Arbëri

Kosova ndalon importin e derrave nga Kroacia

derra

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar të mërkurën për ndalimin e përkohshëm të importit të derrave, produkteve dhe nënprodukteve të tyre nga Kroacia, pas konfirmimit të shpërthimit të sëmundjes Mortaja Afrikane e Derrit (MAD) në rajonet Osjecko-Baranjska dhe Vukovarsko-Srijemska.

Ky vendim, sipas AUV-it, bazohet në raportimet në sistemet ndërkombëtare të lajmërimit për sëmundjet veterinare, ADIS dhe WOAH, dhe është ndërmarrë me qëllim mbrojtjen e territorit të Kosovës nga përhapja e kësaj sëmundjeje virale, e cila prek vetëm derrat e butë dhe të egër, por jo njerëzit apo kafshë të tjera.

“Agjencia ka ngritur nivelin e kontrollit në të gjitha pikat kufitare në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Doganat. Aktualisht nuk kemi asnjë rast të dyshuar në vend”, thuhet në njoftim.

MAD është sëmundje virale shumë ngjitëse që shkakton ethe hemorragjike dhe ka shkallë vdekshmërie deri në 100% te derrat. Ajo përhapet përmes kontaktit direkt mes kafshëve, pajisjeve të ndotura, ushqimit, dhe lëvizjes së njerëzve nga fermat e infektuara.

AUV-i thekson se Kosova deri tani e ka situatën nën kontroll falë punës së inspektorëve veterinarë dhe bashkëpunimit me praktikat private në terren. Monitorimi i fermave dhe zonave të rrezikut do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.