Arbëri

Kosova nuk aplikoi as këtë vit në Interpol, Serbia e synon Byronë Rajonale në Beograd

Kosova nuk riaplikoi as këtë vit për anëtarësim në Interpol, organizatë që këtë javë e mbajti sesionin e 93-të në Marok. Mungesën e aplikacionit të Kosovës zyrtarët e Serbisë e paraqitën si fitore diplomatike dhe njoftuan se vetë do të aplikojnë për ta hapur në Beograd Byronë Rajonale për Evropën Juglindore të Interpolit

Serbia do të aplikojë zyrtarisht që të hapet në Beograd selia e Byrosë Rajonale për Evropën Juglindore të Organizatës Ndërkombëtare të Policisë, e njohur si INTERPOL. Njoftimin e ka dhënë ministri i Brendshëm i këtij shteti, Ivica Daçiq, në margjinat e sesionit të 93-të të Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit, të mbajtur në Marok, ku Kosova as këtë herë nuk riaplikoi për anëtarësim.

Daçiqi tha se Serbia e ka siguruar mbështetjen e një numri të madh të vendeve të rajonit për këtë nismë, përfshirë atë të presidentit në largim të INTERPOL-it, Ahmed Al-Raisi.

“Ai i kushtoi shumë më tepër vëmendje vendeve që mund të kenë qenë në një pozicion të pabarabartë sepse nuk i përkasin Hemisferës Perëndimore. Ai mbështeti krijimin e më shumë zyrave rajonale dhe ne jemi të interesuar që Byroja Rajonale për Evropën Juglindore të jetë në Beograd dhe ne do të aplikojmë zyrtarisht”, ka thënë Daçiq për mediat serbe.  

Dçiqi ka theksuar se pret që Sekretari i Përgjithshëm të Interpolit, Valdes Urquiz të vizitojë Beogradin në muajt e ardhshëm, për diskutime të mëtejshme mbi formimin e Byrosë Rajonale në Beograd.

Në këtë sesion, Daçiç vijoi lobimin kundër aplikimit të Kosovës në Interpol. Ai tha se Serbia “është djegur më herët” nga tentativat e Prishtinës zyrtare dhe se vazhdon t’i kushtojë vëmendje të posaçme këtij procesi.

Sipas Daçiqit, Kosova nuk ka aplikuar në pesë apo gjashtë vitet e fundit “sepse e kupton se nuk ka shanse të ketë sukses”.

Në Ministrinë e Jashtme të Kosovës nuk treguan se pse Kosova nuk riaplikoi këtë vit dhe as nuk e komentuan mundësinë e hapjes së një Byroje në Beograd. As në INTERPOL nuk treguan nëse do të merret në konsideratë kërkesa e Serbisë.

Ish-ministri i Brendshëm, Bejtush Gashi, tha se mos-aplikimi i Kosovës reflekton mungesën e një strategjie të qartë dhe të konsoliduar diplomatike, vakum strategjik që Serbia e ka shfrytëzuar.

“Njoftimi zyrtar i Serbisë për hapjen e një Byroje Rajonale në Beograd përbën një lëvizje strategjike të rëndësishme, duke i dhënë Serbisë avantazh institucional dhe rol koordinues në rrjetet policore të Ballkanit, ndërsa Kosova mbetet periferike. Kjo krijon asimetri strategjike- Serbia në qendër, Kosova në periferi. Mos-anëtarësimi nuk reflekton mangësi të kapaciteteve policore, por mungesë strategjie të diplomacisë së sigurisë dhe presion politik ndërkombëtar, kryesisht nga Serbia. Mos-aplikimi i Kosovës që nga viti 2018 dhe nisma e Serbisë për Byro Rajonale kanë krijuar asimetri strategjike dhe rrezik për kapacitetet policore”, ka thënë ai.

Kosova aplikoi për herë të fundit për t’u anëtarësuar në Interpol më 20 nëntor 2018, gjatë Asamblesë së Përgjithshme në Dubai. Në margjinat e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme në Dubai, Behgjet Pacolli si ministër i Punëve të Jashtëm, si dhe zyrtarë të lartë në Qeverinë e Kosovës ishin shprehur të bindur se Kosova kishte siguruar votat për anëtarësim. Megjithëse kishte mbështetje të konsiderueshme nga vendet aleate, aplikimi dështoi pasi nuk arriti të sigurojë 2/3 e votave të nevojshme për anëtarësim. Në rundin e parë të votimit, anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL e patën mbështetur 76 shtete, kundër ishin 56 kurse 22 abstenuan. Ndërkaq, në rrethin e dytë të votimit, Kosova mori 68 vota për, 51 kundër dhe 16 abstenime. Pas kësaj përpjekjeje, shteti vendosi të rishikojë strategjinë dhe të mos dorëzojë aplikime të reja pa siguruar më parë një bazë më të gjerë mbështetjeje.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, pati reaguar ndaj kundër-fushatës së Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL duke theksuar se dështimi i anëtarësimit është humbje për gjithë rajonin.

Serbia e kishte prezantuar këtë dështim, si fitore të madhe të saj. Të nesërmen, Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj pati rritur tarifën ndaj prodhimeve të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës nga 10 për qind në 100 për qind. Shkaku i taksës, autoritetet e Serbisë patën refuzuar ta vazhdojnë dialogun me Kosovën, proces që ende synon mbërritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim e cila do të hiqte edhe pengesat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Hapja e një byroje të në Beograd do të kishte ndikim të madh në rajon, duke e pozicionuar Serbinë si qendër të koordinimit të operacioneve policore rajonale. Kjo ngre pyetje se si do të përfshihej Kosova në këtë strukturë, duke pasur parasysh se Serbia nuk ia njeh shtetësinë dhe për të tepër në të kaluarën ka nxitur sulme kundër Kosovës, sikurse ai në Banjskë më 24 shtator 2023.

Viteve të fundit, për shkak të dinamikave gjeopolitike, fushatës së vazhdueshme lobuese të Serbisë kundër Kosovës, ani se ka marrëveshje në Bruksel që ia ndalon këtë, si dhe ndarjet mes shteteve pro-Kosovës dhe atyre që mbështesin Serbinë, kanë krijuar mjedis të vështirë për anëtarësimin e Kosovës.

“Serbia ka shkelur në mënyrë të përsëritur Marrëveshjen e Brukselit (2013), duke penguar pjesëmarrjen e Kosovës në organizatat rajonale, ndërkombëtare dhe mekanizmat e sigurisë. Këto shkelje përfshijnë lobim të strukturuar kundër Kosovës, organizim të koalicioneve anti-Kosovë, presion bilateral ndaj shteteve neutrale dhe kundërshtim të hapur gjatë proceseve të votimit. Megjithatë dokumentimin e këtyre praktikave, Serbia nuk ka përjetuar penalizime efektive, duke krijuar precedent të rrezikshëm dhe duke thelluar hendekun institucional, operativ dhe strategjik”, ka thënë ish-ministri Gashi.

Edhe pse Policia e Kosovës bashkëpunon me INTERPOL-in përmes kanaleve të ndërmjetme dhe shkëmbimit të informacionit, mungesa e anëtarësimit e kufizon pjesëmarrjen e saj në rrjetet globale të zbatimit të ligjit dhe luftimit të krimit.

E Gashi vlerëson se pasojat nga mos anëtarësimi janë të drejtpërdrejta dhe afatgjata.

“Ka vështirësi në arrestimin e personave të kërkuar, zvogëlim të efikasitetit kundër krimit të organizuar transnacional, perceptim më të ulët ndërkombëtar mbi kapacitetet e Kosovës, varësi të vazhdueshme nga mekanizmat ndërmjetësues si UNMIK, dhe rritje të asimetrisë strategjike ndaj Serbisë. Ky kontekst tregon qartë se sfida nuk është thjesht teknike: dobësimi i kapaciteteve të sigurisë dhe rritja e asimetrisë strategjike kërkojnë një qasje të re dhe të konsoliduar të diplomacisë së sigurisë”, ka thënë Gashi. “Kosova mbetet jashtë INTERPOL-it pavarësisht se disponon një nga strukturat më profesionale policore në rajon. Proceset teknike të anëtarësimit shpesh kthehen në fushëbetejë politike, ku shtetet me interesa gjeopolitike, dhe veçanërisht Serbia, shfrytëzojnë organizatën për të konsoliduar avantazhin rajonal”.

Përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL datojnë nga viti 2010. Atëkohë, Komiteti Ekzekutiv nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga Prishtina zyrtare. Kosova aplikoi edhe më 2015 e 2016, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. E në vitin 2017 Kosova e pati tërhequr kërkesën, në mungesë të mbështetjes që do t’ia siguronte anëtarësimin.

Më 2019, “Koha Ditore” pati siguruar një kabllogram që shpjegonte të gjithë arsyet e dështimit të shtetit, për të siguruar mbështetjen rreth anëtarësimit në INTERPOL. Mungesa e përkrahjes arsyetohej edhe me efektet në proceset e ardhshme të anëtarësimit, që kishte shkaktuar dështimi për anëtarësim në UNESCO. Dhe, një tjetër problem më vete, ishte parë aplikimi i njëkohshëm me Palestinën. Kosova e kishte tërhequr atëkohë aplikimin, por Palestina ishte anëtarësuar.