Arbëri

Kosova i vë në pauzë aksionet për mbylljen e komunave ilegale serbe

Institucionet e Kosovës i kanë pushuar aktivitetet për mbylljen e komunave paralele serbe. Për arsyet e stopimit të aksioneve nuk folën në Ministrinë e Brendshme dhe as në atë të Pushtetit Lokal. Por, njohës të çështjeve politike vlerësojnë se sprapsja ndodhi pas presionit ndërkombëtar.

Është ndalur cikli i aksioneve për t’i mbyllur komunat ilegale serbe, që institucionet i realizuan nga mesi i janarit e deri në fillim të shkurtit.

Pas mbylljes së zyrave të disa komunave paralele serbe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) i bënë thirrje Kosovës të shmangë veprimet e njëanshme, të cilat sipas tyre, mund të rrisin tensionet.

Kësisoj, ka rreth një muaj që kanë pushuar aksionet e institucioneve për t’ua vënë drynin lokaleve ku zhvillojnë veprimtarinë strukturat ilegale serbe në Kosovë. Ndonëse ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u zotua se institucioni i vetëm i Serbisë në Kosovë do të jetë ambasada e saj në Prishtinë, në Graçanicë, përveç institucionit paralel shëndetësor, funksionojnë lirshëm edhe një varg strukturash të tjera ilegale.

Njohësi i rrethanave politike, Artan Muhaxheri, vlerëson se presioni i perëndimit e ka zmbrapsur Qeverinë nga aksioni për mbylljen e ilegalëve, meqë, sipas tij, kishte munguar koordinimi paraprak.

“Absolutisht është e qartë që presionet e mëdha dhe reagimet e mëdha, qoftë nga Bashkimi Evropian, qoftë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë bërë që Qeveria ta ndalë hovin me të cilin filloi ta trajtojë këtë çështje, sepse bashkësia ndërkombëtare ia bëri të qartë Qeverisë që shumë më tepër mund të humbë sesa që të fitojë me një qasje të tillë”, ka thënë Muhaxhiri.

Në aksionin e 2 shkurtit, autoritetet mbyllen tri komuna paralele: Në Gorazhdec është mbyllur komuna ilegale e Pejës, në Osojan komuna paralele e Istogut dhe në Videjë komuna paralele e Klinës.

Një javë më përpara, në fshatin Vranisht të Dragashit u mbyll objekti i përbashkët ku vepronin komunat ilegale për Prizren, Suharekë, Rahovec dhe Dragash.

Pas aksioneve, në reagimet e tyre BE-ja e SHBA-ja kanë kërkuar që edhe çështja e këtyre strukturave të adresohet në dialog, pasi shprehën drojën se mbyllja e institucioneve paralele mund t’i lërë pa alternativa serbët e Kosovës.

Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë se bashkësia ndërkombëtare ka reaguar, meqë i ka parë si provokime veprimet e Qeverisë.

“Alternativa ekziston, sepse ekzistojnë komunat. Shembull, ndërhyrja në Gorazhdec. Komuna e Pejës ekziston, komuna që ofron shërbime edhe për qytetarët e komunitetit serb. Alternativa ekziston, mirëpo bashkësia ndërkombëtare vërejtjet i ka pasur në drejtimin se i ka marrë si provokime të vogla, si çështje pak të rëndësishme”, ka thënë Ferati. “Në lidhje me këto ndërhyrjet nëpër zyrat apo komunat paralele, në përgjithësi bashkësia ndërkombëtare nuk ka treguar ndonjë interesim, sepse nuk e ka konsideruar shumë të rëndësishme. E rëndësisë së dorës së parë është konsideruar shpallja e zgjedhjeve në veri, krijimi i strukturave legjitime dhe normalizimi i institucioneve në pjesën veriore”.

Në kohën kur ndërkombëtarët kritikuan Prishtinën zyrtare për këto aksione, kritikën më të madhe e kanë bërë për rregulloren e Bankës Qendrore, me të cilën lejohet që operacionet me para të gatshme të bëhen vetëm në valutën zyrtare të Kosovës – euro. Me këtë, ndalohet përdorimi i dinarit.

Autoritetet kanë vendosur që të mos heqin dorë nga rregullorja, zbatimi i së cilës zyrtarisht ka nisur më 1 shkurt, ndërkaq është paraparë një fazë tranzitore për serbët që operojnë me dinar, të cilin e sigurojnë nga Serbia, nëpërmjet institucioneve që veprojnë ilegalisht në Kosovë, sikur është posta.

Me marrëveshjen e 2013-s, Serbia ka marrë zotim t’i shuajë të gjitha institucionet e saj në Kosovë. Por, marrëveshja nuk është zbatuar dhe Beogradi zyrtar në baza periodike emëron zyrtar lokalë për shumicën e komunave të Kosovës.

Artan Muhaxhiri thotë se rinisja e aksioneve për mbylljen e këtyre zyrave ilegale duhet ta ketë fillimisht aprovimin ndërkombëtar.

“Me rëndësi është metoda, është qasja sepse duhet një qasje shumë diplomatike, shumë e kujdesshme në mënyrë që të arrihet deri te zgjidhjet afatgjate”, ka thënë ai.

Në aksionet për mbylljen e komunave paralele kanë marrë pjesë edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Ministritë që ata drejtojnë nuk iu përgjigjën pyetjeve për ndaljen e aksionit.

E Sadri Ferati ka theksuar se nga institucionet e Kosovës, bashkësia ndërkombëtare pret që të bëjnë veprime dhe të krijojnë një klimë të mirëbesimit që qytetarët e komunitetit serb, në mënyrë që ata të mos ndihen të anashkaluar e të frikësuar, e edhe të mos ndihen se nuk janë në shtetin e tyre.

“Pra ky është roli që duhet ta kenë institucionet e Republikës së Kosovës”, ka thënë Ferati. “Institucionet e Republikës së Kosovës, pavarësisht sjelljes së Beogradit, Listës Serbe dhe dhunës atje, ato duhet t’i zhvillojnë institucionet, të tregojnë mirëkuptimin, të krijojnë dialog, të tregojnë diskutime që qytetarët e komunitetit serb të mos kenë asnjë vërejtje në Republikën e Kosovës dhe institucionet e saj”.

Krahas komunave paralele, në pjesë të banuara me serbë, Serbia mban ilegalisht edhe institucione arsimore, shëndetësore, kompani e ndërmarrje publike.