Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KQZ-ja me përbërje të vjetër, edhe pas skadimit të afatit për emërimin e anëtarëve të rinj

KQZ

Presidentja Vjosa Osmani nuk ka kumtuar nëse ka emëruar apo ka refuzuar të propozuarit e subjekteve politike për anëtarë të rinj të KQZ-së. Ka vepruar kësisoj, ndonëse afati i vendimmarrjes është përmbyllur. Burime të KOHËS treguan për emrat që kanë deponuar secila prej partive kryesore

Është përmbyllur afati ligjor brenda të cilit presidentja Vjosa Osmani, duhet t’i emërojë ose refuzojë të propozuarit e subjekteve politike për anëtarë të rinj të KQZ-së. Por, deri të shtunën, as ajo e as Presidenca nuk kanë bërë të ditur për vendimmarrjen.

Me 9 mars presidentja ua kërkuar subjekteve politike propozimet për anëtarë të KQZ-së. Ato kanë pasur kohë deri më 16 mars që t’i përgjigjen kërkesës së presidentes me emrat e kandidatëve. E, pas pranimit të nominimeve, presidentja ka pasur kohë 5 ditë që t’i emërojë të propozuarit, ose t’i refuzojë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se ka propozuar tre kandidatë për përfaqësim në KQZ, ani se Kushtetuta thotë ndryshe. Burime të KOHËS thanë se Alban Krasniqi është propozuar për edhe një mandat, ndërsa emra të rinj janë Violeta Emini dhe Njazi Isaku.

Në Kushtetutë theksohet se gjashtë anëtarë të KQZ-së emërohen nga 6 grupet më të mëdha parlamentare që nuk mbajnë vende të rezervuara.

E, nëse në Kuvend ka më pak grupe parlamentare, Kushtetuta thotë se grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë.

Ish-kryetari i KQZ-së dhe profesori universitar, Mazllum Baraliu thotë se kërkesa e LVV-së për tre përfaqësues në KQZ nuk ka bazë ligjore.

“Edhe më parë ka pasur tentativa të tilla të subjekteve politike jo vetëm të Vetëvendosjes, por që nuk janë miratuar. Ka pasur edhe iniciativë në Gjykatën Kushtetuese si kërkesë për t’u trajtuar, por nuk e ka trajtuar sepse s’ka çka trajton sepse Kushtetuta është e qartë dhe taksative si në nenin që përmenda më sipër, sa dhe kujt sa i takojnë”, ka thënë Baraliu.

Njësoj më 2021 kur Vetëvendosje pati fituar 50 për qind të votave, pati insistuar në propozimin e tre kandidatëve, por presidentja Osmani pati emëruar dy.

E një zvarritje të tillë të emërimit të anëtarëve të KQZ-së e pati bërë për disa muaj pas zgjedhjeve të 2017-ës edhe ish-presidenti Hashim Thaçi.

Kjo u pati bërë me arsyetimin se e ka të paqartë se si duhet të emërohen anëtarët e KQZ-së pas rezultatit zgjedhor, kur atëherë fitues ishte koalicioni PAN i përbërë nga tri parti, PDK, AAK, NISMA i cili gjithashtu kërkonte tre anëtarë në KQZ.

Ndonëse Kushtetuesja nuk ia pati trajtuar kërkesën Thaçit, i pati trajtuar më pas vendimet e tij për emërimin e anëtarëve, nga dy për tri grupet e vetme parlamentare, të cilat ishin konstatuar në përputhje me Kushtetutën.

Baraliu thotë se refuzimi i Vetëvendosjes që të propozojë vetëm dy emra nuk e bllokon organizimin e zgjedhjeve, nëse shpallen ato, përveç që ia cenon vetes të drejtën për përfaqësim.

“Vetëm i bën dëm vetvetes sepse nuk do të jetë e përfaqësuar atje. Përndryshe, si ta ketë këtë kuorumin, është rregull i përgjithshëm që çdo institucion, qoftë ai dhe i pavarur, si që është ky, në qoftë se ka shumicën e anëtarëve, mund të marrë vendime meritore për çdo çështje”, ka thënë Baraliu.

Burime të KOHËS thanë se PDK-ja ka propozuar për anëtarë të KQZ-së, Ilir Gashin dhe Rashit Qalajn, LDK-ja Sami Hamitin e AAK-ja Muharrem Nitajn. Sipas këtyre burimeve, nga komunitetet, vetëm nga ai turk është propozuar anëtari që ka shërbyer në mandatin aktual, ndërsa të tjerët janë emra të rinj.

Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, emërimi i anëtarëve të KQZ-së duhet të bëhet jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve.