Në Kuvend janë duke pritur një numër i madh pyetjesh të deputetëve, e që nuk kanë marrë përgjigje nga anëtarët e kabinetit qeveritar. Vetëm në seancën e fundit ishin 72 sosh. Monitorues të punës së Kuvendit e kanë quajtur këtë praktikë si papërgjegjësi të kryeministrit e ministrave
Vetëm në seancën e së mërkurës, në rend dite ka qenë shtrimi i 72 pyetjeve parlamentare për kryeministrin dhe për anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar, 61 prej të cilave janë bartur nga seancat e kaluara të Kuvendit. Por, shumë prej tyre to sërish nuk kanë marrë përgjigje.
Ka deputetë që prej 10 muajsh kanë shtruar pyetje dhe nuk kanë marrë përgjigje, ose shkaku i mungesës së anëtarëve të kabinetit qeveritar, ose për shkak të përcaktimit të tyre për të mos iu përgjigjur atyre deputetëve opozitarë që nuk votojnë pro marrëveshjeve ndërkombëtare.
Gjatë vitit të kaluar, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk i është përgjigjur asnjë pyetjeje të ligjvënësve.
Arbër Thaçi, monitorues i punës së Kuvendit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), e ka vlerësuar të papërgjegjshme këtë qasje të Qeverisë ndaj Kuvendit.
“Pyetja parlamentare paraqet një prej institucioneve kryesore të mbikëqyrjes së deputetëve kundrejt ekzekutivit dhe vlerësuar në kuptim të së drejtës, qasja e ekzekutivit paraqet një prej rasteve të pastra të tejkalimit të kompetencave të tyre, meqenëse refuzimi i përgjigjes së pyetjeve parlamentare nuk mund të jetë një mjet politik, le të themi, në mosmarrëveshjet mes pushtetit dhe opozitës”, ka thënë ai.
Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe profesori universitar Mazllum Baraliu, i cili ka theksuar se është përgjegjësi e çdo ministri që t’i japë llogari deputetit për punën e tij zyrtare.
“E kanë për detyrë, e kanë në kuadër të përshkrimit të detyrave të punës dhe për nga natyra, me ligj, me Kushtetutë, obligim që t’u përgjigjen kërkesave të Kuvendit, sepse Kuvendi është jo vetëm organ legjislativ, por edhe mbikëqyrës i ekzekutivit”, ka thënë ai.
Në Kuvend nuk kanë treguar se cilët ministra nuk u janë përgjigjur më shumë pyetjeve të deputetëve. Në tetor të vitit të kaluar, anëtarët e Qeverisë janë përcaktuar që përgjigjet në pyetjet parlamentare të cilat drejtohen nga opozita t’i kushtëzonin me votim të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Por profesori Baraliu e sheh këtë si shkelje të detyrave që ligji ua përshkruan kryeministrit e ministrave.
“Asnjë mazhorancë dhe sidomos jo faktori, komponenti, shtylla ekzekutive e pushtetit nuk mundet dhe nuk ka mandat t’i kushtëzojë deputetët, sepse mandati i deputetit është i pacenueshëm. Madje as partia e një deputeti apo deputeteje nuk mund të ndikojë në mendimin, votimin e deputetit”, ka thënë Baraliu.
E Thaçi nga KDI ka theksuar se me kushtëzimet që Qeveria po ua bën deputetëve është duke i tejkaluar kompetencat e saj.
“Qasja e ekzekutivit kundrejt deputetëve edhe te marrëveshjet ndërkombëtare paraqet njëfarë tejkalimi të kompetencave, meqenëse thirrja e tyre është për t’i votuar ato blanco. Në këtë kuptim një votim i tillë pa trajtim përmbajtjesor dhe ideologjik paraqet ndërhyrje në vullnetin e deputetëve”, ka thënë Thaçi.
Ai ka shtuar se një pjesë të përgjegjësisë duhet ta mbartë edhe kryetari i Kuvendit, i cili ka thënë se e ka relativizuar refuzimin e ministrave dhe të kryeministrit për të dhënë përgjigje.
“Duhet të kritikojmë po ashtu rolin e kryetarit të Kuvendit. Meqenëse rregullorja atij i delegon kompetenca të qarta të tërheqjes së vërejtjes, në rast të mungesës së një anëtari të Ekzekutivit, në rrethana kur ai është i informuar se ka pasur pyetje parlamentare paraprakisht, e lëre më që kjo situatë paraqet një lloj bojkotimi në tërësi të Ekzekutivit ndaj institucionit të pyetjeve parlamentare, prandaj ai do të duhej të vepronte më ndryshe”, ka theksuar Thaçi.
Në Ligjin për Qeverinë, ku flitet për përgjegjësitë e saj, theksohet se për punën që e bën Ekzekutivi i përgjigjet Kuvendit.