Arbëri

Votat do të rinumërohen në 10 komuna, në 28 të tjera vetëm 10% e vendvotimeve

Mbledhja e KQZ-se

Foto: Driton Paçarada

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të martën ka vendosur që të rinumërohen gjithsej 914 vendvotime nga zgjedhjet e 28 dhjetorit. Në 10 komuna, votat do të rinumërohen në tërësi, ndërsa në 28 komuna do të rinumërohen 10 për qind e vendvotimeve. Rinumërimi i vendvotimeve do të zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve sot nga ora 18:00.

Sipas KQZ-së, vendimi erdhi pas raportit të Sekretariatit të KQZ-së (SKQZ), i cili gjatë verifikimit të videoincizimeve nga Qendrat Komunale të Numërimit ka evidentuar mospërputhje mes votave të numëruara për kandidatë dhe atyre të shënuara në fletëvotime. SKQZ-ja më pas ka bërë verifikimin e brendshëm të fletëvotimeve për kandidatë në 2 për qind të vendvotimeve apo 52 vendvotime nga të gjitha komunat e Kosovës.

“Deri dje, 12 janar, janë verifikuar 33 vendvotime, ku rezulton se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime”, ka njoftuar KQZ-ja.

Bazuar në këto gjetje, KQZ-ja ka vendosur që në 10 komuna të rinumërohen 100% e vendvotimeve. Këto komuna janë: Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skenderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillugu.

Ndërkaq, në 28 komunat e tjera do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve. Ato janë: Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin-Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.

Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka paralajmëruar se nëse pas rinumërimit konstatohen manipulime me votat e kandidatëve, rastet do të procedohen në organet kompetente dhe do të përfshijnë anëtarët e ekipeve të numërimit.

DnV kërkon rinumërim të plotë të votave të kandidatëve në të gjithë vendin

1 o. më parë / 13 jan 2026 16:40
QNR Votat zgjedhjet

Photo: Driton Paçarada

Demokracia në Veprim (DnV) ka vlerësuar se gjetjet e KQZ-së nga verifikimi i 2% të vendvotimeve për votat e kandidatëve, dëshmojnë se procesi i numërimit ka pasur mangësi serioze, të cilat cenojnë besueshmërinë dhe integritetin e rezultateve zgjedhore.

DnV e ka vlerësuar të pamjaftueshëm vendimin e KQZ-së për rinumërimin e 10% të të gjitha vendvotimeve dhe për rinumërimin e 100% ë vendvotimeve në 10 komuna ku është vërejtur devijim i rezultateve. Sipas DnV-së, rinumërimi i vetëm 1/3 së vendvotimeve mund të prodhojnë ankesa dhe kërkesa të reja për rinumërim të vendvotimeve tjera duke e vonuar edhe më tutje procesin.

DnV-ja ka rekomanduar që të ketë rinumërim të plotë të votave të kandidatëve në të gjithë vendin për të siguruar kredibilitet të procesit dhe besim të publikut në rezultatet zgjedhore. Po ashtu ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të fillojnë hetimin e të gjitha rasteve ku ka dyshime për keqpërdorim të procesit të numërimit.

“Konfirmimi i dallimeve substanciale në votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit, bazuar në vetëm 2% të mostrës së vendvotimeve është një indikator i problemeve serioze strukturore, duke përjashtuar mundësinë që këto mospërputhje të rrjedhin nga gabime të izoluara njerëzore”, thuhet në reagimin e misionit vendor për vëzhgimin e zgjedhjeve.