Qeveria në detyrë e Kosovës i ka kërkuar Bashkimit Evropian të dënojë qartë deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviq, t’ia bëjë të qartë Beogradit se retorika e tillë është e papranueshme dhe ta trajtojë çështjen në kuadër të dialogut e procesit të anëtarësimit të Serbisë në BE. Ajo e ka konsideruar reagimin e deritanishëm të BE-së të pamjaftueshëm
Qeveria në detyrë e Kosovës ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të ndërmarrë veprime në drejtim të izolimit të Serbisë në rrugën drejt integrimit evropian, pas deklaratave të ministres serbe, Snezhana Paunoviq, që ka bërë thirrje për spastrim etnik të Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon dhe pret nga BE-ja që t’i dënojë qartë dhe publikisht deklaratat e ministres Paunoviq, t’ua bëjë të qartë autoriteteve serbe se një retorikë e tillë është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat evropiane, si dhe ta trajtojë këtë çështje seriozisht në kuadër të dialogut politik dhe procesit të anëtarësimit të Serbisë në BE”, u tha në një njoftim të Qeverisë së Kosovës të shtunën. Në këtë njoftim u publikua letra drejtuar përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, nga ministri në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
Konjufca në këtë letër ka shkruar se Kosova është e shqetësuar me reagimin e deritashëm të BE-së.
“Një deklaratë e tillë nga një ministre në detyrë s’mund të trajtohet si gafë. E gjithë intervista ishte e mbushur me përmbajtje thellësisht revizioniste dhe armiqësore, duke pasqyruar një model më të gjerë deklaratash që vazhdojnë ta minojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja, si dhe ta gërryejnë besimin në këtë proces”, ka shkruar Konjufca në letrën e tij.
Në fund, Konjufca ka kërkuar që për këtë çështje të ketë ose takim ose të diskutojë përmes telefonit me Kallasin.
Edhe
Sveçla: Serbia të izolohet derisa Vuçiqi të marrë masa ndaj Paunoviqit
E ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka kërkuar nga ndërkombëtarët izolimin e Qeverisë së Serbisë derisa presidenti Aleksandar Vuçiq të ndërmarrë masa ndaj ministres Paunoviq. Sveçla ka thënë se reagimi i deritanishëm i Bashkimit Evropian ka qenë i pamjaftueshëm dhe se nevojiten masa konkrete ndaj autoriteteve serbe.
“Sa i takon bashkësisë ndërkombëtare, unë ende mendoj se reagimi ka qenë i butë. Do të duhej izolimi i Qeverisë së Serbisë derisa ajo të ndërmarrë masa ndaj pjesëtarëve të saj për gjuhën dhe sjelljen e tyre në raport me popullin shqiptar dhe standardet evropiane”, deklaroi Sveçla në “A2News” të shtunën.
Sipas tij, deklaratat e ministres serbe bien ndesh me vlerat themelore të Perëndimit dhe nuk mund të kalohen vetëm me dënime verbale.
“Një deklaratë e tipit ‘kjo gjuhë nuk është e pranueshme për Evropën’ nuk mjafton. Minimumi që pritet nga Vuçiqi është shkarkimi i zëvendëskryeministres dhe ministres, si dhe nisja e procedurave për ndjekje penale ndaj saj”, ka thënë ai.
Sveçla u ndal edhe te vendimi i Kosovës për ta shpallur Paunoviqin person “non grata”, duke theksuar se çdo person që cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës nuk është i mirëpritur në vend.
“Cilido që cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës nuk është i mirëseardhur në Kosovë. Pa hezitim kam ndërmarrë këtë hap dhe një veprim të tillë do ta ndërmarrim sa herë të jetë e nevojshme për të mbrojtur interesat e Republikës së Kosovës”, u shpreh ministri i Brendshëm.
E gjatë të shtunës, edhe pse letra u bë publike në orët e para të së shtunës, nuk ka pasur ndonjë deklaratë publike prej zyrtarëve të BE-së.
Edhe
Kosova i kërkon BE-së reagim e veprime kundër fashizmit serb
Më 11 korrik 2026, ministrja serbe e Administrimit Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, deklaroi në një intervistë televizive se, po të kishte qenë në vendin e Slobodan Millosheviqit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët”.
Deklarata u dënua gjerësisht në Kosovë e Paunoviq u shpall “non grata”. Ndaj saj, ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
E nga Bashkimi Evropian deri tash janë bërë thirrje që politikanët në Serbi të përmbahen nga deklaratat nxitëse dhe të respektohen detyrimet nga normalizimi i raporteve me Kosovën. Deklaratën e Paunoviqit e ka dënuar edhe komisionerja për Zgjerim në BE, Marta Kos, që është shprehur e tronditur se përse Paunoviq vazhdon të mbetet ministre në Serbi.
Ndërkaq në Serbi, deputeti i vetëm shqiptar, Shaip Kamberi ka iniciuar procedurën për shkarkimin e Paunoviqit. Dorëheqjen asaj ia ka kërkuar edhe një pjesë e opozitës në Serbi.
Pas reagimeve, vetë Paunoviq nuk kërkoi falje për deklaratën e saj, por pretendoi se u keqinterpretua. Ndërkaq, presidenti Vuçiq ka thënë se deklarata e Paunoviqit nuk është qëndrim i Qeverisë apo Presidencës serbe.
Pos deklaratës për spastrim etnik, Paunoviq gjatë gjithë intervistës në “Kurir” ka bërë thirrje kundër shqiptarëve. Ajo madje ka deklaruar se nuk do të jetë e largët koha kur Serbia do të kthehet në Kosovë. Në reagimin e prezantueses se “ndoshta vetë nuk do ta mbërrijnë, por fëmijët e tyre po”, Paunoviq ka thënë: “Do ta mbërrijmë edhe ne”.
Zyrtarët serbë shpesh akuzojnë pa paraqitur asnjë provë se autoritetet e Kosovës kanë dëbuar serbë.
Edhe
Britania për deklaratat e ministres serbe: Të neveritshme, synojnë nxitjen e tensioneve
Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, janë vrarë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur me forcë. Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të figurojnë të zhdukur. Mijëra trupa janë gjetur ndër vite në varreza masive në Serbi. E sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, shifra e viktimave të përdhunimeve në Kosovë gjatë luftës arrin deri në 20 mijë. Gjatë luftës në Kosovë, forcat serbe dëbuan rreth 1 milion shqiptarë nga Kosova e kryen dhjetëra e dhjetëra masakra.
Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë i ka cilësuar drejtuesit e atëhershëm të RFJ-së si pjesëmarrës kyç në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, që synonte dëbimin me forcë të qindra mijëra civilëve shqiptarë nga Kosova, nga marsi deri në qershor të vitit 1999. Sipas aktgjykimeve, qëllimi ishte “ndryshimi i balancës etnike për të ruajtur kontrollin serb mbi Kosovën”. Ish-gjenerali i Ushtrisë jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, si komandant i Armatës së Tretë, është dënuar nga Tribunali i Hagës me 22 vjet burgim për dëbime, zhvendosje me forcë, vrasje dhe përndjekje të civilëve shqiptarë në Kosovë, gjatë gjysmës së parë të vitit 1999. Së bashku me të janë dënuar edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, Dragolub Ojdaniq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, gjenerali i policisë Sreten Llukiq dhe ish-zëvendëskryeministri i RFJ-së, Nikolla Shainoviq. I akuzuari kryesor, Sllobodan Millosheviq, vdiq në paraburgim para përfundimit të gjykimit më 2006. Pasues i tij në partinë SPS pas arrestimit më 2002, është bërë Ivica Daçiq, sot nënkryetar i Qeverisë së Serbisë.