Arbëri

Asamblistë të pushtetit e të opozitës të pakënaqur për projektet kapitale në Shtime

Komuna e Shtimes për nëntë muaj ka shpenzuar vetëm 30 për qind të parasë publike për projekte kapitale, ndërkaq punimet në shumë projekte infrastrukturore kanë ngecur. Kjo ka nxitur reagimet e kuvendarëve nga pushteti dhe nga opozita, me arsyetim se qytetarët po kërkojnë finalizimin e projekteve, sipas planifikimeve buxhetore

Komuna e Shtimes gjatë vitit 2022 ka shënuar ngecje në finalizimin e dhjetëra projekteve kapitale nëpër lokalitete të ndryshme, si dhe në shpenzimin e parasë publike.

Këto ngecje kanë nxitur reagimin e asamblistëve nga pushteti dhe nga opozita, të cilët nuk e kanë votuar raportin, me arsyetim se nga 2.3 milionë eurot që janë planifikuar, Komuna ka shpenzuar vetëm 31 për qind të parasë publike për nëntë muaj.

Reshat Mujota, kuvendar i pavarur në Kuvendin Komunal në Shtime, ka thënë se raporti nëntëmujor i shpenzimeve nuk është prezantuar në proporcion me buxhetin e planifikuar teksa ka shprehur dyshimin se buxheti është keqmenaxhur nga ekzekutivi, me anë të destinimit për projekte të tjera kapitale.

“Është shqetësuese pse nuk është shpenzuar edhe 60 apo 70 për qind, por shqetësim është për mua edhe si është shpenzuar ky 30 për qind i buxhetit derisa në këtë raport nëntëmujor nuk ka specifikë. Unë e thashë edhe më parë se ky raport duhet të jetë i detajuar, se ky raport ka vazhduar deri në këtë fazë dhe kaq ka kushtuar”, ka thënë Mujota.

Ai ka kërkuar nga ekzekutivi komunal që të angazhohet që deri në fund të vitit të shpenzohen paratë publike për projektet e planifikuara, në mënyrë që të mos kthehen suficit në nivel qendror.

“Ne si komunë kemi probleme të jashtëzakonshme në infrastrukturë, në ujësjellës, kanalizim, në ujë të pijshëm. Si premtim i kryetarit ka qenë që do të kemi ujë të pijshëm 24 orë”, ka theksuar asamblisti i pavarur.

E për Rrahman Jakupin, asamblist dhe kryetar i Degës së Partisë Demokratike (PDK) në Shtime, keqmenaxhimi me buxhetin e reflekton paaftësinë qeverisëse.

“Kjo tregon se kjo qeverisje është e paaftë dhe nuk ka një personel dhe drejtori të përgatitur për të shpenzuar buxhetin ashtu siç është planifikuar dhe siç kërkojnë qytetarët e Komunës së Shtimes, andaj shumë projekte do të realizoheshin”, ka theksuar Jakupi

Për keqmenaxhim të parasë publike kritika patën edhe asamblistë të partisë në pushtet gjatë mbledhjes së fundit të Kuvendit Komunal.

“Ndoshta është një arsyetim që pushteti i kaluar po e thotë që është mirë që keni dhënë kritika, por ata gjithmonë kanë vazhduar kështu. Prandaj, nuk ka qenë e mirë dhe e domosdoshme që ne të vazhdojmë me avazin e tyre. Prandaj, kujt i hidhent faji dhe përgjegjësia”, ka thënë Besnik Seferi, asamblisti nga Lëvizja Vetëvendosje që është në pushtet në Shtime.

Komuna e Shtimes, me gjithë insistimin e KOHËS, nuk u është përgjigjur pyetjeve të adresuara lidhur me çështjen.