Anëtari në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi, iu ka bërë thirrje partive politike që të mos i sjellin si komisionerë a vëzhgues ata të cilët po hetohen për manipulim me vota në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Krasniqi ka thënë gjithashtu se janë në komunikim edhe me organet e drejtësisë që të merren informacione nëse do të ngritet aktakuzë ndaj atyre të cilët po hetohen për keqpërdorim gjatë procesit zgjedhor.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Ne jemi në komunikim me institucionet e drejtësisë në mënyrë që t’i marrim informacionet e plota para se të marrim çfarëdo veprimi por të sigurohemi që të ruajmë integritetin e procesit zgjedhor, pra ata që mund të konsiderohen se janë ende nën hetime dhe ka prova të mjaftueshme të siguruara nga Prokuroria që do të ngriten aktakuza. Ju bëj thirrje të gjitha partive politike që ata komisionerë për të cilët si numërues kanë qenë në ato qendra komunale të numërimit për të cilët ka fakte të mjaftueshme që kanë qenë të involvuar në një mënyrë ose tjetër në manipulimin e procesit zgjedhor gjatë numërimit, të mos i sjellin fare në mënyrë që të na e lehtësojnë edhe neve punën gjatë rishqyrtimit”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka deklaruar se megjithatë ekziston një hapësirë ligjore e cila thotë se në procesin zgjedhor nuk mund të marrë pjesë një person i dënuar. Të dënuar për manipulim me vota ende nuk ka.
“Në aspektin ligjor ekziston një hapësirë në këtë drejtim por ne duhet të jemi në nivel të detyrës në atë mënyrë që t’i ndërmarrim veprimet e tona që të sigurohemi që të mos cenohet procesi zgjedhor gjatë periudhës së numërimit duke futur prapë në proces persona apo individë për të cilët ekzistojnë dëshmi të mjaftueshme që kanë qenë të involvuar. Zbrazëtia ligjore nënkupton që një person për të mos marrë pjesë në Këshillet e votimit duhet të mos jenë të dënuar dhe për të njëjtit që po flasim nuk janë të dënuar por janë në proces. Masë parandaluese që duhet të ndërmarrim është që të kemi kujdes të mos i përfshijmë”, ka deklaruar Krasniqi.
Procesi i numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit është shoqëruar me manipulime në shkallë të gjerë.
Sipas një raporti të Demokracisë në Veprim, rinumërimi gjeti se mbi 242 mijë vota u tjetërsuan gjatë numërimit fillestar. Kjo çoi në arrestimin e qindra komisionerëve dhe vëzhguesve të zgjedhjeve.
Rritet për 10 euro pagesa për komisionerë e vëzhgues
Anëtari në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje, Alban Krasniqi, ka thënë se krahas organizimit të një procesi sa më të mirë zgjedhor është marrë vendim edhe që të rritet për 10 euro pagesa për të gjithë ata që angazhohen në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.
Krasniqi në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka thënë po ashtu se kjo vlen për secilin prej funksioneve që ka të bëjë me Këshillet e Vendvotimit, që nënkupton komisionerë e vëzhgues.
Anëtari i LVV-së në KQZ ka deklaruar po ashtu se në buxhetin e paraparë për një proces zgjedhor, 60 për qind e buxhetit parashihen për pagesat e të angazhuarve në zgjedhje.
“Ne kemi marrë një masë shtesë, duke e parë nivelin e jetesës në vazhdimësi, e kemi peshuar pagesën e tyre kundrejt standardeve, ne e kemi rritur për 10 euro secilin prej funksioneve që ka të bëjë me Këshillet e Vendvotimit dhe vetë numëruesit. Pagesa është për të mbuluar shpenzimet e tyre për këtë proces por për kah rëndësia s’ka mjete që mund ta vlerësojnë këtë proces. Në planifikimin buxhetor, 60% janë të parapara për paga dhe pagesa të tjera që kanë të bëjnë për trupa zgjedhore që përfshihen gjatë këtij procesi”, ka thënë Krasniqi.
Për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, KQZ-ja ka planifikuar gati 11 milionë euro shpenzime për organizim.
Në mbledhjen që KQZ-ja e mbajti më 1 maj ka miratuar edhe planin e aktiviteteve. Bazuar në të, fushata zgjedhore e partive politike do të zgjasë 10 ditë, duke nisur nga 28 maji e deri më 7 qershor në orën 7:00 kur edhe hapen vendvotimet.