Arbëri

Kosovarët e infektuar me koronavirus, në gjendje stabile shëndetësore

Tri ditë pas paraqitjes së rasteve të para, numri i personave të infektuar me koronavirus në Kosovë, këtë të hënë e ka kapur shifrën prej 15 personave.

Sipas IKSHP-së, dy të rinj që janë kthyer nga Londra në Prishtinë, janë testuar pas kontrolleve në aeroportin e Prishtinës dhe kanë rezultuar pozitivë, raporton KOHA.

Derisa gjendja e 13 personave të tjerë të infektuar me virusin COVD-19, sipas zyrtarëve shëndetësorë, është stabile.

4 personat të cilët u identifikuan mëngjesin e së hënës me virus, nuk kanë pasur nevojë që të trajtohen në Klinikën Infektive në QKUK, pasi që nuk kanë ndonjë sëmundje tjetër, që do të mund t’u sjellë komplikime.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani, ka thënë se të gjithë të infektuarve me këtë virus u është dhënë ndihma e duhur, derisa ka shtuar se rritja e numrit të personave të dyshuar me COVID-19 mund t’i shkaktojë probleme këtij institucioni.

E në anën tjetër, drejtoresha e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj, ka thënë se për momentin kanë mjaftueshëm vend për të përballuar rastet e paraqitura me këtë virus.

Lidhur me personat të cilët gjenden në vetizolim, Ajazaj ka thënë se shkaku që nuk vuajnë nga ndonjë sëmundje tjetër, u është mundësuar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

Fshati Dumnicë i Komunës së Podujevës ka hyrë në karantinë, shkaku i një personi të infektuar me virusin korona.

Familjarët e tij shkurt për KOHËN kanë treguar se ky person kishte ardhur nga Italia më 5 mars nëpërmjet Aeroportit, ku kontrolli i kishte dalë mirë.

Të njëjtit kanë thënë se vetëm shtëpia e tyre është dezinfektuar dhe asnjë tjetër, pavarësisht se në një njoftim të komunës është thënë se kompania ka shkuar për t'i dezinfektuar shtëpitë në lagjen prej nga vjen i infektuari.

Gjatë ditës së hënë, lidhur me situatën në vend Ministri i Shëndetësisë ka takuar drejtues të institucioneve shëndetësore dhe zëvendësministrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Në këtë takim është propozuar angazhimi i mjekëve vullnetarë, në mënyrë që të ketë lehtësime për stafin mjekësor.