Mungesa e kuorumit u bë shkak që të hënën të dështojë mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. Mosprania e kryetarit dhe e dy nënkryetarëve pamundësoi po ashtu edhe caktimin e seancës së re plenare. Dukuria e mungesë së kuorumit në Kryesi e në seanca është kritikuar nga Komisioni Evropian në Raportin e Progresit për Kosovën
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës të premten dështoi për shkak të mungesës së kuorumit. Ndonëse të pranishëm ishin të gjithë shefat e grupeve parlamentare, në të nuk morën pjesë nënkryetarët e Kuvendit, pjesëmarrja dhe vota e të cilëve është e nevojshme për mbarëvajtjen e mbledhjes e për caktimin e seancave të reja.
Nga 6 anëtarët e kryesisë, vetëm tre ishin prezentë, meqë aty mungoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, nënkryetari nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj dhe ai nga radhët e Listës Serbe, Slavko Simiq.
Mungesa e kuorumit në Kuvend është shndërruar në problem kronik, të cilin e ka adresuar në Raportin e progresit edhe Komisioni Evropian.
Si shkak i kësaj u kritikua pushteti për keqmenaxhimin me agjendën legjislative.
“Unë e kam adresuar këtë si problem dhe vetëkritikë edhe për grupin tonë parlamentar dhe natyrisht edhe angazhimin tonë që në të ardhmen të mos na përsëriten rrethana të tilla. Një prej formave që jemi dakorduar të adresojmë është që seanca të mbajmë në ditë të caktuara, ditën e enjte kur parashihet gjithmonë që të jetë seanca plenare, në mënyrë që në ditët e tjera kur zakonisht ka ose komisione ose udhëtime që lidhen me punën dhe angazhimin e deputetëve në kuadër të Kuvendit të Kosovës të mos krijohen situata ku paraqitet mungesa e kuorumit”, ka thënë shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.
Për mosmiratim të legjislacionit të Komisionit Evropian ajo e fajësoi edhe opozitën për mospjesëmarrje në votim.
Mirëpo, kjo kritikë nuk u pranua lehtë nga AAK-ja.
“Mungesa e kuorumit, grumbullimi i seancave nuk është problem i joni, është problem i partisë që udhëheq. Normal, mospjesëmarrja në votim për disa tema është instrument politik”, u shpreh Besnik Tahiri i AAK-së.
Në rregulloren e Kuvendit të Kosovës thuhet se deputeti u shërben interesave të Republikës së Kosovës.