Arbëri

Kosova nuk u ndriçua në Burj Khalifa, mungoi kërkesa nga Ambasada

Mungesa e një kërkese prej Ambasadës së Kosovës në Emiratet Arabe ka bërë që flamuri i Kosovës të mos ndriçojë në ndërtesën më të lartë të botës, Burj Khalifa. Derisa menaxhmenti i ndërtesës ka thënë se kërkesën për vendosjen e flamurit do duhej ta bënte Ambasada ose Konsullata, në MPJ nuk kanë ofruar sqarime se pse ajo ka munguar

Prishtinë, 18 shkurt - Flamuri nuk u ndriçua e urimi mungoi nga ndërtesa më e madhe në botë, Burj Khalifa, me rastin e 13-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Dhe kjo, jo për fajin e menaxhmentit të ndërtesës që është emblemë për promovimin e shteteve, por për faktin se nuk pati kush ta shtrojë si kërkesë.

Përmes një përgjigjeje në faqen zyrtare të ndërtesës, është thënë se kërkesa për vendosjen e flamurit duhet të bëhet nga ambasada apo konsullata e shtetit përkatës.

“Ju lutemi ta keni parasysh se kërkesa e tillë duhet të bëhet nga Konsullata ose Ambasada e vendit tuaj”, thuhet në përgjigje.

Në lidhje me këtë, “Koha” ka kontaktuar ambasadorin e Kosovës në Emiratet e Bashkuara, Avni Arifi, i cili ka thënë se do të përgjigjet Ministria. Por, MPJ-ja nuk ka ofruar sqarime të enjten.

Deri më tani, ndërtesa Burj Khalifa është ndriçuar me flamujt e shteteve të ndryshme, me rastin e përvjetorëve të shtetësisë së tyre. Të hënën aty u promovua flamuri i Serbisë, e pak ditë më herët u promovuan edhe ata të Australisë, Japonisë e Zelandës së Re.

Më 28 nëntor të vitit të kaluar ndërtesa ishte ndriçuar edhe me flamurin kuqezi, ditën kur Shqipëria shënoi përvjetorin e pavarësisë.

Postimet janë shoqëruar me video 30-sekondëshe në faqen zyrtare të ndërtesës në “Facebook”, e cila ka mbi 2 milionë ndjekës.

Fotografinë e shfaqjes së flamurit kuqezi në Dubai e kishte publikuar edhe ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Avni Arifi.

“Sonte Dubai u zbukurua më shumë se kurrë. Në ndërtesën më të madhe në botë (Burj Kalifa) u ekspozua flamuri kuqezi. Urime Dita e Flamurit, e posaçërisht një urim dhe mirënjohje ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Emirate, z.Ermal Dredha, për këtë të arritur”, kishte shkruar Arifi më 28 nëntor.

Më 10 maj të vitit 2018, Kosova ka hapur ambasadën në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Abu Dhabi.