Arbëri

Kosova importon krizën ekonomike, pritet rritje e çmimeve

Çmimet

Lufta në Ukrainë do të sjellë pasoja edhe për ekonominë e Kosovës. Çdo rritje e çmimeve në tregjet ndërkombëtare do të importohet edhe në Kosovë shkaku i varësisë nga importi. Sipas njohësve të çështjeve ekonomike, lufta atje do të ndikojë në produktet ushqimore, sistemin bankar e në remitenca

Prishtinë, 27 shkurt - Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka goditur edhe tregjet ndërkombëtare. Edhe pse Kosova importon vetëm 0.8 për qind të produkteve nga Ukraina, rritja e çmimit të naftës, gazit, energjisë elektrike dhe e drithërave në Evropë do të importohet edhe në Kosovë.

Pasi Rusia është prodhuese e madhe e naftës dhe e gazit natyror, çdo rritje e çmimit ndikon në rritjen e kostos së transportit, që reflektohet në çmimet e lëndës së parë dhe mallrave të tjera.

Emanuel Bajra, ish-bankier në Londër dhe njohës i tregjeve financiare, thotë se lufta në Ukrainë do të ketë ndikim në ushqim, në sistemin bankar dhe në remitenca.

“Ngritja e çmimeve ka qenë agjendë e ditëpërditshme në Kosovë, por fatkeqësisht këto çmime do të vazhdojnë të ngrihen. Do të ketë disa efekte në volumin e remitencave që do të vinë këtë vit për shkak se kriza do të ndikojë edhe tek investitorët dhe punëdhënësit evropianë”, ka thënë ai.

Sipas tij, vëmendje të veçantë duhet t’i kushtohet bankingut.

“Nëse do të ketë ndonjë panik do të ketë efekte edhe në Kosovë në tërheqjen e parave nga bankat. Ky është një kënd i veçantë i rrezikshmërisë. Trusti dhe vlera e investimeve që Trusti i ekzekuton përmes platformave në bursat e Londrës dhe sulmet kibernetike mbeten ato që janë më të dëmshme në çdo ekonomi”, ka thënë Bajra.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vetëm gjatë dy muajve të fundit, nga Ukraina janë importuar produkte në vlerë 5 milionë euro. Vlera e mallit të importuar nga ky vend, që nga viti 2019, ka arritur në mbi 81 milionë euro.

Edhe ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, thotë se përveç efektit direkt të mallrave që importohen nga këto dy vende, do të ketë efekt zinxhirë edhe për produktet që importohen nga vendet e tjera.

“Efekti i dytë është efekti zinxhiror për shkak se secili shtet krijon ndjenjën që të krijojë rezerva dhe secili prodhues pret që produktet e veta t’i nxjerrë në treg dhe Kosova është vend i vogël, nuk është vend prodhues që prodhon produkte me bollëk për qytetarët e Kosovës, prandaj efekti është jashtëzakonisht i madh”, ka thënë Mulaj.

Qeveria, pak ditë më parë, ka ndarë 10 milionë euro për mbushjen e rezervave shtetërore. Por, krahas kësaj, kërkohet edhe marrja e masave të tjera.

Shkaku i infrastrukturës së volitshme dhe kapaciteteve që kanë vendet fqinje, Bajra thotë se Kosova duhet të shohë si mundësi që të zgjerojë kanalet e importit me këto vende.

Përveç rezervave në ushqim, ai thotë se shteti duhet të kujdeset edhe për rezerva likuide.

“Duhen rezerva likuide, rezerva të parasë, rezerva të kapitalit të shtetit, për shkak se rezervat tona janë të ulëta dhe nëse kemi ndonjë element të mbylljes së sistemit të bankingut do të jetë shumë problematike pasi njerëzit do të mbesin pa para”, ka thënë Bajra.

Edhe Mulaj thotë se shteti duhet të ndihmojë në krijimin e rezervave dhe të lidhë marrëveshje për furnizim me mallra, duke i bërë bashkë bizneset lidhur me këtë çështje.

“T’i rritë rezervat, ta ndihmojë biznesin që të sigurojë produkte të cilat vështirësohen për shkak të luftës në Ukrainë”, ka thënë Mulaj.

Sipas të dhënave të ASK-së, gjatë janarit të këtij viti ka pasur rritje të importit nga Ukraina për 62 për qind krahasuar me janarin e vitit të kaluar.

Në mesin e produkteve të importuara janë vaji i lulediellit, arra, çokollata, gruri, misri, biskota, sheqeri dhe gjalpi.

Kosova importon edhe nga Rusia. Produktet e importuara nga ky vend kryesisht janë nafta, por edhe metale të ndryshme.

Se implikimet ekonomike të agresionit rus ndaj Ukrainës do të jenë të shumëfishta e ka thënë edhe ekonomisti Kujtim Dobruna, i cili është themelues dhe udhëheqës i ECIKS-së.

Sipas tij, implikimet e para ekonomike të agresionit rus ndaj Ukrainës do të jenë të shumëfishta. Rusia është prodhuese e madhe e naftës dhe gazit natyror.

“Çmimi i naftës tashmë ka kaluar vlerën prej 105 USD për fuçi (1 fuçi = 159 litra) dhe ai i gazit natyror vetëm sot është rritur për 30%. Çdo përshkallëzim i mëtejmë i luftës do të ndikojë në rritjen e këtyre çmimeve. Rritja e çmimit të naftës ndikon në rritjen e kostos së transportit, që menjëherë reflektohet në çmimet e mallrave të tjera dhe lëndës së parë. Nëse nga agresioni rus dëmtohen gazsjellësit apo portet detare në Detin e Zi, atëherë do të paraqiten vështirësi në furnizim, gjë që do të ndikojë edhe më tutje në rritjen e çmimeve”, ka shkruar në Facebook ditë më parë Dobruna.

Sipas tij, Rusia është eksportuese e madhe edhe e nikelit, aluminit dhe palladiumit, ndërsa bashkë me Bjellorusinë ndër eksportuesit kryesorë të kripës së potasiumit, një element i rëndësishëm për prodhimin e plehrave artificiale.

“Rusia dhe Ukraina së bashku janë ndër prodhuesit kryesorë të grurit, çmimi i të cilit është rritur sot për 20 për qind”, ka theksuar Dobruna.

Rezultat i menjëhershëm, sipas Dobrunës, do të jetë një rritje e inflacionit që në shumicën e vendeve perëndimore para agresionit rus kishte arritur vlerat mes 5 e 9 për qind.

“Kjo do të paraqesë një problem shtesë për bankat qendrore, në veçanti për Bankën Qendrore Evropiane, e cila edhe ashtu ndodhet para dilemës të rrisë apo jo normat e interesit, për të vënë inflacionin nën kontroll. Një rritje e normave të interesit, do të rriste barrën e borxhit sovran për shtetet, si Italia, Greqia, Spanja, etj., do të rrezikonte seriozisht qëndrueshmërinë e tyre fiskale dhe ekzistencën e Eurozonës në përgjithësi”, ka shkruar Dobruna.

Ai ka thënë se përveç rritjes së rezervave, Kosova duhet ta rrisë subvencionimin e bujqve për mbjelljen e grurit në vjeshtën 2022 dhe për të gjitha produktet bazike bujqësore, që mund të kultivohen te ne.

“Krahas kësaj, duhet një koordinim i thellë me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, në mënyrë që të sigurohen rezerva të mjaftueshme ushqimesh dhe lëndësh të para, përfshirë naftën dhe derivatet e saj, për dy vjetët e ardhshëm”, ka thënë ai.