Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka prezantuar disa nga risitë për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor, përfshirë përdorimin e një softueri të ri për shpalljen e rezultateve preliminare dhe një rregullore të re për votimin e qytetarëve jashtë Kosovës.
Në “60 Minuta” të KTV-së, Elezi të martën u shpreh se buxheti i planifikuar për këto zgjedhje është rreth 16 milionë euro. Por meqë janë zgjedhjet lokale dhe nuk dihet sa komuna do të shkojnë në balotazh, Elezi deklaroi se buxheti mund të mos shpenzohet i tëri.
“Buxheti për organizimin e zgjedhjeve lokale është planifikuar më herët dhe shumica është miratuar me Ligjin për Buxhetin. Së fundi, KQZ-ja ka miratuar edhe një buxhet shtesë prej 6.5 milionë euro, duke e çuar koston totale të planifikuar në rreth 16 milionë euro”, ka thënë Elezi.
Një nga ndryshimet është softueri i ri për publikimin e rezultateve preliminare, i cili synon të shmangë problemet teknike të hasura në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, kur faqja e rezultateve ishte jashtë funksionit.
“Softueri është pjesë e buxhetit shtesë dhe do t’i shërbejë transparencës dhe efikasitetit të procesit zgjedhor”, u shpreh Elezi.
Një tjetër risi është rregullorja e re për votimin jashtë vendit, që parashikon një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e votimit të diasporës.
“Qytetarët që arrijnë të regjistrohen me sukses si votues jashtë Kosovës do të marrin fletëvotimet përmes postës, drejtpërdrejt në adresat e tyre”. sqaroi Elezi.
Kjo praktikë zëvendëson modelin e mëparshëm, ku votuesit duhej të shkarkonin vetë fletëvotimin, duke e printuar dhe kthyer përmes postës. Gjithashtu, nuk do të ketë votim nëpër përfaqësi diplomatike.
Vetëm për procesin e dërgimit dhe tërheqjes së fletëvotimeve jashtë vendit, KQZ-ja ka planifikuar rreth 2.5 milionë euro. Shpenzimet e sakta do të varen nga numri i votuesve që regjistrohen, ka bërë të ditur Elezi.
Plani i zgjedhjeve lokale: