Arbëri

Kriteri për mjekim jashtë vendit lë të bllokuar pacientin me paralizë e me infeksion të rëndë

Prej dy vjetësh, një infeksion i rëndë në kofshë po ia kërcënon shëndetin Bashkim Baftirit, që tash e 14 vjet lëviz me ndihëm e karrocës. Pavarësisht trajtimeve të shumta në institucionet publike dhe private të vendit, gjendja e tij ka shkuar duke u përkeqësuar. Së fundmi është referuar për trajtim jashtë vendit, por nuk po arrin të përmbushë një kriter bazë

Bashkim Baftiri, prej 14 vjetësh lëviz me ndihmën e karrocës, e në dy vjetët e fundit po përballet edhe me një infeksion të rëndë në kofshë.

Ai tregon se fillimisht iu drejtua Qendrës Klinike Universitare, por pa sukses. 

Më pas kërkoi shërim në Spitalin Amerikan, por, sipas tij, plaga vetëm sa iu përkeqësua.

“Tani së fundi, për një plagë jam trajtuar në QKUK, por përsëri nuk kam pasur rezultat. Pastaj kam shkuar në Spitalin Amerikan për me u shëru prej asaj plage. Për atë plagë kam paguar 20 mijë euro dhe më kanë lënduar në këmbë. Kam ndenjur në spital dy muaj, nuk më kanë dalë zot, më kanë lënë me plagë të hapur. Prej atje jam kthyer prapë në QKUK dhe kam bërë një ndërhyrje në Kirurgjinë Plastike”, ka thënë Baftiri.

Spitali Amerikan nuk ka kthyer përgjigje lidhur me pretendimin e Baftirit.

E pas operimit në Kirurgjinë Plastike, Baftiri u kthye në Ortopedi, ku qëndroi për katër muaj. Aty u udhëzua të kryejë një ndërhyrje në këmbë, por që ajo nuk mund të realizohet në QKUK dhe iu rekomandua trajtimi jashtë vendit.

Në raportin e lëshuar nga Klinika e Ortopedisë thuhet se referimi jashtë vendit bëhet për shkak të mungesës së resurseve humane dhe teknike.

Pavarësisht raportit të nënshkruar nga tre mjekë dhe drejtori i klinikës, Baftiri nuk po arrin ta sigurojë mbështetjen nga Fondi i Sigurimeve Shëndetësore. 

Atij i janë kërkuar tri pro-fatura nga tri spitale të ndryshme jashtë vendit, gjë që, sipas tij, sigurimi i tyre është i pamundur.

“Ato tri pro-fatura është shumë problem me i siguru. Familja dhe të afërmit po mundohen t’i sigurojnë, por spitalet po më kërkojnë me shku vetë atje si pacient. Me shku si pacient më kushton, sepse duhet me kry procedurat, me më kontrollu, me pa a jam për operacion. Qe dy muaj jam duke i pritë ato pro-fatura, por është shumë problem me i siguru. Spitalet s’po japin një shumë të saktë pa ardhur pacienti për kontroll”, ka thënë Baftiri.

Drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Amir Keka, tha se udhëzimi administrativ ndalon mbështetjen financiare të pacientëve pa sigurimin e tri pro-faturave.

“Nuk ka gjasa, sepse udhëzimi e specifikon që duhen tri pro-fatura të ndryshme. Pa to, lënda nuk mund të aplikohet në bord, sepse nuk kemi bazë ligjore. E dimë që është një sfidë e madhe dhe po punojmë që kjo të ndryshojë, por deri atëherë, kjo është situata”, ka deklaruar Keka.

KOHA ka raportuar edhe më herët për pacientë të Onkologjisë që janë përballur me telashe të ngjashme, në pamundësi për të përmbushur kriteret për t’u mbështetur financiarisht trajtimi i tyre jashtë vendit.