Arbëri

KQZ-ja certifikon rezultatet e asambleve komunale, përveç atyre të Istogut

KQZ

Foto: Arkiv

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatet për asamble komunale të zgjedhjeve të 12 tetorit për të gjitha komunat, përveç rezultateve për asamble në Istog. 

Rezultatet për asamble në këtë komunë nuk janë certifikuar pasi që Gjykata Supreme e ka prishur një vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP), pasi ka pranuar ankesën e kandidatit të AAK-së për asamblist në Komunën e Istogut, Avni Gashi, dhe e ka kthyer çështjen në rivendosje. 
Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë votuar kundër certifikimit  të rezultateve për asamble në komunat ku ka fituar Lista Serbe. 

“Meqenëse ne kemi bërë ankesë në Kushtetuese për LS... sidomos në Kllokot ku kandidati u detyrua të dorëhiqet se i kanë dhënë një pozitë... unë votoj kundër të gjitha certifikimeve për komunat ku Lista Serbe është me shumicë të votave. Këtë dallim po dua ta bëj por për Listën Serbe unë jam kundër”, ka deklaruar anëtari i LVV-së Sami Kurteshi.

Në zgjedhjet lokale Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë siguruar udhëheqjen e nga shtatë komunave.

Lëvizja Vetëvendosje pati fituar në raundin e parë në Podujevë, Shtime e Kamenicë. Ndërsa nga 12 komuna në të cilat garoi në balotazh, ka fituar në Mitrovicë të Jugut, Gjilan, Obiliq e Fushë-Kosovë.

Lidhja Demokratike e Kosovës në raundin e parë pati fituar në Istog e Lipjan, ndërsa në balotazh triumfoi në Prishtinë, Pejë, Dragash, Junik e Viti.

Partia Demokratike e Kosovës pos Skenderajt, Ferizajt e Hanit të Elezit në raundin e parë, më 9 nëntor fitoi edhe në Prizren, Kaçanik dhe Vushtrri.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të udhëheqë në 5 komuna. Pas fitores në Deçan, në raund të dytë doli e para edhe në Gjakovë, Suharekë, Rahovec e Klinë.

Lista Serbe pati fituar 9 komuna në raundin e parë, ndërsa në të dytin pa kundërshtar fitoi në Kllokot dhe është subjekti me më së shumti komuna nën udhëheqje.

Ramiz Lladrovci veçse pati fituar në Drenas, sikurse edhe Nisma në Malishevë.

Në Mamushë në balotazh ka fituar KDTP-ja.