Arbëri

Krasniqi kërkon edhe reagimin e Ambasadës amerikane e QUINT-it për “gjendjen e keqe” në KPK

Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Visar Krasniqi, ka thënë se reagimi i fundit i BE-së ishte më i fuqishmi deri më tani ndaj KPK-së. Krasniqi në emisionin “60 Minuta” në KTV, kërkoi që ky reagim i BE-së të mos kalojë pa vëmendjen e Ambasadës Amerikane, vendeve të QUINT-it e EULEX-it.

“Ky është një reagim i vazhdueshëm nga ana e BE-së por mund ta quaj si më të fuqishmin. Reagime të zyrës së BE-së kemi parë vazhdimisht nga 5 qershori i vitit të kaluar kur hyri në fuqi ligji i ri dhe filluan hapat e parë të zbatimit të reformës. Ajo që ndodhi në takimin e datës 20, nuk përbën ndonjë risi nga mendësia paraprake sepse po shohim përpjekje të njëjta në pengimin e reformës. Ky reagim kaq i fuqishëm nga zyra e BE-së nuk do të duhej të kalonte pa vëmendjen e EULEX-it dhe shtetet e QUINT-it. Ju e dini që ambasada amerikane për shkak të zhvillimeve nuk e ka më një rol shumë proaktiv në Këshillin Prokurorial. Megjithatë nga këtu do të doja t’iu bëj thirrje vendeve të QUINT-it, Ambasadës Amerikane, Lëvizjes së Bashkuar – Gjermanisë, Francës dhe Italisë që këto zhvillime të mos i shikojmë kështu në heshtje”, ka thënë Krasniqi në emisionin “60 Minuta” në KTV.

Tutje anëtari i KPK-së deklaroi se “kur këto veprime ndodhin brenda sistemit prokurorial, çfarë mesazhi po përçohet te qytetarët”.

Sipas Krasniqit, ka dhjetëra çështje të cilat duhet të trajtohen në KPK dhe qasja e kryesuesit Qalaj po e pengon punën e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Në këtë Këshill po pengohet edhe certifikimi i anëtares së re Elza Bajrami, sipas Krasniqit nuk mbahet në mend një gjendje e tillë në KPK.

“Nuk mbaj në mend veprime të tilla. Sa për krahasim, unë kam ardhur në Këshill në mars të vitit 2024 dhe në atë kohë ka ardhur pas meje Milot Krasniqi nga Prokuroria Speciale dhe ndonëse në atë kohë kishte reagime nga organizatat joqeveritare për të qenë në konsideratë kuota gjinore, Milot Krasniqi u bë anëtar i Këshillit dhe nuk iu vendosën pengesa sepse ishte i deleguar nga Prokuroria Speciale. Tani këto pengesa ndaj një anëtari të ri janë të pakuptimta dhe të pashpjegueshme. Për mua përbën shqetësim tepër serioz letra e zyrës së BE-së”, ka deklaruar Krasniqi.

Mbledhja e parë e Këshillit Prokurorial për sivjet, të martën, dështoi meqë kryesuesi dhe kryeprokurori Agon Qalaj ka konstatuar se nuk kaloi rendi i ditës. Njëri version i rendit të ditës mori 3 nga 5 votat e nevojshme, por Qalaj që votoi kundër këtij versioni, tha se propozimi nuk kaloi. Sipas tij, duhen 4 vota për, meqë KPK-ja ka 7 anëtarë.

Kryesuesi, njëherësh kryeprokurori Agon Qalaj ka shpërfillur kërkesat e tre prej pesë anëtarëve për ta bërë pikë të parë të rendit të ditës certifikimin e Elza Bajrami-Kastratit si anëtare të KPK-së.

Kundërshtinë e bëri me arsyetimin se ligji i jep diskrecion në udhëheqjen e mbledhjeve të Këshillit.