Arbëri

Kryeshefi i Trafikut Urban: Ndërmarrja operon me fitim – problem, borxhi nga komuna

Komuna e Prishtinës ia ka borxh 2.7 milionë euro Trafikut Urban, ka thënë kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje Qëndrim Vitija. Ai ka deklaruar se shumica e të hyrave të ndërmarrjes vijnë nga një marrëveshje me komunën

Ushtruesi i Detyrës së Kryeshefit të “Trafikut Urban”, Qëndrim Vitija ka thënë se ndërmarrja përgjatë 9 muajve të këtij viti ka bilanc pozitiv financiar.

Megjithatë, punëtorët të martën protestuan për të dytën ditë me radhë, për shkak se, siç thanë, nuk i kanë marrë pagat qe shtatë muaj. 

Trafiku Urban të hyrat i gjeneron në dy mënyra. Përmes një Marrëveshje për Shërbime Publike që ka me Komunën e Prishtinës, ku kompensohet për kilometrat e kaluara gjatë bartjes së udhëtarëve, e gjithashtu arkëton mjete edhe nga shitja e biletave.

Kryeshefi Vitija ka shpjeguar formulën e subvencionimit nga komuna. 

“Nëse Trafiku Urban i kalon 100 mijë kilometra, shembull është dhe paguhet përafërsisht 2.5 euro për kilometër, ne ia faturojmë komunës 250 mijë euro. Në këtë rast në një muaj respektiv ne i marrim 100 mijë euro të hyra nga biletat. Ne në faturë e zbresim këtë vlerë dhe e faturojmë komunën vetëm 150 mijë euro”, ka thënë Vitija.

Kjo formulë subvencionimi vlen edhe për operatorët privat që kryejnë shërbime të bartjes së udhëtarëve në kryeqytet. 

Vitija tha se nga janari në tetor ndërmarrja ka të hyra 7,370,734 euro ndërsa shpenzime 7,089,610 euro. Bazuar në këtë, ajo ka bilanc pozitiv duke e llogaritur edhe borxhin prej 2.7 milionë euro që tha se komuna ia ka ndërmarrjes.

Raporti Vjetor i aktiviteteve të “Trafikut Urban” tregon se vitin e kaluar ndërmarrja pati 4.5 milionë euro të hyra nga Komuna, përmes marrëveshjes, 4.2 milionë euro nga shitja e biletave dhe 210 mijë euro të hyra të tjera. Gjithsej kjo ndërmarrje arkëtoi rreth 9 milionë euro, ndërsa shpenzoi 8.2 milionë euro.

Nga tetori, muaj kur u organizuan zgjedhjet lokale, përmes një vendimi kryetari Përparim Rama liroi nga pagesa për biletë punonjësit shëndetësorë të institucioneve të kryeqytetit, stafin arsimor dhe ata të administratës së kryeqytetit. Gjithashtu nga pagesa u liruan nxënësit dhe studentët. 

Vitija tha se këto vendime nuk kanë pasur ndikim në performancën financiare të ndërmarrjes. 

“Realisht vendimi për lirim nga pagesa nuk ndikon në performancën financiare as të Trafikut Urban e as të operatorëve privatë, sepse e hyra kryesore edhe për Trafikun Urban edhe nga operatorët privatë është e hyra nga kontrata për shërbime publike që e ka Trafiku Urban edhe operatorët privatë me Komunën e Prishtinës”, ka thënë ai.

Në tetor u shtuan edhe linjat e shërbimit për bartjen e udhëtarëve. Por Vitija tha se krijim i linjave të reja është bërë me kontrata me kompanitë private.

Komuna e Prishtinës, ashtu si ajo e Gjilanit dhe Zubin-Potokut, ka mbetur me llogaritë e bllokuara, pasi buxhetet për vitin 2025 nuk janë miratuar me kohë në kuvendet komunale, ndërsa shkaku i ngërçit në Kuvend, ato nuk janë përfshirë në buxhetin e shtetit. Për këtë arsye, komuna nuk ka qasje në mjete dhe nuk mund të kryejë pagesa, përfshirë obligimet ndaj ndërmarrjeve publike.