Vetëm një ditë pas shpalljes së datës për mbajtjen e zgjedhjeve në katër komunat e Kosovës të banuara me shumicë serbe, nga Lista Serbe kanë njoftuar se nuk do të jenë pjesëmarrës në to.
Nga ky subjekt është njoftuar se as qytetarët e këtyre komunave, që e mbështesin atë, nuk do të dalin për votim.
“Marrë parasysh vendimin e Prishtinës për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës, duam të informojmë publikun se Lista Serbe nuk do të marrë pjesë në këto zgjedhje, e as qytetarët që e përkrahin partinë tonë, nga të cilët mbi 95 për qind janë në këto zona”, tha Lista Serbe.
Zgjedhjet e 18 dhjetorit janë caktuar që të mbahen pas dorëheqjes së kryetarëve në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin-Potokut dhe Leposaviqit, në kundërshtim të konvertimit të targave të veturave nga ato ilegale në RKS.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, nga 31 mijë e 533 votuesit që morën pjesë në votimet në katër komunat veriore, 28 mijë e 517 votuan për Listën Serbe.
Krahas këtij subjekti, pjesëmarrjen në zgjedhje nuk e kanë konfirmuar ende as partitë e tjera serbe në Kosovë, të cilat një ditë më parë kanë njoftuar se janë në pritje të një konfirmimi nga Beogradi zyrtar.
Petar Petkoviq, drejtor i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, të martën ka deklaruar se zgjedhjet e shpallura për komunat e veriut të Kosovës përbëjnë një “vazhdimësi të dhunës ligjore dhe institucionale ndaj serbëve”.
“Zgjedhjet për komunat serbe, pa serbë, nuk kanë kuptim dhe si të tilla janë të destinuara për të dështuar. Kjo është një tentativë e re e Prishtinës për ta pushtuar veriun e Kosovës, duke u fshehur pas një lloj procesi zgjedhor, në një kohë kur me veprimet e tyre të njëanshme dhe të paligjshme, Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe pasardhësit e tyre po i rrisin edhe më tej tensionet”, tha Petkoviq.
Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërkaq, kanë nisur përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri.
Partitë politike që dëshirojnë të kandidojnë do të kenë afat deri më 21 nëntor për paraqitjen e aplikimeve, teksa fushata zgjedhore do të nisë më 8 dhe do të përfundojë më 16 dhjetor.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar edhe planifikimin buxhetor për organizimin e këtyre zgjedhjeve, i cili është në shumën 556 mijë e 482 euro. Ashtu siç kërkohet me ligj, me këtë buxhet planifikohen të dy rundet e zgjedhjeve. Meqenëse këto janë zgjedhje të jashtëzakonshme dhe KQZ-ja nuk ka buxhet, kërkesa buxhetore do t’i dërgohet Qeverisë së Republikës së Kosovës”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Ismet Kryeziu, nga Demokracia në Veprim, ka bërë të ditur se ky koalicion i organizatave po e përcjell situatën parazgjedhore dhe ambientin e sigurisë lidhur me pjesëmarrjen në monitorimin e zgjedhjeve.
“Zhvillimet e fundit janë jashtë planifikimeve të DNV-së, por ne jemi duke e përcjellë situatën parazgjedhore dhe ambientin e sigurisë për zgjedhje të lira dhe të drejta. Bazuar në këto zhvillime, gjatë ditëve në vazhdim, së bashku me partnerët tanë nga veriu, do të ndërtojmë strategji për të qenë të përfshirë në proces. Tani për tani nuk mund të flasim për një situatë ose plan strategjik të konfirmuar se si dhe në çfarë kapacitetesh do të jemi të mobilizuar për vëzhgimin e zgjedhjeve”, tha Kryeziu.
Përkitazi me mospjesëmarrjen e Listës Serbe, Kryeziu ka thënë se nuk e ka në mandat që ta prejudikojë situatën, meqë ende nuk ka përfunduar afati për certifikimin e subjekteve politike.
Situata në veri është tensionuar pas vendimit të Qeverisë që parasheh masa sanksionuese për ata që nuk i konvertojnë targat e veturave nga ilegale në ato RKS.