Arbëri

KQZ-ja realizoi transaksione pa procedura prokurimi

Transaksione të dyshimta financiare, të cilat nuk është arritur të konfirmohen ligjërisht as nga hetimi i Auditorit të Brendshëm, ka realizuar Komisioni Qendror Zgjedhor. Bëhet fjalë për dy aktivitete prokurimi - “Formularët zgjedhorë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut” dhe aktiviteti “Shtypja, kontrollimi, paketimi i Listave përfundimtare të votuesve, Listave komunale të votuesve dhe Listave preliminare të votuesve, për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunave në Leposaviq, Zubin-Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut”. Këto zgjedhje ishin mbajtur më datën 19 maj 2019.

Pa përligjjen finale të procedurave dhe mungesën e kontratave, në shtypshkronjën “Dukagjini” ishte bërë printimi i materialeve zgjedhore. Kjo ndërmarrje për referencë ka pasur specifikat nga dosjet e tenderëve të dy aktiviteteve të anuluara më vonë. Arsyeja e anulimit të tenderit ka qenë pamundësia e prezantimit të vërtetimit tatimor të lëshuar nga ATK-ja.

Veprimet e padokumentuara

Shumë veprime mes KQZ-së dhe kompanisë “Dukagjini” janë të padefinuara, të padokumentuara e të pakonfirmuara.

pse pa kontratë, veprimet dhe procedurat teknike të aplikuara në mënyrë standarde nga KQZ-ja, në të gjitha printimet e materialeve zgjedhore, janë aplikuar edhe në këto dy aktivitete. Por, pranimi i materialeve të specifikuara nuk ka mundur të konfirmohet me asnjë dëshmi materiale të vërtetuar nga operatori ekonomik “Dukagjini” dhe Sekretariati i KQZ-së. Transaksionet, të cilat janë rezultat i aktiviteteve të zhvilluara nga operatori ekonomik “Dukagjini” për SKQZ-në ka qenë e pamundur të konfirmohen dhe vërtetohen gjatë auditimit. Nuk është arritur të konfirmohet me saktësi se cilat janë veprimet, sasitë dhe kostot e punëve të kryera nga OE “Dukagjini”. Përcaktimi i vlerës financiare të transaksioneve të papërligjura me kontrata të nënshkruara, ka mund të bëhet vetëm duke marrë si referencë dosjet e tenderëve të anuluar më 17 maj 2019 dhe raportin e komisionit të vlerësimit. Vlera totale e transaksioneve të aktiviteteve të zhvilluara pa procedurë prokurimi, bazuar në dosjet e tenderëve dhe raportin e vlerësimit të komisioneve është 6 mijë e 90 euro. Këto transaksione nuk janë të regjistruara as në librat kontabël të KQZ-së dhe në raportet e vitit 2019.

Shkeljet e shumta vërtetohen nëpërmjet korrespodencave të zhvilluara mes Auditorit të Brendshëm, zyrtarëve të prokurimit në KQZ dhe kompanisë “Dukagjini”. KQZ-ja nuk ka ofruar sqarime për këtë aktivitet tenderimi as pas interesimit të KOHËS. Ndërkaq, përgjegjësi për media në kompaninë “Dukagjini”, Fitim Haliti, ka kërkuar që pyetjet t’u dërgohen me email, por ka munguar përgjigja.

Ky aktivitet prokurimi nuk figuron as në faqen zyrtare të KQZ-së krahas aktiviteteve të tjera të realizuara në të kaluarën.

Komunikimi që shpërfaqi shkeljet

Në pamundësi për të siguruar dëshmi autentike dhe valide të verifikimit të informatave nga SKQZ-ja dhe OE “Dukagjini”, intervistimi dhe testimi përmes pyetësorëve për mbledhjen e informatave dhe verifikimin e veprimeve, janë shfrytëzuar si teknika të auditimit.

Mbështetur në këto dokumente, të cilat i ka siguruar KOHA, njësia e prokurimit e kishte anuluar tenderin për shtypjen e fletëvotimeve vetëm një ditë para zgjedhjeve në komunat veriore. Kjo ka ndodhur pavarësisht se vlerësimi i ofertës ishte bërë më datën 3 maj 2019, kurse vendimi për anulimin e tenderit ishte bërë publik vetëm dy ditë para se të fillojë procesi i votimit, pra më 17 maj 2019. Kjo periudhë e gjatë e tolerancës, nga data e njoftimit të tenderuesit të suksesshëm deri në datën e njoftimit për anulim, kanë pamundësuar edhe një tentativë të re për negocim me operatorë të tjerë. Kur është pyetur nga Auditori, këto veprime zyrtari i prokurimit në KQZ i ka arsyetuar me atë se në procedurë kanë qenë edhe 26 aktivitete të tjera prokurimi.

“Ne vetëm me datë 7.5.2019 kemi arritur që të njoftojmë OE se duhet të sjellë në Zyrën e Prokurimit, dokumentet që nuk ka borxhe të paguara ndaj ATK-së dhe vërtetim nga Gjykata se nuk është nën hetime”, ka qenë përgjigja e zyrtarit për Auditorin. Me arsyen se nëse anulohet procedura do të duhej pritur afatin ligjor të ankesave, e ka arsyetuar rrjedhën e procedurave të tjera. Për të gjitha këto veprime kanë qenë të informuar instancat e KQZ-së, por nuk kanë ndërmarrë veprime.

“Gjithsesi, e gjithë kjo dhe rreziku që mund të sjellë kjo situatë, është raportuar vazhdimisht në mbledhjet e menaxhmentit dhe ato të KQZ-së dhe si instanca më të larta, do të mund të merrnin vendime të tjera, mirëpo asnjë rekomandim/kërkesë apo sugjerim me shkrim nuk kam pasur”, ka thënë ky zyrtar, i cili për fushëveprim e ka dizajnin. Ai nuk ka qenë i sigurt nëse e ka dizajnuar vetë fletëvotimin dhe dokumentet e tjera. Operatori ekonomik, i cili potencialisht ka printuar materialet zgjedhore nuk ka mundur të bëjë printimin pa pranuar një urdhër për printimin e tyre. Ai ka mohuar të ketë pasur komunikim me ndonjë operator, ku ka urdhëruar të bëhet shtypja e materialeve zgjedhore.

Ndërkaq, në komunikimin tjetër mes auditorit dhe zyrtares së kompanisë “Dukagjini”, kjo e fundit e ka konfirmuar se materialet janë printuar mes datës 14 dhe 16 maj 2019. Materialin ka thënë ta kenë pranuar nga zyrtarët e SKQZ-së. Sipas kësaj zyrtareje të kompanisë “Dukagjini”, materiali është dorëzuar në depon qendrore të KQZ-së, por që pagesat nuk janë kryer për shkak se nuk kanë arritur t’i sjellin dëshmitë nga ATK-ja.

Mst: Mungesa e konfirmimit për pranimin e materialeve

Mbështetur në komunikimin e zhvilluar me zyrtarët e KQZ-së dhe kompanisë që ka bërë shtypjen e materialeve, Auditori ka ardhur në përfundim se është e pamundur të konfirmohet pranimi i materialeve me ndonjë dëshmi.

“Transaksionet të cilat janë rezultat i aktiviteteve të zhvilluara nga OE “Dukagjini” për SKQZ-në, të cilat nuk kanë qenë të përligjura (pa kontratë të nënshkruar), ka qenë e pamundur të konfirmohen dhe të vërtetohen gjatë auditimit. Nuk është mundur të konfirmohet me saktësi se cilat janë veprimet dhe punët e kryera nga OE “Dukagjini”, cilat janë sasitë dhe kostot e punëve të kryera. Konfirmimi nuk ka mundur të bëhet për arsye të pamundësisë së sigurimit të dokumenteve financiare dhe raporteve për pranimin e tyre nga asnjëra palë”, thuhet në raportin e Auditorit të datës 22 janar 2020.

Implementimi i aktiviteteve të furnizimit me formularë zgjedhorë dhe Listat Përfundimtare të Votuesve, me referencë në aktivitetet e anuluara të prokurimit, sipas Auditorit është bërë në kundërshtim me Ligjin e prokurimit publik dhe Rregullën dhe Udhëzuesin Operativ të Prokurimit Publik.

“Nuk është zbatuar neni 2 i ligjit respektiv “fushëveprimi”, pika 1 dhe 2 e nenit, i cili obligon çdo autoritet kontraktues dhe të gjithë personat, operatorët ekonomikë dhe ndërmarrjet, që të sillen sipas termave të përcaktuar me këtë ligji. Nga mosveprimet menaxheriale, të lidhura me përjashtimin e fushëveprimit të Ligjit për Prokurimin Publik, në implementimin e aktiviteteve të furnizimit me materiale zgjedhore, është cenuar edhe Ligji për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike nr. 06/L-021, në nenin 5, Llogaridhënia menaxheriale e Zyrtarit Kryesor Administrativ, pika 1, që e bën atë përgjegjës kryesor për zbatimin e sistemeve të menaxhimit financiar dhe kontrollit në të gjitha nivelet, strukturat, programet, aktivitetet dhe proceset dhe në nenin 6- Llogaridhënia menaxheriale e drejtuesve të niveleve vartëse, të cilët janë përgjegjës dhe raportojnë sipas hierarkisë deri tek ZKA-ja për proceset e buxhetit, kontrollet e brendshme, rreziqet që parandalojnë arritjen e objektivave deri te ndërmarrja e masave për minimizimin e rreziqeve”, thotë raporti.

Në kuadër të hulumtimit të tenderëve të KQZ-së, KOHA ka raportuar javën e kaluar për dy aktivitetet e tjera të prokurimit, nga të cilat KQZ-ja potencialisht ka humbur mbi 80 mijë euro. Mbështetur në dosjet e tenderëve dhe analizën e dokumentacionit, ka pasur devijim të konsiderueshëm të çmimeve të kontraktuara me çmimet e konkurrencës në tregun e lirë.