Arbëri

KQZ-ja: Rinumërimi i votave të AAK-së të bëhet në prani të hetuesve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke mbajtur mbledhje për të diskutuar vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me ankesat e subjekteve dhe kandidatëve në zgjedhjet parlamentare.

KQZ-ja ka diskutuar edhe për rinumërimin e votave me kusht dhe të diasporës të kandidatëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Komisioni ka rekomanduar që të rinumërohen shtatë kuti votimi ku ishte prezent personi i përfolur në media për manipulim të votave. Kjo thuhet të bëhet në prani të hetuesve.

“Rinumërimi do të bëhet në prani të hetuesve. Votat e AAK-së nga mërgata dhe me kusht të rinumërohen, sipas vendimit të PZAP-së”, është thënë nga KQZ-ja.

Në anën tjetër, nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve është bërë e ditur se rinumërimi do të fillojë të hënën në orën 16:30.

Nga QNR-ja është njoftuar se 40 vëzhgues për një subjekt politik kanë të drejtë të vëzhgojnë.

PZAP ka marrë vendim për rinumërim të këtyre votave, pas apelit të bërë nga kandidatja e AAK-së Florentina Gjergjaj.