Drejtori Ekzekutiv i Zyrës për Regjistrimin e Partive dhe Certifikim, Yll Buleshkaj, u ka dërguar letër kryetares së KQZ-së, Valdete Dakës dhe anëtarëve të tjerë lidhur me zhvillimet e fundit për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë.
Buleshkaj ka deklaruar se gjuha e përdorur nga anëtari i KQZ-së nga PDK-ja, Arianit Elshani, dhe e lejuar nga kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka, nuk kishte të bënte asgjë më rendin e ditës. Ai ka shkruar se fjalër e përdorura nga Elshani, ia cenojnë personalitetin dhe sigurinë fizike.
“Gjuha e përdorur nga z. Elshani dhe e lejuar nga ju, nuk ka pasur asgjë te bej me rendin e ditës i cili ka qenë në shqyrtim e edhe më pak me të vërtetën. Fjalët ‘kërcënuar’, ‘shantazhuar’,’rryshfet’, ‘atentat’ ‘shërbimin armiqve te Kosovës’ janë përzgjedhur me kujdes nga z. Elshani për të sulmuar personalitetin tim. Kjo përpjekje e pashembullt për denigrim publik dhe luajtje e rolit te gjyqtarit suprem, ka shkaktuar reagime të pahijshme ndaj meje dhe që shkojnë deri ne kërcënime kapitale nga militant të subjektit politik që përfaqëson z. Elshani, qofshin ato në rrjete sociale ose në mesazhe”, thuhet në letrën e Buleshkajt.
Buleshkaj ka thënë se thirrjet e zyrtarit të KQZ-së nga PDK-ja kanë rrezikuar sigurinë e tij fizike.
Thirrjet e Elshanit para më shumë se 10 kamerave që kanë transmetuar drejtpërdrejtë kanë rrezikuar edhe sigurinë time fizike përveç përpjekjes për të personalizuar çështjen e certifikimit apo moscertifikimit me mua si individ. Për rikujtim, sipas rregullores së punës Kryetarja është përgjegjëse për mbarëvajtjen e mbledhjeve të Komisionit dhe respektimin e plotë të rregullores nga ana e pjesëmarrësve. E në rast të kundërt, Kryetarja duhet t’ia tërheqë vërejtjen dhe, nëse është e nevojshme mund ta përjashtojë nga pjesëmarrja ne mbledhje. Ndërsa dje edhe pse z. Elshani ka thyer kodin etik dhe Rregulloren e Punës atij as nuk iu ka jep ndonjë vërejtje e as nuk është përjashtuar”, ka thënë tutje Drejtori Ekzekutiv i Zyrës për Regjistrimin e Partive dhe Certifikim.
Buleshkaj ka deklaruar tutje se nga gjuha e Elshanit ndihet e shqetësuar familja e tij derisa ka kërkuar që të tërhiqet nga thirrjet e djeshme. Ai ka bërë me dije se në të kundërtën, do i drejtohet organeve të rendit.