij ka ndodhur pasi nuk e nënshkroi vendimin e shkarkimit të kryeshefit të ndërmarrjes.
“Unë jam i shkarkuar pasi nuk kam nënshkruar vendimin e shkarkimit të kryeshefit ekzekutiv dhe vendimin e shkarkimit e ka përgatitur pikërisht Riza Spanca, i cili ka qenë udhëheqës i Komisionit për Auditim dhe të dhënat që janë në vendim të shkarkimit nuk janë të sakta, edhe për shkelje që gjoja janë bërë në 2015, 2017, 2018, kur Spanca dhe unë s’kemi pasur kompetenca fare për atë kohë”, ka thënë Dedaj.
Dedaj theksoi se detyrën e ka marrë në shtator të 2022-s dhe se nuk ka mundur të ndërmarrë masa për diçka që mund të ketë ndodhur para ardhjes së tij.
“Unë nuk kam pasur absolutisht asnjë të dhënë për shkarkim të kryeshefit ekzekutiv. Nuk kam pranuar që unë të jem pjesë e shkarkimit për të bëmat jashtë shtatorit 2022”, ka thënë Dedaj.
Pas shkarkimit të kryesuesit, Qeveria emëroi një Bord të përkohshëm me mandat jo më të gjatë se gjashtë muaj.
Kryesues i Bordit u caktua Riza Spanca, ndërsa anëtarë: Astrit Mehaj, Hasan Preteni dhe Shaban Neziri.
KOHA pati raportuar ditë më parë për shkarkimin e kryeshefit të kësaj ndërmarrjeje, Gelor Shala. Në arsyetimin e vendimit thuhej se shkarkimi i Shalës është bërë për mungesë të performancës dhe të rezultatit financiar negativ ndër vite, bazuar në raportet vjetore dhe pasqyrat financiare.