Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Alban Krasniqi, ka njoftuar se fletëvotimet nga diaspora mund të mos arrijnë në Kosovë deri më 6 janar, më shumë se një javë nga koha kur përfundojnë zgjedhjet.
Të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, Krasniqi ka thënë se mijëra zarfe mund të mos hapen fare për shkak se janë dërguar me vonesë.
Madje, sipas tij, sekretariati i KQZ-së nuk merr përgjegjësi për këtë vonesë, që përveç kostos, është edhe e drejtë e mohuar për votuesit jashtë vendit.
“Në bazë të analizës dhe komunikimeve me kontraktorët aktualë që kemi pasur, DHL dhe Posta e Kosovës, asnjëra nuk kanë dhënë afat më pak se 10 ditë që të fillojnë me këtë proces dhe në bazë të afateve që kemi marrë nga sekretariati, 17 dhjetori është data kur maksimalisht mund t’i sjellin fletëvotimet e shtypura nga kompania në KQZ për të filluar pastaj procesi i paketimit të zarfeve e më pas i dërgimit. Është kohë që e pamundëson dërgimin e tyre me kohë dhe sipas përllogaritjeve, diku 80 për qind e mërgimtarëve me këtë mënyrë që po propozohet, mund të mos u arrijnë fare dërgesat postare. Është e dhimbshme të shohësh mijëra zarfe që nuk hapen dhe nuk arrijnë fare në Kosovë sepse ne i kemi dërguar me vonesë. Përveç kostos, është edhe një e drejtë e mohuar dhe ne si institucion jemi të obliguar të reflektojmë në mënyrë që të mos i përsërisim gabimet”, ka thënë ai.
Krasniqi tutje ka shtuar se propozimi i Sekretariatit është që më 12 dhjetor të fillojë votimi përmes postës, në mënyrë që të mos dështojë.
Sipas tij, rreth tre milionë e 700 mijë euro është planifikimi buxhetor për të realizuar dërgimin e zarfeve fizike te secili votues.