Arbëri

KQZ-ja emëron mbi 15 mijë anëtarë të këshillave të vendvotimeve

KQZ - numerimi i votave - zgjedhjet

Foto: Driton Paçarada

Komisioni Qendror i Zgjedhje ka marrë vendim për emërimin e anëtarëve të këshillave të vendvotimeve të rregullta, atyre me kusht dhe anëtarëve rezervë për zgjedhjet lokale, të cilët do të angazhohen në ditën e zgjedhjeve, më 12 tetor 2025.

Sipas vendimit të KQZ-së, emërohen 14 mijë e 305 anëtarë të 2 mijë 571 vendvotimeve të rregullta dhe 54 vendvotimeve me kusht, ndërkaq 1 mijë e 200 anëtarë të tjerë do të jenë rezervë.

Udhëheqësi i Këshillit për Operacione Zgjedhore, Arianit Elshani, ka deklaruar se vetëm tri komuna përbëhen nga gjashtë anëtarë, kurse komunat tjera përbëhen nga pesë anëtarë.

“Janë vetëm tri komuna në të cilat janë nga 6 anëtarë të këshillave të vendvotimit për shkak të përbërjes së atyre komunave me komunitete të tjera. Bëhet fjalë për Prizrenin, Mitrovicën e veriut dhe Graçanicën, komuna të cilat përbëhen nga gjashtë anëtarë të këshillave të vendvotimit ndërsa të gjitha tjerat përbëhen nga pesë anëtarë. Mirëpo për shkak të mungesës të nominimeve për komunën e Parteshit dhe Ranillugut kërkohet dhe obligohet sekretariati që t’i mbulojë pozitat e mbetura vakante pasi nuk është arritur të kemi së paku tre anëtarë të këshillave të vendvotimit në këto komuna.”, ka deklaruar Elshani për Kosovapress.

Në pikën e fundit të rendit të ditës, KQZ-ja mori vendim për miratimin e procedurës standarde të veprimit në lidhje me të drejtat dhe detyrat e vëzhguesve të akredituar në zgjedhjet lokale 2025.

Qëllimi i kësaj procedure është përcaktimi i rregullave të sjelljes, të drejtave dhe detyrimeve të vëzhguesve të akredituar nga KQZ-ja, në procesin e vëzhgimit të zgjedhjeve në Qendrat e Votimit, Vendvotime, Qendra Komunale të Numërimit, Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe në hapësirat tjera që ndërlidhen me aktivitetet zgjedhore.

Kjo procedurë do t’iu dërgohet të gjitha organizatave vëzhguese të akredituara nga KQZ-ja.