Arbëri

Kosova përfiton 64 milionë euro nga BE-ja për zbatimin e reformave në gjashtë fusha

Afro 64 milionë euro do të përfitojë Kosova nga fondet e Instrumentit për Asistencën e Paraaderimit III, nënshkruar të martën mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

Programi do të mbështet zbatimin e reformave në gjashtë fusha të ndryshme, pjesa më e madhe e të cilave do të shkojnë për agjendën e gjelbër dhe për mjedis.

Tomas Szunyog, shef i Zyrës së BE-së në Kosovë, ka thënë se këto mjete do të përdoren për të rritur konkurrencën në sektorin agro-ushqimor në Kosovë dhe për të ndihmuar në arritjen e kritereve ekonomike të anëtarësimit në BE.

“Krahas kësaj, financimi i BE-së do të përdoret gjithashtu për të përmirësuar mbrojtjen e mjedisit në Kosovë, në përputhje me praktikat më të mira të BE-së, dhe për të forcuar kapacitetet e administratës së Kosovës për t’iu përmbajtur standardeve të BE-së”, tha Szunyog.

Nëpërmjet 14 programeve të njëpasnjëshme financiare vjetore nga viti 2007 deri më 2020, në kuadër të IPA I dhe IPA II, BE-ja deri më tani i ka ofruar Kosovës 1.21 miliardë euro ndihmë financiare.

Financimi vjetor IPA III do të kombinohet me 16 milionë euro shtesë nga Qeveria e Kosovës dhe financimi nga partnerët e tjerë, në shumë prej 3.8 milionë eurosh.

“Marrëveshja e financimit për programin vjetor IPA 2021 është e para për projektet në kuadër të fondeve IPA III dhe ne kemi besim se do të përdorim në maksimum të gjithë potencialin tonë për të përfituar nga IPA III, për të promovuar reformat dhe për të arritur standardet e nevojshme për të sjellë Kosovën më afër BE-së”, tha zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

Kjo pako financiare, sipas Demush Shashës, drejtor në Institutin EPIK, jo vetëm se do të mbështesë zbatimin e reformave në integrime evropiane, por do të ketë efekte edhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Fusha që do të përfitojë më së shumti është fusha e agjendës së gjelbër, asaj që quhet agjenda e gjelbër në BE, në kuadër të Kosovës B do të ndërtohen impiantë për ujëra të zeza dhe e dyta do të fillohet me projektin infrastrukturor për zvogëlimin e emetimeve që vinë nga Kosova B”, tha Shasha.

Në kuadër të IPA III, 15 milionë euro parashihen për përkrahjen e investimeve kapitale në komuna me performacë më të mirë të qeverisjes.

14.4 milionë parashihen për mbështetjen e proceseve integruese, mes të tjerash edhe për ndihmë në zbatimin e marrëveshjes së dialogut. 9.2 milionë euro për përmirësim të politikave agro-rurale e 5.5 milionë euro për avancimin e politikave tregtare dhe për mbrojtjen e konsumatorëve. Aty parashihen edhe 3.9 milionë euro për pastrimin e 400 mijë metrave katrorë të prekura nga minat dhe 3 milionë e 600 mijë metra katrorë të prekura nga mbetjet e municionit thërmues.