Arbëri

KOSTT-i paguan mbi 2.5 milionë euro në muaj për energjinë në veri

Rreth 2.5 milionë euro janë humbjet mujore në veri të vendit, të cilat po mbulohen nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut.

Kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Mustafë Hasani, gjatë raportimit të Komisionit për Buxhet dhe Transfere, ka ngritur si shqetësim që në buxhetin e 2021-s nuk janë paraparë mbulimi i këtyre shpenzimeve.

“Ne kemi pasur një marrëveshje me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për alokim të mjeteve në vlerë të 10 milionëve, e cila është në proces dhe besoj se shumë shpejt prej thesarit do të alokohen mjetet dhe ne sigurohemi se mundësitë tona për t’i mbuluar këto humbje do të jenë deri në maj 2021, andaj këtu ngre shqetësim se në buxhetin 2021 s’kemi paraparë alokim të mjeteve për mbulimin e këtyre devijimeve”, ka thënë Hasani.

Ndërkohë, në mungesë të kuorumit, ky komision nuk ka votuar Projektligjin për buxhetin e vitit 2021 dhe raportin me rekomandime të Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike.

E për këtë të fundit ka pasur një gatishmëri nga PDK-ja që të përkrahet, me kusht që të përfshihen kërkesat e tyre.

“Në momentin kur ato rekomandime merren parasysh, PDK-ja me 24 votat e saj do ta mbështesë Ligjin për rimëkëmbje ekonomike”, ka thënë Kujtim Gashi, deputet i LDK-së.

Me këtë janë pajtuar deputetët e LDK-së.

“Jam dakord se nëse organizohet ky takim dhe është mirë t’i jepet një shtysë kryeministrit. Ai është dashur të vijë te ne për bisedime”, ka thënë deputeti i LDK-së, Fatmir Rexhepi.

“Ne jemi të hapur. Unë premtoj se do të ulemi dhe krejt çka është në harmoni me ligjet në fuqi, çka nuk është në kundërshtim me Kushtetutën, se do të merren parasysh dhe do të inkuadrohen në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike”, ka thënë Shkëlzen Hajdini, Deputet i LDK-së.

Por, këto i ka quajtur pazare, deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila.

“Më shumë sesa vetëm diskutim ose mundësi për të gjetur zgjidhje, kjo natyrisht se zbërthehet në një diskutim pazar politik se çka do të ndodhë të dielën në zgjedhjet lokale në Podujevë, me mundësitë e hyrjes apo moshyrjes së PDK-së në qeveri. Prandaj, krejt kjo po iu kushton të gjithë qytetarëve. Më shumë se kaq është dashur të vihet me një plan”, ka deklaruar ajo.

Komisioni ka votuar edhe raportin financiar vjetor të Zyrës Rregullative për Energji për vitin 2019, raportin vjetor financiar të Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare për vitin 2019, si dhe raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për nëntëmujorin e vitit 2020.