Arbëri

Kosovari në shtetin e Enver Hoxhës

Agim Gjakova dhe Veton Surroi

PIKË me Veton Surroin: Bashkëbisedim me Agim Gjakovën (Pjesa 2)

Surroi: Në PIKË po e vazhdojmë pjesën e dytë me Agim Gjakovën, poetin, atë që e quajtëm “armikun e popullit” në Kosovë, “armikun e popullit” në Shqipëri. Pra, po e vazhdojmë me Dervish Shaqën. “E lamë borë, e gjetëm dimën...”

Gjakova: Natyrisht që deri në një moshë, po them 15-16-17 vjeçare, për të gjithë ne ishte Shqipëria vendi i shenjtë, në atë kohë, kur shtypja, shfrytëzimi e dhuna në Kosovë ishin të mëdha dhe duke dëgjuar edhe Radio-Tiranën e përfytyronim tamam, siç thuhej, bahçe me lule. Po në të vërtetë s’kishte qenë bash me lule, po kishte pasur therra, në kuptimin e ngushtë të fjalës.

Më lejojnë nga kampi i përqendrimit të shkoj në Legatë, e marr atë “Laissez Passer”, lejekalim, dhe vij takohem me motrën, vij në Gjakovë. Kur vij në Gjakovë, nuk më lejnë të rri me njerëzit e mi, me shokët, po më thërrasin në Sekretariat të Punëve të Brendshme, aty derisa përgatitën dokumentacionin për dorëzim.

Dhe nuk i lanë m’u taku shokët, kurrkënd, vetëm hallën, atë që kishte pesë fëmijë, dhe me burrë që e kishte të pushkatuem. Dhe halla, e dini se ç’më ka sjellë, si dhuratë që ta kem përjetë? Ma ka sjellë një lugë dhe më tha: “Sa herë të hash të m’kujtosh”.

Ka qenë një gjë shumë simbolike. E ata shokët e mi, masandej kur kanë marrë vesh, janë habitë dhe kanë mbetë të befasum.

Surroi: Si quhej halla?

Gjakova: Hyremo Vala.

Surroi: Domethënë, luga e hallës Hyremo.

Gjakova: Merre me mend, ma ka sjellë lugën, “sa herë të hash t’më kujtojsh”.

Surroi: Cila është përshtypja e parë?

Gjakova: Dhe dal. Llaza, shefi i UDB-së, bashkë me atë, më qesin në kufi. Nuk e lanë as nanën, as tezën. Ato i lanë për nesër, po mua nuk më lanë që të rrija atje.

Ishin mbledhë rinia atje përballë te Sekretariati i Punëve të Brendshme, me më pa kah dal..., shokë, miq, njerëz që njihja. Ajo poema ‘Biri i sharraxhiut’ kishte bâ përshtypje shumë të madhe në Gjakovë. Njerëzit njoftë-panjoftë, në rrugë s’guxojshin që të afroheshin me mu, por ma bajshin me kry.

Unë s’i disha kush janë, qysh janë. Në vend që të më demaskojnë, mua ma kishin rritë autoritetin, edhe si djali i drejtorit të shkollës, etj.

Dhe, më qesin në kufi. Më thotë Llaza: “Shko atje në kufi”. Hyj në zonë neutrale. Kur shkoi deri te gjysma, ma pret ai roja shqiptare: “Ndal! Prit aty!” “Ulu!”

U ula në zonë neutrale.

Shkuan pesë minuta, shkuan dhjetë minuta, s’po del kurrkush. Këta rrijshin e shikonin këndej. Shefi i UDB-së s’dijke çka punohet, çfarë shfaqje po bëhet. Dhe u ula aty në mes, dhe thashë të shoh sa bukur qenka të mos kesh pushtet as këndej as andej!

Kur mbas dhjetë-dymbëdhjetë minutave doli një kapter i ushtrisë tha: “Çfarë do tha?”

Unë e thashë: “Kaloj në Shqipëri.”

”Qysh kalon?”

Thashë: “Po, kaloj në Shqipëri”.

“Hajde”, tha. Afrohem dhe i qes dokumentat. Ia jap dokumentin e Legatës, atëherë tha “mirë se erdhe”, më futi  atje në dhomë.

Kurrgjë. Rrinin urtë, ata rrinin në roje, ndigjonin, unë rri n’heshtje, as më pyesnin, as më bânin kurrgjë. Veç më shikonin për seri, si me qenë unë najfarë specie e rrallë, naj alien. Dhe dikur mbas nja gjysë ore ose një orë, nuk di, vjen një nëntoger, ka qenë i ushtrisë.

“O mirë se ke ardhë”, me nja tre-katër ushtarë. Siç duket nga ‘i repart atje, ku mund ta kishin vendin ata, ishte vonu ai.

Po, qajo ka marrë shumë. Mua këta shokët ma kishin përgatit një çantë. Kishin futë çokollada, ku e di unë se çfarë, në çantë, dhe nëpërmjet motrës së nënës ma prunë aty.

Edhe unë e hapa, i thashë: Merrni çokollada, merrni.

Unë s’disha ça ka e ça s’ka atje. S’guxojshin ushtarët. I thashë: “Thuj, mor le të marrim!”

I tha: “Merrni!” Atëherë, morën ka një çokolladë. E di, s’guxojshin ata ushtarët e shkretë aty....

I hapën nja dy-tri konserva. ”O burrë, pse po i hapni këto kot?” U thashë “as gjysmë konserve s’mund të ha, se unë vij nga kampi që mos pyet se çfarë ushqimi kemi pasë, jam mësu”, thashë. “Mos i hapni kot”, ju thashë.

Nejse, demek për mikpritje.

Dhe po më thotë: “Ndigjo, ti do flesh sonte këtu, në qoftë se ke nevojë me dalë përjashta, lajmëroje rojën, se roja mendon se ke hyrë kështu dhe mundet edhe me të vra pa hiri, pa dashje”.

“Po”, i thashë, “mos u mërzit, se bisedoj”.

Nesër as muhabet, as hiç. Iku ky nëntogeri, shkoi atje ku kishin vendin, e ku di unë ku kishin strehimin ata. E, të nesërmen erdhi nëna me gjithë tezen. I sollën me një kamion. Ato nuk i përcolli kurrkush. Nëna, me gjithë tezen, erdhën me rrobat e trupit, me disa plaçka sa më thanë. Aq!

Edhe një djalë i tezës që ka qenë i mbështjellun, themi ne, me gazetë, i lym me vaj e me ufull, erdhi me kamion deri në kufi. Masandej e kam marrë vesh. “Qysh ke bâ, qysh erdhe ti deri aty?” Tha: “Mu më ndaluan rojet kufitare. Kur u nis kamioni, unë kam vrapu, jam kap mbrapa kamionit e s’mujtën me më zânë ata, dhe erdha deri këtu me më pa a vërtetë, ishte hapë fjala, a e qitën në Shqipëri apo e kanë çu e kanë ekzekutu dikund. S’dijshin çka po bâhet. Isha siguru me e kthy fjalën atje që unë isha gjallë”. Po mirë.

Surroi: Përshtypja e parë në Tiranë.

Gjakova: Më çuan në Kavajë, aty ku kam lindë. Shtëpinë që e kemi pasë e kishin zënë dy oficerë, dy ushtarakë. Ma liruan gjysmën, një dhomë e një kuzhinë. Ato plakat flejshin në kuzhinë, e unë flejsha në dhomë. Qashtu ajo kuzhina për gjithçka. E më lanë aty. Më dhanë një ndihmë në Kukës, ndejtëm nja një javë në Kukës me pritë, e në Kavajë më lanë disa kohë, nuk di sa ditë, dhe pastaj drejt e në Tiranë.

Më thirrte në Tiranë edhe bâni për hetuesi sui generis, Demek, me ndihmu Sigurimin e Shtetit, a në të vërtetë ajo ishte një lloj hetuesie, me pa kush jam, çka jam, tek jam, si jam, mos kam ardhë naj agjent, mos kam ardhë naj lidhje, mos kam naj kështu, mos kam... ku ta di unë se çfarë mendonin. Edhe një javë më mbajtën në hotel. Bile po më pyet njëri nga ata oficerët e Sigurimit, tha: “A ke udhëtu ndonjëherë me aeroplan?”, demek me pa, se dihet se agjentët lëvizin shpejt. Edhe unë qesha, thashë: “Unë mezi kam pasë pare me nxjerrë bileta autobusi e jo për aeroplan.

Surroi: Ky është momenti kur ty të hapet dosja.

Gjakova: Momenti i parë, Sigurimi e hap dosjen.

Mirëpo, kërkova për studime. Nisa lutje Ministrisë së Arsimit, lutje Komitetit Ekzekutiv të rrethit Durrësit, as që mora përgjigje që e kemi marrë ose s’e kemi marrë lutjen. Shkoi viti i parë. Mësues në Kavajë, më vnun aty, në tetëvjeçare, për gjuhën edhe leximin letrar, letërsinë.

Bëj lutje, kërkesë, prapë vitin e dytë. Absolutisht as përgjigje që e kemi marrë, as e kemi marrë lutjen për studime. Më thonë ata emigrantë nga Kosova, “të gjithë neve na ka Sigurimi në dorë çka thonë ata bân Komiteti Ekzekutiv, Ministria, të gjithë, po është një burrë atje, në Sigurim, që e kemi taku, e njohim, e që nuk të rren. Thotë: Po, jo, po, jo.

Po mirë thashë edhe unë, “po”, “jo”, më sjellin studime, s’më sjellin, ta di ta flej mendjen, natën e mirë, kurrgjë kurrkujt.

Shkoj e kërkoj këtë burrë.

Unë nuk e njihja, ai më njihte, ma kishte pa dosjen time atje të Shërbimit. Doli. Hymë në klub. Muhabet, kafe, konjak, për Kosovën, jo po kështu, jo po ashtu dikur mbas nja njëzet minutave e pyes unë: “A mendon Byroja Politike për Kosovën?” U mbështet për karrige.

Këta shokët e mi që më thoshin, jo budallë, po super budallë.

“Si e ke bo këtë pyetje? Ti e ke vu në dyshim Byronë Politike. Byroja Politike mendon për gjithë botën, për gjithë proletariatin, për gjithë kështu ose s’pa mendon për Kosovën. Si e ke bâ këtë pyetje?”

U mbështet për karrige, po më shikonte unë po e shikoja qetë. “A e di që mos me të njohtë, unë tashi t’i vej hekurat e të çoj n’burg?”

“A e di”, thashë, “që të mos më kishin përshkru se çfarë burri, je kurrë s’ta kisha bâ këtë pyetje?”

“Çohu!”

Kemi fillu odiseadën nëpër Tiranë, nga ora dhjetë pa njëzet e deri në orën dy mbas mesnate duke u sorollatë kafe më kafe, ai ishte një ndër ata me shumë peshë në Ministri të Brendshme, me familje shumë të fortë, pesë vëllazën, një vëlla ishte gjeneral, i ka pasë gradat në ushtri, tre ishin në Sigurim të Shtetit, ky ishte kryetari i degës, ashtu e quajtën, kryetar sektorit të Sigurimit që merret me Jugosllavinë.

Surroi: Si quhej ai?

Gjakova: Skënder Backa.

Pimë birrë te “Partizani”, një lokal. Birra t’çon me derdh ujë. Ku është kisha sot, atëherë ka qenë park, Tirana e pazhvillume. “Hajde”, tha, më falni për shprehjen, “t’i përmjerrim ministritë”.

“Jo, i thashë, “unë nuk mundem”.

Tha: “Kur je me mua, edhe ti mundesh”.

Edhe na duke u përplasë: “Pse nuk na bini në shkollë? A luftohet revizionizmi jugosllav, me njerëz me shkollë apo pa shkollë?” ”Jo, me njerëz me shkollë.” ”Pse nuk na bini në shkollë?” Tha: “Ke të drejtë”. Për shumë sende u përplasëm. Po, se unë flitsha lirshëm, se kur e pyeta për Byronë, atëherë u ça ajo, u prish ajo barriera e muhabetit të lirshëm Edhe në fund u sos. Mbylleshin lokalet në orën 23:00, të gjitha lokalet në Tiranë. Vetëm “Dajti” punonte deri në orën 02:00 për të huaj. Aty s’guxonte kush me hy, shqiptarë, zoti na ruajt. Ishte tabu atje. Nuk guxonte kush me hy, se e arrestonin menjëherë. Shkuam atje duke bërë muhabete nga më të ndryshmet Dikur dolëm, tha: “Do vish te unë në shtëpi”.

“Jo”, i thashë, “nuk vij”. Se unë e disha, më kishin thânë që oficerë të ushtrisë dhe oficerë të Sigurimit nuk mujnë me marrë njerëz mysafirë, edhe qofshin edhe të afërm të tyre, pa qenë të sigurt me partishmërinë ata njerëz. “Nuk vij”.

“Jo, jo”, tha do vish. Shkuam kot, se ishte bâ ora dy e mëngjesit, deri në orën katër u shtrimë sa me thânë. Në orën pesë e kusur u çova unë me e marrë trenin me shku në Kavajë me u kthy.

Kjo ka qenë ajo përshtypja e parë, mirëpo... këtij njeriu i lashë një përshtypje të jashtëzakonshme unë edhe u bëmë jo qytetarë, po u bë miq dhe shokë.

Unë kam bisedu me këtë njeri, mbarë e mbrapsht gjithçka ma vonë. Një herë po më thotë kështu: “Ndigjo, mos bisedo, mos fol kurrkund, as në shtëpinë tânde”, se ai e dinte që më përgjojnë, po s’ishte sektori i tij, sektor tjetër dhe as mos i beso jakës së këmishës. Vetëm këtu në shtëpi teme, se këtu mu nuk më përgjojnë”, e në shtëpinë tij kemi bo muhabete për gjithçka. Ne nuk bâjshim muhabete me e prish Shqipninë, po, ma së kollajti që bëhesh, ndaq parti, ndaq pushteti, ndaq kështu, ndaq për Kosovën, ndaq për trajtimin e për tjera, etj.

Edhe një ditë po më thotë, në shtëpinë e tij ku po bisedonim, tha: “Ndigjo, a e di që me na ndigju Sigurimi mu më rrjepin, po edhe ty t’pushkatojnë?

Surroi: Ti e ke marrë dosjen e Sigurimit.

Gjakova: Po. “Ndigjo” tha, “në midis tjerave në Ministri të Brendshme është një listë, këta njerëz nuk duhet të dalin kurrë nga burgu”.

Di plot raste, por një rast po e them. E kishin dënu njërin më njëzet vjet burgim, heqje lirie. I mbajti 20 vjet dhe u përshëndet me shokët e burgut... Po lirohej, se i mbushi 20 vjet. Doli andej, pas 70 metrave, dy oficerë të Sigurimit: “Ti je filani? Hajde... ti je armik i popullit, në burg, dhe ia dhanë edhe dhjetë vjet të tjera, po veç s’duhej me dalë kurrë nga burgu.

Më 1969, e hoqën nga Sigurimi, e çuan drejtor shkolle me rrogë më të mirë, me makinë, drejtor shkolle. “E di” thashë “pse po të heqin? Sepse ti u familjarizove dhe atje në dosje e kam shënimin, ‘ky po e mbron’, për mua, ku me ditë. ‘Po e mbron, siç duket ky i ka dhënë pare”. Unë s’kisha parë për vete, po kanë qenë kësi farë horrash, kësi farë beterash...

Surroi: Ti ke qenë nën përcjellje, ke qenë i përgjuar...

Gjakova: E tashi, në vitin 1967 u bâ plenumi i Lidhjes së shkrimtarëve e artistëve për letërsinë dhe artet. E unë e mora fjalën aty, ma kërkun fjalën. Edhe diskutova që trajtimi..., e botova librin e parë “…Dhe thonë se ka paqe në botë”. Ai i tronditi krejt, sepse ishte një poezi ndryshe.

Atëherë shkruhej:

Kali fluturon, Partizani shkon ky-këtë, vër-vër-vër, kurrgjë

Kjo ishte një poezi ndryshe dhe ata shokët e mi kishin thënë na erdhi një Migjen i ri... për mua. E nejse, e kam edhe shokë dhe të gjallë janë të dy.

E mora fjalën. Trajtimi i temës të shqiptarëve të Kosovës të përvuajtun, të persekutum, të burgosum, të masakrum etj., është një ndihmë që i jepet Partisë së Punës për ndihmën kundër revizionizmit jugosllav, sepse atdheu është më i madh se shteti.

U çu sekretari i Komitetit të Partisë të Rrethit Tiranë e tha: “Unë ty ta pres fjalën. Këto i ka përcaktu Stalini”. Dhimitër Shuteriqi tha: Shoku Agim po tregon një “suspicio”. Dyshim ndaj partisë... dhjetë minuta pushim! Dolëm në korridor e unë ndeshem me sekretarin, bam e rramë, bam, bam, e tjera...

I thashë, edhe unë e kam lexu Stalinin, por Stalini siç duket nuk i ka pasë parasysh rrethanat tona. Çka m’i thanë, me e sha Stalinin më çojshin edhe mu në burg

Surroi: Veç ta rikapituloj. Ti në Jugosllavi ndiqesh, sepse kërkon të drejtat për qytetarët e Kosovës.

Gjakova: Në Shqipëri ndiqesha, sepse nuk isha i disiplinum me mësimet e Partisë dhe se krijohej dyshimi që nuk jam bash taman atëherë, po ishin interesat e caktume se kish njerëz që e dinin atë punë. Ashtu duhej, ashtu i kishte thënë Enveri, filloi mu hap pak... do të dalim edhe tjetër trajtimi.

Pra, e kam fjalën që gjatë gjithë kësaj kohe, pastaj i thashë sekretarit:

“E diskutojmë këtë punë kur të duam”.

“Mirë”, tha, “hajde në zyrë”.

Sekretari i partisë, mbas një kohe, shkoj në zyrë, hyj atje. Ulem. “Ju kosovarët jeni të gjithë mikroborgjezë “

“Uuu, shoku sekretar, në radhë të parë nuk guxoni ta fyeni një popull të tanë. E dyta, nuk guxoni as mu të më thoni pa argument. Po me ju nuk u bisedoka” edhe u çova. Bam! E ktheva shpinën e pa thënë ditën e mirë, pa kurrgjë.

“Unë mendova në mos erdhe për naj çështje personale, a di, me ndihmu”.

E ktheva pak kryet, “Kam shumë çështje personale”, isha pa shtëpi, pa kurrgjë, “Po me ju nuk kam muhabet”...

Ajo sekretarja që merrte shënime e fut kokën, se nuk kishte dëgju t’i flitet sekretarit të partisë kësisoj. Edhe dola atje, ia përplasa edhe derën, bile.

Thanë ata shokët: “Ça bân mor ti kështu?”

“Po lene mâ, le ta bâjnë pushkën në top, se nuk bâhet kiameti”. Edhe kjo ka qenë përplasja e parë me Partinë.

E më thërret ky Skënder Backa. “Hajde more këtu, hajde more, hajde more këtu, se e ke në tavolinë të Manush Myftiut”, Manush Myftiu, zëvendëskryeministër, “o me të burgosë, o me të internu... veç se po pritet për firmën e tij”.

“Ani?”

Tha: “Falë atij oficeri të Sigurimit, që ka qenë roje aty, i cili ka qenë i detyrum me deponu çka po bahet në plenum, falë atij..., ma jep me shkrim ça ke fole”. Jua dhashë me shkrim, krejt. Te nesërmen thirri. Edhe ai ishte qetësu, ishte qetësu shumë. E më tha kështu:  ”Janë përputhë fjalët e tua me të oficerit, me fjalë tjera, ashtu siç ke thânë ti, ka thânë ai”.

“Paska qenë, thashë, njeri i ndershëm”.

“Po shumë i ndershëm, se përndryshe s’e kishe pa ma diellin me sy”.

Kështu ishte përplasja e parë. Pastaj, mbas kësaj, u hap dosja. Filloi gjysmë izolimi, gjysmë injorimi, të gjitha sendet tjera...

Surroi: E kam gjetur një poezi tënden, e cila po më duket i reflekton këto. Është “Hija”: 

Patën njëherë një gëzim të madh

se ma zunë hijen

Unë po i shikoja në zgripc të kohës,

Lëmshit të shpirtit s’po m’ia gjenin fijen.

Edhe ky po më duket ilustrimi ma i mirë i asaj kohe.  Gjakova: Po, është reagimi i saj. E ka pasë masandej. Ramiz Alia më spikat mua, më kritikon.

Unë shkrova romanin “Kërkim i së vërtetës”. U kritikova për dy çështje: për ahistorizëm, që i kam thënë sendet hala pa i thënë partia dhe e dyta për nxirje të realitetit, nuk e kam paraqitë realitetin mirë, e kam nxi, aty s’kisha nxi kurrgjë unë, ai realiteti ka qenë edhe ma i zi se ç’kam shkru unë atje.

Më thërret Xhevahir Spahiu. Ka qenë në Lidhjen e Shkrimtarëve, shok, flitshim pa protokoll: “Gimi tha do të them diçka, tha po ti e di, tha që po më doli, e hamë ti dhe unë bashkë. Ka ardhë nji shkresë nga Komiteti Qendror, nga Byroja Politike, ku thuhet: ‘Shkrimtarët dhe artistët të cilët janë të destinuar të gabojnë ideologjikisht gjithmonë’, janë nja dhjetë-dymbëdhjetë veta dhe meqenëse ty të fillon emri me ‘A’, je i pari në listë. Gim po të tregoj, duhet me ditë, m’u rujt”.

Le t’i bâjnë sa të kenë qejfin, unë ky që jam, jam, thashë s’kam ç’bëj...

Surroi: Domethënë, partia ka ditë që ti ke me gabu.

Gjakova: Po, patjetër... Vrima e miut treqind grosh ka qenë “Hotel Dajti”. Kur u hap pak dera, që vinin këta shokët e mi, unë shkojsha me i taku pa pyet Sigurimin fare.

Surroi: Shokët e Kosovës?

Gjakova: Po, prej Kosovës. Bile, dolën një herë, o Agim, po më thonë këta kush kishte ardhë... Ali Aliu, Ali Podrimja, Rrahman Dedaj, Nazmija...: Dolëm andej karshi ‘Dajtit’. “O, Agim, na po të shohim që po të survejojnë çdo minutë. Po ne po kemi qejf me nejtë”.

Thashë: “Le të bâjnë ça t’dojnë!” Me fjalë tjera, plasi damari.

Ai vjen, thuajse ora dhjetë pa dhjetë e natës. Po bâheshim gati me time shoqe me ra në gjumë, se do shkonim nesër në punë. Kur troket dera bam-bam, qe Rexhep Ismajli, kryetari i Akademisë, bashkë me Ibrahim Rugovën...Rexhepi kishte qenë më përpara një herë. Hajde mirë! Muhabete etj.. Ju kallxova kush jam, çka jam, qysh është hesapi.

“Çka mujmë me mësu nga Shqipëria?”

“Nga Shqipëria”, thashë “mësoni një gjë”.

“Çka?”

“Kanë një organizim shumë të fortë, që ju nuk e keni, ju shqiptarët, nuk e di çka kanë në Serbi”.

U krijua një degë për Kosovën. Mehmet Karakushi vjen: “Agim, hajde, si ti mundesh me na ndihmu.

Mirëpo, plasi damari, gjithkund survejim, filloi survejimi 24 orë.

Surroi: A i njifshe?

Gjakova: Oficerët? Po i njihsha se e bâjshin në mënyrë tejet vullgare. Shkojsha unë në kafene, ulesha me shokët dhe vijshin e uleshin, si ata dy djemtë aty që janë, aty rrijshin. Hecsha unë rrugës e ata vinin 30-40 metra mbrapa meje. Survejim total.

E në dosje, e mora dosjen e Sigurimit. Aty thuhet: “Agim Gjakova kështu- kështu”. Do të flas më vonë për këtë. Dhe, pra, m’i ketë bazë, e filloi kështu... m’u bâ pushka top! Le të bëhet pushka top e tyre, e le të bëjnë ç’a të kenë qejf! Këta shokë të mi, m’o bre, m’o bre, a po e sheh se i arrestuan mbi shtatëdhjetë e kusur kosovarë pa faj. Se t’bânin faj, hajde...

Surroi: D.m.th., kosovarët konsideroheshin në rrezik.

Gjakova: Po me rrezik, sepse Pirro Bita, ka qenë në atë kohë sekretar i Sekretariatit, i mblodhi të gjithë sekretarët e partive të rretheve, të komiteteve të rretheve dhe tha: “Jemi detyruar ta hapim kufinin, pak a shumë, por duhet ta dini të keni kujdes që kosovarët janë të molepsur nga ideologjia revizioniste. Sigurimi duhet ta dijë ku me ke po takohen etj.”.

E para pikë e punës, kjo s’ishte fare për mbrojtjen e Shqipërisë, po ishte thjesht për me i kallxu Enver Hoxhës se po bëjnë punë, e kurrfarë pune nuk bënte Sigurimi, për me e zbulu armiqtë, bile aty duhet të kenë qenë mbrenda armiqtë e shtetit që dolën ma vonë edhe agjentura e huaj.

Edhe e marr dhe i shkruaj një letër ministrit të Brendshëm, i them: ”Shqipëria e la Kosovën në vitin 1944 në duart e shkaut, serbëve. Enver Hoxha nuk është kujdes për popullin e Kosovës. Kosovarët nuk trajtohen mirë në Shqipëri. Në rast se ne në Kosovë do të ndërmarrim diçka tjera, Shqipëria as që e çan..., me nder me thanë, nuk e vret mendjen me na ndihmu”.

Këta shokët e mi kur dilshim, tregojshim humor, muhabete e anekdota. Kur u thashë kështu, kështu, rrishin më këqyrshin në heshtje. Mendonin çka do bâhet tash me këtë shokun tonë?

Me thërret ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, dhe zëvendësministri, që ishte edhe drejtor i Sigurimit të Shtetit shqiptar, Rexhep Kolli.

Unë e thâm atje midis të tjerave: “Kur oficerët e Sigurimit më shohin që takohem me vëllezërit e mi t’Kosovës e thartojnë fytyrën”.

Kadri Hazbiu më thotë: “Je shprehë pa respekt për oficerët e Sigurimit, se ata e kanë detyrë”.

Thashë: “Jo të gjithë oficerët. Jua jap emrat kush e tharton fytyrën, në qoftë se doni”.

“Mirë, merru ti”, i tha atij Rexhepit, ai doli në zyrën e vet. Me Rexhep Kollin bëmë muhabet nja 40 minuta. Unë e dijsha që këta s’kanë n’dorë, se gjithçka i ka Enveri, po që janë kaq të nënshtrum nuk ma merrte mendja. Merre me mend shefi i Sigurimit, me qenë nën frikën e Enver Hoxhës aty.

Edhe dikur i thashë: “Shoku Rexhep, ju duhet ta dini nji diçka”.

“Urdhëro”, tha.

Unë thashë: “E dua Shqipërinë më shumë se oficerët tuaj që më survejojnë natë e ditë”.

Agim Gjakova doli nga shtëpia në orën shtatë e njëzet e një minuta. U nis kësaj rruge, takoi filanin, qëndroi kështu, shkoi në punë, kështu takoj, piu kafe me këto, bâni kështu, u kthy në shtëpi në orën nëntë pa ‘i çerek, po bie fjala. Krejt njëzet e katër orë i vezhgum. Veç kur kam qenë në shtëpi, veç nuk m’i kanë përshkru edhe bân vaki edhe çka kam pa andërr me ia qëllu.

Krejt në dosje. Ky që ma përgatiti dosjen është jurist, tha: “Ka kërku drejtoresha, quhet ‘Autoriteti i trajtimit të dosjeve të Sigurimit’, m’u taku me ty.

“Pse mor, thashë, është bo merak drejtoresha në mua?”

“Atë nuk di”, tha.

Dola me të, u përqafuam.

“Si ka mundësi, ato që ke t’i n’dosje, që ke firmosë me firmën tande, njerëzit të gjithë janë pushkatu ose janë dënu me burgim të përjetshëm, ti s’ke bâ asnjë ditë burg? Është enigmë. Ti në këtë mjedisin tonë...”, se i kishin thënë edhe dhëndrit, burrit të vajzës ma vonë..., sot është kryetar i Bashkisë së Shkodrës, i kishin thënë: “Çka e ke atë vjehërr mor? Te ne është hero, ai që ka në dosje, zoti na ruajt çka ka shkru me dorën e vet”.

I thashë: “Drejtoreshë, mua nuk më ka shpëtu Perëndia, se nuk e besoj. Nuk më ka shpëtu as ndonjë me thanë Hysni Kapo, hajt se e falim këto. Mu më kanë shpëtu vëllezërit tu dhe të mi në Kosovë. Vëllezërit tanë thashë janë doktorë të shkencës, janë rektorë, janë profesorë, marrin pjesë në simpoziume ndërkombëtare, janë gazetarë të shquar, etj... A e besojnë ata, se më njohin shumë mirë, që unë kam ardhë me e prishë Shqipërinë?”

”Jo” tha.

“E kjo”, thashë, “ata vëllezërit e mi më kanë shpëtu, edhe shokët e mi kanë thânë veçse ti ke qenë i njohur këtu me familje, me shokë, se ndryshe edhe ti bashkë me ne kishe ardhë me bâ burg”.

Se kanë bâ burg! Të gjithë ka dhjetë vjet. Katër veta i dënuan... e dënun një me pushkatim, ia falën jetën, një tjetër, një inxhinier e dënun me 17 vjet burg... kot, mos pyet, ‘... kallxo qysh ke dashtë me e vra Enver Hoxhën’... pa i shku njeriut fare në mend. A po e kupton lojën e Sigurimit. Duhej me i eliminu, mos me i lanë kosovarët në jetën publike.

Surroi: Këtu ti e merr identitetin kosovar faktikisht.

Gjakova: Po natyrisht.

Surroi: Në dosjen e Sigurimit çka gjen?

Gjakova: Në dosjen e Sigurimit janë 104 emra oficerësh, drejtorë të drejtorisë, operativë, oficerë të Sigurimit, që janë marrë drejtpërdrejt ose tërthorazi, kur them tërthorazi, kishin pyet drejtorinë e Korçës: “A ka naj të dhanë për mua”. Ai është përgjigj tërthorazi, s’më ka njoftë e s’ka ditë se unë kam qenë në Korçë, po s’ka. Ai përgjigjet jo, thotë, nuk kemi ndonjë të dhënë për të.

E të gjithë i kanë pyet prandaj po them, kanë qenë ata që janë marrë drejtpërdrejt, janë 58 pseudonime, bashkëpunëtorë të Sigurimit, që kanë marrë detyrë me zbulu këtë armik shumë të rrezikshëm të Partisë dhe të shtetit që quhet Agim Gjakova.

Surroi: A i njeh?

Gjakova: Një pjesë të mirë, po.

Surroi: A ke bisedu me ta? Mbas rënies

Gjakova: Jo, m’i kanë zbardhë nja 11. Të gjithë kanë vdekë, po i disha disa. Disa nuk i njoh, i di kështu me hamendje, po mund të jenë, mund të mos jenë. Po më kanë bâ përshtypje disa kolegë, shkrimtarë, bile një kosovar, të cilin e kam ndihmu për gjithçka. Më së mbrami edhe e kam martu, si thoni ishte i lanun. Ishte ndër denoncuesit më të mëdhenj, me 84 denoncime kundër meje.

Surroi: Me pseudonim a pa pseudonim?

Gjakova: Me pseudonim, po unë e disha që më përpara që ky është mbrenda atje, por nuk e disha që po bën kaq shumë pisllëqe, si më thanë.

Surroi: Çka është denoncimi?

Gjakova: 40 mbledhje të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit me hartu programin, me i dhanë porosi njënit e tjetrit, porosi të veçanta qysh me mujt me zbulu mua dhe bile njeni atje, ka qenë drejtor ai një kohë i Sigurimit, i thotë: “Lëreni mos i jepni këtij udhëzime, nuk e kupton që ky e ka kuptu”, për mu. Unë fillova me bâ edhe lojën, aq si budallë, superbudallë, i folsha diçka që disha që i çon në Sigurim. Menjëherë, prandaj e ka kuptu. Tha nuk e kuptoni, ky e ka kuptu që ky është i shtimë.

E denoncime, bisedum për këtë e kështu.... Unë i bâjsha edhe disa prova, kur them prova, do provokime këta shokët e mi: “O ti, mos u bâ krejt i lanun prej truve qysh provokohet tha një institucion, një Sigurim, që të rrjep?”

Unë thashë: “E kam përgjigjen kur ua bëj provokimin atyre”, për organizim, për kështu, për Kosovën, për të tjera, për Partinë, se natyrisht, unë e lavdojsha forcën e Partisë, po me forcën e Partisë duhet me u bâ kështu-kështu. Po ajo kështu-kështu ishte kundër Partisë, domethënë janë ato... mos me mujtë me më kap në fjalë. Qeveria ka krahun e madh, dorën e madhe, bon ça do me ty.

Surroi: A të kanë ardhë në shtëpi provokatorët?

Gjakova: Aty-këtu ndonjë, po. Kanë ardhë

Surroi: Edhe të kanë denoncu, t’u nejtë në shtëpi te ti.

Gjakova: E kishin detyrë.

Ndigjo. Kanë qenë dy llojesh. Kanë qenë njerëz, të cilët e kanë pasë për një arsye ose një tjetër, kanë shku me vullnet, si të thuash, kanë qenë disa, të cilët kanë qenë me detyrim.

Du të ta tregoj vetëm me një rast. Vjen një kosovar nga Durrësi. ”Hajde mor si je? A je me pi kafe?” ”Mirë, mirë”, tha: “Prit!” ”Ça ke?” Ishte pak si ashtu... ”Ta them, ta them!” E shkum edhe u ulëm. Pa një herë anej-knej nëpër kafe. ”Ndigjo” tha, “më ka thirrë Sigurimi n’Durrës. Më kanë thënë me ardhë me nejtë me ty e me të nxjerrë fjalë. O burrë, çka me thanë unë?”

“Aiiii, këtë e ke hall, a?”

“Po, e kam hall, me thanë jo s’du, qysh me thanë? Me thanë, çka me thanë për ty? Hë, kallxomë”.

“Thuaj që kemi bisedu për sport e për femna dhe natën e mirë”. S’ka dashtë me hy andejpari. Ka pasë edhe këtu. Shokun tonë të njohur... ora dhjetë, po do me ra në gjumë i shkreti, kish me shku nesër në punë, troket dera bam-bam kur del, dy oficerë. ”Hajde me ne!”

Atje në burg ia hapin derën e qelisë: “O hyn këtu, o firmos!”

Kishte dy fëmijë. I bie tavani, i bie hana mbi krye, e shembin fare. E firmos.

Mendonte për ata dy fëmijë, se po hynë në burg, t’i merrshin fëmijët e t’i çojshin në kamp e një pjesë e fëmijëve, se hajde të rritunit edhe kanë mbijetu në atë mjerim në baltë deri në gjunjë, pa bukë e pa dreq..., fëmijët me konstrukt ma t’dobët kanë vdekë, janë të sëmurë etj... ça do të bâhet me fëmijë.

Edhe ne, me time shoqe, këtë punë e kemi pasë. Thjesht, absolutisht, çka do të bahet me fëmijët tanë, po për ne le të bëhet ça të kenë qejf.

Surroi: A ke pasë ndonjë leje?

Gjakova: Leja jo. Një ditë, fëmijët i kishim hala pa fillu shkollën, njeni katër vjet, tjetri gjashtë vjet, atë verë do hinte në klasën e parë djali. Dita e diel, unë po lexoj gazetën “Drita”. Ulun në divan. Ajo po shtronte drekën. Ashtu si ajo zhurma e pijatave me lugë tok, tok, tok, ta tërheq vëmendjen.

Po u bë një qetësi, s’po ndihet kurrgjë, s’po ndihet as lëvizja as ajo, asgjë. Dhe instinktivisht u çova. Kur çohem, ime shoqe, ndjesë pastë, n’kambë, pranë tavolinës. I shkonin lot.

Ka qenë një bukë, kështu, pesëdhjetë lekë kushtonte, me thikë në dorë... ”Çohu” tha, “preje bukën, se s’kam fuqi”.

Survejimi total 24 orë i asaj dhe i jemi, se edhe gruaja nga Kosova, e kishte mposhtë, e kishte dërrmu. “Çohu se nuk kam fuqi. Dhe në qoftë tha se duhet të na arrestojnë, ishalla më arrestojnë mu, se ti je ma i fortë fizikisht, shëndetësisht, dhe diqysh i bënë hallin me këta fëmijë”.

I thashë: “Gru, mos u mërzit se ne nuk na arrestojnë”. Kot ajo fjalë... edhe shokët e mi, o jo more, Agimin nuk e arrestojnë ... çka m’i thânë? Edhe e dinte, po hajt mâ, me kalu.

Pra, ka qenë jetë ça t’them..., megjithatë ka pasë njerëz, të cilët ma çuan, ma botuan një intervistë atëherë në “Gazetën Nacional” në Tiranë edhe më pyet ai: “A ke pasë shokë, kolegë në Tiranë?”

“Po. Kam pasë dy shokë ,Fatos Arapin, me të cilin kemi bisedu pa protokoll, koleg, edhe Xhevahir Spahiun. Ka pasë kolegë tjerë. Pandeli Koçi, me të cilin rri edhe e njoh që nga viti 1963. Edhe ai është afru, gjithmonë ka pasur të tillë. Bile i kanë thënë, vetë më ka thënë: “Pse rri ti me atë kosovarin?”

“Rri se është koleg, shkrimtar”. Domethânë, deri aty ka mbërri.

Pra, ka pasë njerëz të cilët në një mënyrë ose tjetër e kanë pranu: “Oh, bre, kishim qejf me nejtë, me kështu po kishim frikë, shqip ta themi, kishim frikë dhe se ju keni qenë shënjestër”. Gjithë kohën kemi qenë shënjestër. Edhe gjithë kohën, nuk dihet se çka janë këta kosovarët, dhe mund të jenë agjentë të UDB-s, dhe mund të jenë kështu, mund të jenë ashtu...

Surroi: Ti ke pasë edhe telashin tjetër, se motra ka mbetë këtu.

Gjakova: Po, plus ajo. Vinte Nazmia për turizëm dhe i bënin kontroll atij e këtyre.

Surroi: Nazmiu është dhëndri... A ke mendu ndonjëherë në momentet më të vështira, se ndoshta duhesh me kalu me ikë në Kosovë.

Gjakova: Jo, nuk e kam mendu, sepse ikja jeme ishe falimentim total i fëmijëve, i grusë, etj. Po bie fjala një.

Po unë, kur kam qenë në kamp përqendrimi, kam mujtë me shku ndaq në Austri, në Itali, se të qitshin vetë - ik! Ik, the qafën!

“Prej këtu nuk del i lirë në tokë të Jugosllavisë”. Unë thashë: “S’më ka marrë malli për tokë të Jugosllavisë, m’ka marrë malli për Kosovën teme”.

“A do me t’qit tha n’Itali apo n’Austri?” I merrshin natën e i qitshin me i heqë qafe, me i degdisë.

Surroi: Për me vazhdu në Amerikë?

Gjakova: Po, unë i thashë jo. Nuk du. Nuk du, nuk du. I kam bo pyetjen vetes: Sikur të kisha shku në Perëndim, nuk do isha ky që jam.

Perëndimi nuk më kish ngucë kush. Do gjejsha një punë, po nuk mund të isha, në pikëpamje të krijimtarisë, ose shkrimtar ky që jam.

Pavarësisht vuajtjeve, izolimit e tjera, se dosja ime është 1.128 faqe.

Isha me një të burgosur politik, që e kanë dënu dhjetë vjet, shok i joni dhe nuk e lëshuan mas dhjetë vjete, por e lëshuan edhe 60 ditë ma vonë. Edhe unë i thosha: O Esat, këto 60 ditë i ke kamatë për ato dhjetë vjet... me humor. Shokët.

Agimi e ka një ndër dosjet më të mëdha në Sigurim, me 1.128 faqe, çka s’ka në atë dosje.

Surroi: A ke me e botu?

Gjakova: Jo, s’e di, njëherë përnjëherë jo, nuk e di.

Një Zylyftar Ramizi, një kriminel, nëndrejtor i Sigurimit erdhi.

Unë i bëj një letër Komitetit Qendror, i them me ma dhanë një pashaportë me më leju me shku në Gjermani për me shkru një roman edhe me taku edhe Shqipen, se s’i jepeshin vizat asaj, nuk e lejshin me ardhë.

Edhe thotë: “Ky tha ka dashtë me na e prek pulsin neve, me pa qysh do reagojmë”.

Surroi: Dhe ti e kalon një kohë të gjatë në të dy shtetet, duke kërkuar të drejtën për Kosovën, dhe në vitin 1999, mbas sa kohe kthehesh në Kosovë?

Gjakova: Kur filluan bombardimet, unë merresha me djemtë që iknin. Edhe qeshë nismëtar për krijimin e një brigade, me djemtë kryesisht nga Gjakova dhe të tjerë, dhe nga ajo brigadë u vranë pesë djem. U vranë, në përleshje, jo u ekzekutuan, po u vranë tamam

Surroi: U vranë, ku?

Gjakova: Në kufi dhe në përleshje me forcat...

Dhe ime shoqe më thonte “...more burrë po del në orën gjashtë mjesit e po kthehesh në orën dymbëdhjetë natës”.

“Po moj grua ti a po sheh çfarë po bahet”..., ishte koha e bombardimeve... Djemtë s’kishin bukë me hângër, as kujdesej, s’e çante kush kryet për këta që kishin ikë dhe dojshin me u kthy me luftu për Kosovën.

Atëherë m’u desht, me forma nga më të ndryshmet, m’u mundu m’i strehu, m’i ushqy, dikë-dikë edhe m’i vesh besa. Dhe dikë me çu te doktori. Mora i shkrova këtyne që ishin në diasporë, në Zvicër, kisha shokë, m’i çuan nja 16 mijë franga. Iu gjeta një banesë me qira, i strehum aty disa djem.

Iu thashë: “Djem, këqyrni qe ku i keni, bleni miell, bleni vaj, bleni sheqer, bleni oriz... këtu nuk është me dalë nëpër hotele, nuk kemi pare, qato i kemi një herë”...

Masandej u desh me i mbledhë nëpër Tiranë..., iu dhashë edhe ka 50 marka, ishin gati dyqind djem që vijshin ka 50 marka me dalë, se djem të rinj, hajt me dalë me pi një kafe nëpër Tiranë, e nejse.

Kur edhi puna që u bâ për m’u kthy po më thanë disa që i kishin përzanë prej këtuhit, do gazetarë, do kështu, të Kosovës, e ke parasysh, “O baca Agim, NATO-ja e shtyn një javë, shtyje edhe ti një javë, na ndihmo”..., dojshin do ndihma me ua gjetë.

Iu thashë, me nder më thânë, “mos hani shumë, se ju sa keni ardhë. Baca Agim ka 39 vjet e 15 ditë që nuk u është kthy në Kosovë. Më 12 qershor unë do hyj me gjermanët në Prizren. Më 12 qershor, e ju bëni çka të keni qejf, rrini këtu qysh doni. Ndaq rrini edhe krejt, se po jua lëshoj vendin me ndejtë në këtë Shqipëri që e keni andrru gjithë jetën, e me e pa qysh është, e qysh ka qenë”.

Pra, mbas 39 vjete e 15 dite unë hi e kthena dhe e gjej Gjakovën shkrumb.

Surroi: Kënd e gjen prej njerëzve që i njeh në Gjakovë.

Gjakova: Në Gjakovë? Gjej tre djemtë e djalit të tezës. Djalin e tezës e kishin arrestu në Pozharevc s’e di ku i patën majtë 150 gjakovarë. Gjej disa shokë, gjej Qamil Gexhën, shok klase, shok mahalle, të cilit ia kishin ekzekutu djalin, të vetmin djalë.

Çka them... edhe unë e thom:

Erdha!

Shkrum’in po ta laj me lotët e mi

Krenë, mësoma rrugën,

të mos shafitem ma udhëve të botës

Surroi: E bukur shumë. Të faleminderit shumë!

Gjakova: Faleminderit edhe prej jush!