Arbëri

Kosova merr Presidencën e Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë

Artane Rizvanolli - Komuniteti i Energjise

Kosova e ka marrë Presidencën e Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë gjatë takimit të 24-të të këtij Këshilli të mbajtur të enjten. 

Ministrja në detyrë e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, ka vlerësuar përgjegjësi institucionale marrjen e presidencës dhe një mundësi për ta avancuar agjendën reformuese në kuadër të Komunitetit të Energjisë. 

Ajo theksoi se, duke filluar nga viti 2026, Kosova do të ushtrojë udhëheqjen politike të procesit vendimmarrës në këtë forum ndërkombëtar.

“Për ne, prioritet do të jetë, sigurisht që të shtyjmë reformat e nisur në kuadër të këtij forumi ndërkombëtar, mirëpo me kujdes të veçantë për sigurinë energjetike dhe përballueshmërinë e çmimeve për Kosovën dhe për vendet e tjera të Komunitetit”, ka thënë Rizvanolli nga Vjena në një lidhje direkte për “RTK-në”. 

Në kuadër të këtij takimi, Këshilli i Ministrave ka miratuar rastin ndaj Serbisë për bllokimin e interkoneksionit energjetik me Republikën e Kosovës.

“Ky bllokim, i cili ka vazhduar për më shumë se pesë vjet, ka shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta negative në funksionimin e sistemit energjetik të Kosovës, duke rritur ngarkesën e rrjetit dhe kostot e transmisionit përmes linjave alternative me Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Republikën e Shqipërisë”, tha tutje ministrja.

Si rezultat, Serbia obligohet që të mundësojë shfrytëzimin e kësaj linje për tregti ndërkufitare të energjisë elektrike, më së largu deri më 1 korrik 2026. Kjo pritet të kontribuojë në përmirësimin e sigurisë energjetike, uljen e kostove të kapaciteteve ndërkufitare dhe, rrjedhimisht, në stabilizimin e tarifave për konsumatorët.