Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kriza institucionale pas dorëheqjes së Thaçit, Qeveria rrëzohet nëse dështon ta zgjedhë presidentin

Kosova pritet të futet në krizë institucionale pas dorëheqjes së Thaçit nga posti i presidentit. Qeveria, e cila prej themelimit funksionon duke mos e pasur shumicën në Kuvend, tani mund të rrëzohet në rast se nuk mbërrin ta sigurojë shumicën prej së paku 80 votash në Kuvend për ta zgjedhur kreun e shtetit. Në dy rundet e para kërkohen 80 vota, ndërsa në të tretin 61 vota, me kushtin që 80 deputetë të marrin pjesë në votim. Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President, sipas Kushtetutës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë ditësh.

Mbështetur në aktin më të lartë juridik, ushtruese e detyrës së presidentit për gjashtë muaj tani do të jetë Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, me të cilën presidenti Thaçi ka pasur përplasjet më të mëdha.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Osmanit edhe zyrtarisht i është dorëzuar detyra nga këshilltari i Thaçit, Ardian Arifaj.

Ceremonia e pranim- dorëzimit është bërë në prezencën e stafit të Presidencës dhe kryetares së Kuvendit.

Shenjat e dukshme të Gjykatës Speciale kur nisi arrestimet e para, bënë që partneri kryesor në qeveri- Lidhja Demokratike edhe zyrtarisht t’i heqë vijat e kuqe për të gjitha subjektet, përfshirë Partinë Demokratike, e cila është në opozitë.

Një burim i afërt me zhvillimet i ka thënë “Kohës” se partnerët e koalicionit do të tentojnë t’i shmangin zgjedhjet e parakohshme, duke e zgjeruar koalicionin me PDK-në. Në bisedat e mëhershme joformale është diskutuar që PDK-së t’i ofrohet posti i presidentit dhe tri ministri në kabinetin Hoti. Deri para konfirmimit të aktakuzës, PDK-ja ka mohuar të ketë pasur diskutime të tilla.

Synimin për t’u bërë president prej disa muajsh e ka shpallur kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili po ashtu është intervistuar nga Gjykata Speciale. Por, LDK-ja nuk i ka ofruar mbështetje kandidaturës së tij, duke e ruajtur këtë pozitë për PDK-në. Zyrtarë të AAK-së në disa raste kanë kërcënuar me dalje nga koalicioni nëse nuk mbështetet kandidati i tyre.

Lëvizja Vetëvendosje është subjekti i vetëm që vazhdon të insistojë në zgjedhje të parakohshme, pas të cilave do të zgjidhej edhe presidenti i vendit. Por deri më tani, kjo parti nuk ka arritur ta fusë në procedurë mocionin për rrëzimin e qeverisë. Që kjo të ndodhë duhen 40 nënshkrime të deputetëve, e VV i ka vetëm 31.