Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

KQZ-ja e nisi organizimin e zgjedhjeve me një anëtar më pak

kqz

Përgatitjen e këtyre zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e nisi pa e pasur përbërjen e plotë. I mungon anëtari i 11-të, që duhet të emërohet nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu. LVV-ja pretendon se asaj i takon e drejta për përfaqësim me një anëtar të tretë, e PDK-ja e kërkon të dytin. Po qe se Haxhiu vendos kundër kërkesës së tyre, në PDK paralajmëruan t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e ka nisur organizimin e zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit me një anëtar më pak.

Anëtari i 11-të do të duhej të emërohej nga ish-presidentja Vjosa Osmani, apo tash ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në propozimet e dërguara në Presidencë, Vetëvendosja pretendon se asaj i takon anëtari i tretë, ndërsa PDK-ja se anëtarin e dytin asaj ia garanton Kushtetuta.

Në Presidencë patën thënë më herët për KOHËN se pas shqyrtimit të dokumentacionit do të merret vendim për çështjen, në përputhje me Kushtetutën. E në pyetjen dërguar të premten nëse dokumentacioni është shqyrtuar, ky institucion nuk dha përgjigje.

Ish-shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, thotë se subjekti që e përfaqëson është në pritje të vendimit të Presidencës.

“Po e kemi dërguar kërkesën dhe besojmë që na takon neve (anëtari i tretë në KQZ). Nuk kemi marrë akoma përgjigje, kështu që për detaje konsultohuni me Presidencën”, ka thënë Nagavci.

E përfaqësuesi i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi, thotë se anëtari i fundit që duhet ta kompletojë përbërjen e Komisionit duhet të jetë nga Partia Demokratike. E në rast se nuk ndodh kësisoj, ai tha se partia e tij do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

“Para së gjithash e zbeh përfaqësimin në bazë të ligjit dhe Kushtetutës, të grupeve parlamentare dhe në këtë rast e zbeh përfaqësimin e PDK-së dhe të opozitës në tërësi. Dhe natyrisht që votimi me dy të tretat e cila përfshin edhe çështjen e rezultateve, regjistrimeve dhe certifikimin e subjekteve politike e të kandidatëve që kërkon dy të tretat pashmangshëm që e dëmton vendimmarrjen dhe i shërben dikujt më shumë e dikujt më pak”, ka thënë Gashi.

Kërkesa për emërimin e anëtarit të PDK-së në KQZ, Gashi tha iu përmend Haxhiut edhe në takimin që ajo e pati me partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Kushtetuta përcakton se gjashtë anëtarët e KQZ-së emërohen nga 6 grupet më të mëdha parlamentare, që nuk mbajnë vende të rezervuara. E, nëse në Kuvend ka më pak grupe parlamentare, Kushtetuta parasheh që grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë.